FMN: Shqipëria me numrin më të ulët të kredive në rajon

“Duhen trajtuar kreditë me probleme. Ne kemi biseduar me autoritetet për zbatimin e një strategjie për npl-t, fokus kryesor ka qenë përmirësimi i ekzekutimit të kolateralit, regjimin e aftësisë paguese dhe përmbaruesit privatë. Shpresojmë të miratohen së shpejti në Parlament. Më herët gjithashtu jemi munduar të punojmë për qartësimin e trajtimit nga ana tatimore e nxjerrjes jashtë bilancit të kredive dhe lehtësimin monetar për mbështetjen e kërkesës agregate, masa për rritje të konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, administrimit dhe procedurave tatimore, përpjekje të tjera për regjistrimin e pronave së bashku me reformën në gjyqësor”.
Dy vjet e gjysmë pas zbatimit të orientimeve të FMN-së, ndërkombëtarët thonë se ekonomia po forcohet, por me ritëm të ngadaltë.
Vënë në dukje progresin në financat publike dhe energji, por theksojnë se raporti i kredive ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto është më i ulëti në rajon, ndonëse para krizës ishte në rritje.
Për këtë kanë bërë dhe një analizë, rezultatet e të cilës përfaqësuesja e Fondit i publikoi në forumin e përbashkët me Bankën e Shqipërisë.
“Një pjesë e arsyes është fshirja e kredive nga bilanci, gjithsesi shohim se rritja e kredisë është pak më e ngadaltë nga vendet e rajonit. Kërkesa nga ndërtimi që ishte kryesore para krizës ka qenë e ulët dhe kjo pasqyrohet në çmimet e ulëta të pasurive të paluajtshme në vendet e rajonit. Nga ana e ofertës një vështirësi ka qenë niveli i kredive me probleme. Ka pasur një ulje tani në 20%, por krahasuar me Ballkanin Perëndimor është ndër më të lartat me përjashtim të Serbisë”.
Guvernatori thotë se Banka e Shqipërisë është angazhuar në një politikë monetare lehtësuese.
“Strukturimi ekonomik do të nxisë kreditimin. Standardet e kreditimit për bizneset janë më shtrënguese. Një nga sfidat kryesore është rritja e kreditimit. Bankat komerciale do të ndikojnë në stabilitetin financiar, duke qenë më fleksibël në politikat që ndjekin, duke krijuar lehtësira për kreditimin”.
Tashmë sipas kreut të Financave i takon bankave të jenë më luajale.
“Bankat tregtare kanë kapacitete njerëzore shumë të mira me politika kompensimi shumë të mira për stafin prandaj besoj se ata do të jenë në gjendje t’i gjejnë hapësirat për kreditim. Mendoj se avantazhi konkurrues i Shqipërisë do të jetë një nga faktorët kryesorë. Fokusi i qeverisë është në bujqësi, turizëm, prodhim i orientuar drejt eksportit, energji dhe minerale”.
Ministri i Financave theksoi nevojën për një rritje ekonomike më të lartë, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar pret këtë vit një përshpejtim të saj në nivelin 3.4% dhe këtë e mbështet në rritjen e investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë.

Artikulli paraprakTërhiqet ligji për kamerat e përgjimit, Rama me 63 vota në minorancë
Artikulli tjetërTopalli: Droga në çdo cep të vendit, edhe në Parlament