Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është shprehur hapur kundër uljes së pragut të TVSH-së tek bizneset e vogla. Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficienca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.
Qeveria shqiptare në shtator bëri të ditur planin e saj për të shtrirë TVSH-në te biznesi i vogël. Në fillim u deklarua se kufiri do të bëhej zero nga 5 milionë lekë që është sot, ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka deklaruar se kufiri për TVSH-së do të ulet në 2 milionë lekë, teksa në paketën fiskale, që pritet të diskutohet së shpejti në Komisionin e Ekonomisë, përcaktohet se do të jetë autorizimi i Këshillit të Ministrave për të vendosur kufirin e regjistrimit në TVSH. Ahmetaj tha se, nga kjo lëvizje do të prekeshin vetëm 9 mijë subjekte dhe përjashtoheshin rreth 60 mijë të tjerë. Vendimi ka ngjallur debat të lartë tek ekspertët lidhur me efektin që do të ketë kjo shtrirje te bizneset e vogla dhe nëse kjo është mënyra më e mirë për të luftuar informalitetin.
Reinke thotë se, ata i kanë këshilluar qeverisë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (psh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale).
“Ne nuk shohim asnjë problem me kufirin aktual të TVSH-së. Ndryshimet e vazhdueshme të politikës së taksave duhet të shmangen, pasi ato komplikojnë administrimin e taksave dhe mund të bëjnë konfuz taksapaguesit. Si rrjedhojë, ne rekomandojmë që të mbahet kufiri i TVSH-së në nivelet aktuale, ndërkohë që administrata i përqendron përpjekjet tek taksapaguesit e mëdhenj”, thotë Reinke.
Edhe pak ditë më parë, duke iu referuar taksës së TVSH-së, ekspertët e FMN-së sqarojnë se kostoja e administrimit së saj prej biznesit të vogël, do ta shtonte në mënyrë të konsiderueshme barrën me të cilën ai përballet gjatë aktivitetit të tij të përditshëm. Duke patur si pasojë, që atij t’i mbeteshin më pak para për të investuar në prodhim, por edhe në modernizimin e tij, e kësisoj, ai të bëhej më pak produktiv dhe efiçent. Në këtë mënyrë, duket se institucioni i njohur ndërkombëtar financiar, del kundër kompleksitetit të taksave në tërësinë e tyre, që në rastin e Shqipërisë përkthehet për momentin, me një moskëshillim të autoriteteve për vendosje të kategorisë së biznesit të vogël nën regjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, TVSH. Ndërsa përmes studimit në fjalë, apelon se në tërësi, ndërhyrjet administrative në taksa, duhet të vlerësohen mirë nga një perspektivë e të ardhurave tatimore.