FMN do të mësojë tatimet si të sillen me biznesin

Misioni i radhës së Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërriti në Tiranë për rishikimin e tetë të marrëveshjes trevjeçare. Takimet e para po kryhen me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko.
Përveç monitorimit të marrëveshjes, në fokus do të jetë edhe rishikimi i buxhetit, performanca fiskale, shpenzimet dhe deficiti buxhetor dhe ecuria e borxhit. Pjesë e konsultimeve do të jenë edhe ndryshimet në paketën fiskale.
Në këtë misionin, Fondi ka sjellë edhe një ekspert që do të asistojë tatimet për të përmirësuar komunikimin e biznesit.
Kreu i Misionit të përhershëm të FMN-së në Tiranë, Jens Reinke, ka pohuar qartazi në një dalje për shtyp pak ditë më parë së bashku me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj se vendi është mbrapa me përmirësimin e klimës së biznesit. “Teksa shifrat e buxhetit janë optimiste, biznesi raporton një situatë krejt tjetër”, tha ai. “Biznesi thotë se, Administrata Tatimore bën represion. Kjo pengon biznesin vendas të zgjerohet dhe të huajt të vijnë”, tha ai, duke shtuar se sektori privat nuk është në humor.
Kjo konstatim i FMN është njoftuar këto kohët e fundit edhe nga dhomat kryesore të tregtisë në vend.
Diplomacia ekonomike është vënë në alarm për klimën e rënduar të investimeve, që është krijuar në vendin tonë, aq sa disa prej dhomave të huaja të tregtisë, më të rëndësishmet në vend, janë duke i orientuar investitorët të mos futen në Shqipëri. Pasiguria juridike me kontratat aktuale, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni duket se janë arsyet themelore.
Këto shqetësime i janë përcjellë Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe dhomat e tjera edhe Këshillit të Investimeve, një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit.
Sakaq indekset e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Dhomës Gjermane kanë treguar një përkeqësim të të gjithë indikatorëve që masin klimën e investimeve këtë vit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza ka goditur themelet e ekonomisë shqiptare duke dobësuar ndjeshëm aftësinë e saj për t’u rritur dhe për të gjeneruar mirëqenie për qytetarët. Në një raport  të fundit mbi Shqipërinë, FMN vlerëson se rritja potenciale e ekonomisë është ulur nga 5.9 për qind që ishte në vitet para krizë në rreth 3 për qind aktualisht. Shifra e rritjes potenciale tregon mundësinë që ka një ekonomi për t’u rritur pa shkaktuar inflacion ose rritje të borxhit. Në afatgjatë rritja ekonomike e një vendi konvergjon gjithmonë rreth shifrës potenciale, ndaj ky tregues është i rëndësishëm për perspektivën ekonomike. Por siç dëshmojnë vlerësimet e FMN, potenciali i ekonomisë shqiptare për t’u rritur është reduktuar ndjeshëm dhe kjo ka dy pasoja kryesore për politikat ekonomike. “Pasoja kryesore në kontekstin politik është që politikat kundërciklike duhet të bazohet në një rritje potenciale prej 2.9-3.2 për qind dhe jo më në 6 për qind si dikur. Implikimi i dytë është se politikat ekonomike për të zgjeruar rritjen potenciale duhet të jenë një prioritet absolut,”- vëren FMN

Exit mobile version