FMN e shqetësuar për luftën tregtare SHBA-Kinë

Shkallëzimi i luftës tregtare SHBA-Kinë do të pengojë rritjen ekonomike globale këtë vit dhe tjetrin, tha të martën Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që Presidenti Donald Trump përsëri kërcënoi se do të vendosë tarifa më të larta për eksportet kineze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
Në një vlerësim të ri të bërë gjatë konferencës në Bali të Indonezisë, FMN-ja parashikoi se “të gjithë do të vuajnë pasojat”, sa kohë që SHBA dhe Kina, dy ekonomitë më të mëdha të botës, nuk merren vesh për tarifat dhe çështjet e tjera tregtare. FMN-ja tha se mosmarrëveshjet midis SHBA dhe Kinës do t’i linte veçanërisht vendet në zhvillim të ekspozuara ndaj streseve të papritura.
Agjencia ndërkombëtare financiare ka ulur parashikimin e saj për rritjen ekonomike botërore me 0,2 përqind për vitin 2018 dhe 2019, duke e ulur në 3.7 për qind, hera e parë në më shumë se dy vjet që bën një ulje të tillë.
Për SHBA, FMN-ja parashikon një rritje prej 2.9 për qind këtë vit, me një rënie në nivelin 2.5 për qind për vitin e ardhshëm dhe në 1.8 për qind për vitin 2020, për shkak të dobësimit të efektit të shkurtimit të taksave si dhe për shkak të luftës tregtare me Kinën pengon rritjen.
“Nuk mund të mohohet se ekspozimi ndaj goditjeve të mëdha globale është rritur”, u tha gazetarëve ekonomisti i lartë i FMN, Maurice Obstfeld.
SHBA-të dhe Kina kanë imponuar tarifa më të larta prej dhjetëra miliarda dollarësh ndaj produkteve që të dyja vendet eksportojnë drejt njëra-tjetrës.
Presidenti Trump i ka justifikuar tarifat më të larta të SHBA-së si kundërpërgjigje ndaj mosbalancës tregtare mes dy vendeve dhe Kina u përgjigj me shpejtësi me taksa më të larta për importet amerikane.
Vitin e kaluar, Kina shiti mallra me vlerë 375 miliardë dollarë më shumë sesa eksportoi SHBA drejt Kinës, një shifër që Presidenti Trump shpesh ka thënë se synon ta pakësojë ndjeshëm, në përpjekje për të nxitur bizneset amerikane.
“Kina dëshiron një marrëveshje dhe unë them se ata nuk janë ende gati,” tha Presidenti Trump.

Exit mobile version