FMN: Rritje modeste pagash e pensionesh

Përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke, është optimist se rritja ekonomike do të përshpejtohet më 2017-n. Por, ai e vë theksin në domosdoshmërinë që qeveria t’i qëndrojë angazhimeve të saj në lidhje me reformat, veçanërisht në taksat dhe menaxhimin e financave publike. Teksa marrëveshja aktuale e qeverisë shqiptare me FMN-në mbaron në shkurt, Reinke thotë në një intervistë për “Monitor”, se ata janë të gatshëm për të diskutuar një marrëveshje të re pas zgjedhjeve, nëse qeveria do të dëshirojë të ndjekë këtë rrugë.

– Cili është vlerësimi i ecurisë ekonomike të vendit gjatë vitit 2016?
Viti i kaluar ka qenë një tjetër sukses i matur për ekonominë shqiptare. Rritja reale ekonomike ka vazhduar të rimëkëmbet. Stabiliteti makroekonomik është forcuar më tej në kuadrin e konsolidimit të vazhdueshëm fiskal. Kundër një mjedisi përgjithësisht të pafavorshëm botëror, ekonomia shqiptare po ecën mirë, edhe pse jo të gjitha aspiratat e shqiptarëve janë duke u përmbushur.

– Cilat janë pritshmëritë tuaja për ekonominë për këtë vit?
Ne presim që rritja do ta marrë veten më tej, mbështetur nga investimet e vazhdueshme, veçanërisht në sektorin e energjisë, si dhe përmirësimi i besimit në sektorin privat vendas. Qeveria ka miratuar një buxhet të fortë që do të ndihmojë për të zvogëluar barrën e borxhit, ndërsa do të ketë burime të mjaftueshme për investime shumë të nevojshme publike dhe rritjen modeste në pagat publike dhe pensionet. Është e rëndësishme që qeveria t’u qëndrojë angazhimeve të saj në lidhje me reformat (veçanërisht në taksat dhe menaxhimin e financave publike) dhe që buxheti do të zbatohet, siç është rënë dakord.

– Cilët janë disa faktorë që pritet të kenë ndikim pozitiv apo negativ (të brendshëm dhe të jashtëm) në ekonominë shqiptare, gjatë vitit 2017?
Perspektiva pozitive për ekonominë shqiptare mbështetet në supozimin se qeveria do të vazhdojë zbatimin e reformave të saj, veçanërisht në të ardhurat buxhetore dhe në menaxhimin e shpenzimeve të saj. Planifikimi dhe zbatimi më i mirë i investimeve është shumë i rëndësishëm për të siguruar që burimet e kufizuara të adresohen mirë dhe të investohen në mënyrë efektive. Duhet të zhvillohen mënyra më të barabarta dhe efikase të rritjes së të ardhurave – si për shembull, tatimi mbi pasurinë i bazuar te vlera.

– Cila do të jetë forma e bashkëpunimit pasi marrëveshja aktuale mes FMN-së dhe qeverisë të përfundojë në shkurt?
Siç e dini, marrëveshja aktuale përfundon në fund të muajit shkurt 2017. Megjithatë, marrëdhëniet midis qeverisë dhe FMN-së përfshijnë politikën e dialogut, asistencë teknike dhe trajnim. Ne kemi një program jashtëzakonisht aktiv për të ndihmuar Ministrinë e Financave dhe organet tatimore në forcimin e kapaciteteve të tyre dhe përmirësimin e aftësive të tyre administrative. Kjo do të vazhdojë. Ne do të angazhohemi me qeverinë për politikat fiskale dhe reformat strukturore. Ne gjithashtu jemi të gatshëm për të diskutuar një marrëveshje të re pas zgjedhjeve, nëse qeveria do të dëshirojë të ndjekë këtë rrugë.

“Monitor”

Exit mobile version