Pas kërkesave këmbëngulëse të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të marrë në analizë fizibilitetin e të gjitha koncesioneve të dhëna dhe atyre që do të jepen në formën e Partneritetit Publik Privat, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO) ka bërë gati modulin se si do të kontrollohen këto koncesione.
Deri në fund të këtij viti, ATRAKO dhe Drejtoria e Koncesioneve në Ministrinë e Financave duhet të bëjnë përshkrimin e situatës aktuale, vlerësimin e të metave kryesore apo të hapësirave të zhvillimit, kontekstin e përmirësimit dhe nëse është e përshtatshme, një pasqyrë të tregut për të gjitha koncesionet aktive aktualisht.
Do të bëhen parashikimet afatmesme dhe afatgjata të nevojave dhe përshkrim i përgjithshëm i projekteve.
Në rastin kur projekti PPP përfshin kryerjen e një funksioni institucional duhet të analizohet natyra e funksionit institucional dhe masa në të cilën ky si, ligjërisht ashtu edhe nga natyra e tij, mund të kryhet nga një palë private.
Në rastin e një projekti që përfshin përdorimin e pronës shtetërore, duhet të analizohet përshkrimi e pronës shtetërore në fjalë, përdorimet dhe një përshkrim i llojeve të përdorimit, në të cilat mund të përfshihet ligjërisht një subjekt privat.
Kërkohen të argumentohen përfitimet strategjike dhe operacionale që priten nga koncesioni PPP të shoqëruara me një projekt teknik.
Analiza teknike duhet të jetë pjesë e studimit të fizibilitetit për secilin projekt dhe ka si objektiv kryesor të demonstrojë se projekti mund të zbatohet, duke përdorur teknologjitë e propozuara dhe pa risqe të paarsyeshme teknike.
Çdo koncesion PPP duhet të shoqërohet me një analizë të mirëfilltë ekonomike dhe financiare, e cila minimalisht duhet të përbëhet duke u referuar në kostot e drejtpërdrejta të investimeve, kostot e drejtpërdrejta të mirëmbajtjes, kostot e drejtpërdrejta operative që lidhen me funksionimin e përditshëm, kostot indirekte të projektit. Gjithashtu, kjo analizë duhet të përmbajë të ardhurat e projektit që përfitohen nga analiza e riskut në mënyrë që të identifikohet dhe të vlerësohet gama e riskut që mund të ndikojë mbi projektin.
Gjithashtu, vlerësimi mbi dhënien e koncesionit duhet të marrë në konsideratë ndjeshmërinë publike të projektit apo shërbimit që do të ofrohet.
Studimi duhet të arsyetojë nëse është konfirmuar leverdisshmëria dhe qëndrueshmëria e projektit dhe nëse forma koncesion/PPP duket si modeli më i përshtatshëm për zbatimin e projektit.
Arsyetimi i vendimit të koncesionit/PPP-së kryhet duke filluar me Krahasuesin e Sektorit Publik dhe duke përdorur modele të përshtatshme financiare, të tilla si metodologjia e Krahasuesit Publik Privat ose modeli “Hije”.