FMN: Shqipëria, me humbjen më të madhe në Europën Lindore nga emigracioni

Shqipëria është vendi që ka pësuar humbjen më të madhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europën Lindore si rrjedhojë e emigacionit masiv. Sipas një grafiku të publikuar dje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin “Emigracioni në Europën Lindore ka ngadalësuar ritmet e kapjes së Perëndimit”, rritja mesatare faktike në Shqipëri për periudhën 1995-2012 ka qenë 7%. Nëse nuk do të kishte pasur emigracion, atëherë FMN ka llogaritur se rritja mesatare e Shqipërisë për të njëjtën periudhë do të kishte qenë rreth 9%, pra rreth dy pikë përqindjeje më shumë. Kjo është diferenca më e madhe mes rritjes faktike dhe asaj potenciale (pa emigracion) që raporton FMN për vendet e Europës Lindore. Në shtetet e tjera humbja nga emigracioni ka qenë më pak se një pikë përqindjeje. Një hartë e publikuar nga OKB-së së fundmi tregonte së në vitin 2015 rreth 1.12 milionë shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar 10 mijë. Sipas censusit të fundit të INSTAT, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Ritmet e rritjes së popullsisë janë shumë të ulëta për shkak të rritjes së moshës mesatare (që ka arritur rreth 37 vjeç) dhe përshpejtimit të emigracionit, sidomos vitin e fundit. Sipas raportit të FMN-së, hapja e Europës Lindore ndaj pjesës tjetër të botës në fillim e viteve ‘90 solli përfitime të mëdha. Rrjedhja e kapitalit dhe inovacioni ka çuar në krijimin e institucioneve më të mira, menaxhimit më të mirë ekonomik dhe përfitueshmërisë më të lartë. Nga ana tjetër ka çuar në daljen e vazhdueshme dhe të konsiderueshme të njerëzve. Afërsisht 20 milionë, shumica prej të cilëve të rinjtë dhe të aftë, të barasvlershëm me popullsinë e Çekisë dhe Hungarisë, kanë lënë vendin për të kërkuar mundësi më të mira jashtë. Pavarësisht ata kanë kontribuar në vendet e zhvilluara ku kanë shkuar, largimi i tyre ka ngadalësuar rritjen dhe konvergjencën e vendeve të origjinës me standardet e jetesës në Europë. Një studim nga FMN propozon opsionet e politikave për të balancuar peshoren. Migrimi ka ngadalësuar rritjen ekonomike të vendeve të Europës Lindore, ndërsa ai vetë kryhet për zgjedhje personale. Për Europën Lindore, motivi kryesor i largimit është kryesisht për punë më të mira dhe paga më të larta. Shumë prej këtyre emigrantëve janë të specializuar (si për shembull, doktorë, arkitektë, inxhinierë etj.) dhe më të rinj se mesatarja e popullsisë së vendit. Sa më pak efektive qeveria dhe sa më të dobët institucionet (duke ruajtur sundimin e ligjit, mbështetje në llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit) në vendet e origjinës, ka më shumë gjasa që të rinjtë dhe të arsimuarit të jenë në kërkim të mundësive më të mira jashtë. Ndërkohë që emigrantët kanë tendencë të jenë më mirë dhe familjet të përfitojnë shpeshherë nga remitancat, ata dobësojnë potencialin ekonomik të vendeve të tyre. Kjo ka çuar vendet e Europës Lindore në përkeqësim. Migrimi masiv dhe i vazhdueshëm ka çuar në ngadalësim si të ekonomisë dhe të të ardhurave për frymë. Në mungesë të migracionit nga vitet 1995 deri në vitin 2012, rritja reale e PBB do të kishte qenë 7% më e lartë se sa mesatarja e rajonit, sipas punës analitike të FMN-së. Burimet e vazhdueshme të remitancave kanë mbështetur investimet dhe konsumin, por gjithashtu kanë ndikuar në vlerësimin e kursit të këmbimit, duke i bërë ekonomitë më pak të konkurruese. Për më tepër, paratë e dërguara të afërmve kanë pakësuar dëshirën për të punuar. Si rezultat, pagat janë rritur më shumë se produktiviteti, duke gërryer kthimet nga investimet dhe duke dobësuar iniciativën për të investuar në atdhe. Me prodhim të ulët, shpenzimet qeveritare në ndihmat sociale janë rritur shumë krahasuar me PBB. Gjithashtu largimi i të rinjve bën që pjesa më e madhe e popullsisë të zihet nga të moshuarit, duke rritur shpenzimet për pensione në raport me PBB-në. Qeveritë kanë pasur tendencën për t’u përgjigjur këtyre presioneve të buxhetit duke shtuar taksat mbi punësimin dhe duke ndikuar në uljen e tij. Largimi i të rinjve dhe më të mirëve ka bërë që procesi i zhvillimit i Europës Lindore për të arritur ritmet e avancuara të Europës të jetë më i vështirë. Migrimi ka qenë një nder për Europën në tërësi, por si ka ndikuar migrimi Lindje-Perëndim në vendet pritëse? Migrimi drejt Perëndimit duket se ka ndihmuar rritjen ekonomike në vendet europiane. Për rrjedhojë, migrimi ekonomik është një tregues suksesi në projekte europiane, gjë që tregon se lëvizja e lirë e njerëzve është e nevojshme për një integrim më të mirë ekonomik, si dhe të ardhura më të larta për të gjithë. Me diferenca të larta në të ardhura dhe institucione mes Lindjes dhe Perëndimit, faktorët që shtyjnë migrimin nga Lindja me shumë siguri do të vazhdojnë për disa kohë. Për më tepër që lëvizja mund të shtohet me vendet e reja që po bëhen gati për t’u anëtarësuar në BE. Duke e bërë që të funksionojë mbarë, anëtarësimi në BE solli përfitime të mëdha për Europën Lindore. Tani, problem qëndron, se çfarë duhet të bëjmë që të çojmë në një situatë fitimprurëse për të dyja vendet dhe për atë që dërgon krah pune dhe për atë që merr? Edhe pse ka disa detyra për t’u bërë në vendet lokale, ka vend dhe për një përgjigje paneuropiane. Për Europën Lindore: institucione më të mira dhe politika ekonomike në vendet e origjinës për ta bërë vendin më tërheqës për njerëzit për të qëndruar, emigrantët për t’u kthyer dhe pse jo, njerëzit nga vendet e tjera të kërkojnë punë në Europën Lindore. Liberalizimi i mëtejshëm i regjimit të vizave, veçanërisht për njerëzit e aftë, do të konsiderohej gjithashtu. Qeveritë mund të bëjnë më shumë për diasporën jashtë, në mënyrë që të sjellin në vend ekspertizën dhe kursimet e tyre, si dhe të nxisin iniciativën e lirë të njerëzve në vend që të shpenzojnë remitancat. Gjithashtu, mund të bëhet më shumë për të mbajtur dhe përdorur më mirë, forcën punëtore, kjo mund të bëhet nëpërmjet koordinimit, ndërmjet punësimit dhe arsimimit, si dhe sigurimit të trajnimeve. Politikat fiskale të vendeve mund të ndihmojnë, për shembull, duke ulur taksat mbi punësimin dhe duke shtuar ato mbi konsumin. Në këtë mënyrë do të nxiteshin investimet dhe rritja afatgjatë. Për BE: nga migrimi BE-ja ka përfituar, tani është çështja për të shpërndarë fitimet, transferimi nga vendet e pasura në drejtim të vendeve të varfra. Kjo do të sheshojë efektet negative të migrimit. Gjithashtu, do të jetë në përputhje me qëllimet e BE-së për të reduktuar diferencat ekonomike dhe sociale në rajone të ndryshme.

Monitor

Artikulli paraprakShfuqizimi i taksave vendore, argumentet e biznesit në Kushtetuese
Artikulli tjetërMjetet e transportit publik dy herë në kolaudim