Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar sot Raportin e Ekonomisë Globale 2016. Për Shqipërinë, raporti ka mbajtur të pandryshuar rritjen në 3.4%. Fondi pret që rritja të përshpejtohet në vitet në vijim, në 3.7% në vitin 2017, por deri në vitin 2012, Shqipëria nuk pritet të ketë një rritje më të lartë se 4.1%. Në krahasim me raportin e mëparshëm të prillit, parashikimi për vitin 2016 ka mbetur i pandryshuar në 3.4%, ndërsa është ulur lehtë nga 3..8% në 3.7% për vitin 2017. Në afatin e gjatë, pritjet për rritjen ekonomike kanë mbetur 4.1% deri në vitin 2021. Për 2016-n, Shqipëria mbetet ndër vendet e rajonit me pritje më të lartë ekonomike, duke lënë pas Bosnjën, Kroacinë, Bullgarinë, Maqedoninë, ndërsa më mirë se ne pritet të jetë Kosova me 4.1% dhe Mali i Zi me 5.1%. Sipas raportit të FMN-së, rritja globale është parashikuar të ngadalësohet në 3.1% në 2016-n, përpara se të rimëkëmbet në 3.4% në vitin 2017. Parashikimi është rishikuar në ulje me 0.1 pikë përqindje në krahasim me raportet e mëparshme dhe reflekton një panoramë më të dobët për vendet e zhvilluara, pas votës britanike për të lënë Bashkimin Evropian dhe rritjes më të ulët sesa pritej të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rritja në ekonomitë në zhvillim pritet të përforcohet lehtë në 2016, në 4.2%, pas pesë viteve radhazi që kishte qenë në ngadalësim.