‘Follow the money’/ Artan Gaçi ndërtoi “kështjellë” miliona euro në Leskovik pasi Olta Xhaçka garoi në Korçë

Viti 2017 ndryshoi fatin e Artan Gaçit. Burri i deputetes së Partisë Socialiste, la politikën dhe veshi kostumin e biznesmenit dhe historia tregon që e kishte seriozisht. Nëse sot, Artan Gaçi është në syrin e ciklonit të mediave, për shkak të investimit strategjik që kishte planifikuar në Himarë, ngritja e hotelit nuk ishte e vetmja ide që ai kishte. Gaçit i eci mirë kur doli nga politika. Por edhe më mirë pa kur e shoqja e tij, Olta Xhaçka po ngjiste me shpejtësi shkallët e karrierës si minister në kabinetin ‘Rama 2’. Në të njëjtën kohë kur Gaçi u bë biznesmen, në 2017-ën, asaj iu besua drejtimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, post të cilin e mbajti vetëm 5 muaj. Nga aty kaloi tek Ministria e Mbrojtjes dhe më pas tek ajo e Europës dhe Punëve të Jashtme. Çifti ishin në kulmin e tyre. Shqipëria kaloi disa ngjarje madhore si tërmeti i vitit 2019 apo pandemia COVID-19, ku ministrja Olta Xhaçka shfrytëzoi çdo moment për të reklamuar se dinte të drejtonte.

Ndërsa i shoqi, po kujdesej për të ndërtuar disa objekte me vlerë miliona euro për të garantuar biznesin e jetës për ta.

KRIJIMI i UniPharma!

Disa muaj pas zgjedhjeve më 17 tetor 2017 vendosi që të futej në fushën e farmaceutikës, duke krijuar “UniPharma’, në bashkëpunim me mikun e tij, Ilir Shehu. Artan Gaçi, si i sapofutur në botën e biznesit kërkoi ndihmë nga një person me eksperiencë, duke zgjedhur Ilir Shehun, emri i të cilit njihet gjerësisht në fushës e farmaceutikës, e kjo jo për mirë.

E gjitha lidhet me dy kompanitë e tjera që Shehu ka, po në fushën e farmaceutikës, “MEGA STORE” dhe “MEDICAMENTA”. Të parën e ka plotësisht në emrin e tij, ndërsa në kompaninë e dytë, 60% të aksioneve i ka “Farmacia Celesia srl”, që thuhet se ka pronar italianët Ricardo Celesia, Masimo Daverio e Lorenzo Peraldini, por në “QKR”, nuk rezulton e regjistruar. Pra është një kompani fantazmë, pronarët e vërtetë të të cilës, nuk dihet se kush janë.

Ndërsa në Unipharma, Shehu është pronar i barabartë me Gaçin.

Kush është Ilir Shehu? 

Disa vite më pare, Ilir Shehut i doli emri si i përfshirë në një skemë të fëlliqur mashtrimi me barna, ku ishte implikuar dhe një farmacist i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Teresa”.

Skema u zbulua dhe ishte shumë e thjeshtë; farmacisti Isnih Bajrami merrte barnat e shtetit, të cilat duhet të ofroheshin falas për pacientët. Të sëmurëve u thoshte se barnat ishin në mungesë, por u siguronte se mund t’ua gjendte ai “në të zezë”, sigurisht që përkundrejt pagesës. Kështu, farmacisti zëvendësonte barnat e farmacisë shtetërore me barnat e skaduar të kompanive dhe ua shiste pacientëve, duke u rrezikuar jetën përveçse i mashtronte. Në këtë skemë mashtrimi nuk kurseheshin as pacientët që duhet me patjetër të kryenin kimioterapi dhe çdo ditë luftonin me vdekjen. Po ashtu, Ilir Shehu ka qenë pjesë e listës të të gjobiturve të Autoritetit të Konkurrencës, pasi u zbulua se u kishte shitur shqiptarëve dezinfektantë dhe maska me vlerë tejkaluar çmimit normal gjatë periudhës së koronavirusit.

Mashtrimet dhe abuzimet me çmimet nuk e ndalën biznesmenin, i cili me “MEDICAMENTA” ka marrë rreth 608 kontrata publike, me vlerë 910 874 907,65 lekë pa TVSH. Sigurisht që shumë tendera që mund t’i kenë marrë në bashkëpunim edhe me UniPharma, por të dhënat nuk janë të publike. Në historikun e punëve të pasqyruar në “Open Data” listohen institucionet kontraktuese të kompanisë që janë si më poshtë: Ministria e Shëndetësisë; Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; Spitali Sarandë; Spitali Universitar i Traumës; Spitali Rajonal “Memorial” Fier, e dhjetra të tjera. Vetëm se në këtë rast ka problem. Nëse “MEDICAMENTA” i ka publike të gjitha kontratat që ka marrë, si në “Open Procurement”, Unipharma s’ka asgjë. Vetëm fitimet janë të reflektuara në faqen e tyre të “OD”.

Kompania ka nisur në 2017 me humbje, 5.7 milionë lekë të vjetra. Gradualisht është rritur dhe në vitin 2022, ka fitim 760 mijë euro. Pra nga minus, për 6 vite ka shënuar fitime marramendëse. Por si?

BIZNESI e ardhmja e ish-politikanit

Po në tetor, në 2015, Gaçi që tashmë po merrte fitime të kënaqshme nga kompania e farmaceutikës, krijoi “AG.TÇ”, e cila do të shërbejë për 2 raste investimesh të ish-deputetit socialist. Në fushën e veprimtarisë së saj, kjo kompani parashikon import-eksoporte dhe INVESTIME NË HOTELERITURIZËM. Kjo e fundit është fjala kyçe. E njëjta kompani është ajo që ka marrë tokën në plazhin e Gjilekës në Himarë duke e kthyer Gaçin në investitor strategjik të vendit. Pra në 2015 u hap kompania.

2 vite më pas, më 26 shkurt 2020, Stavri Mëhilli shiti pronën tek kompania e Artan Gaçit për 120 milionë lekë të vjetra, pra për 21 mijë lekë të vjetra/metri. Përtej procedurës që është e dyshimtë dhe po hetohet edhe nga SPAK, me rëndësi është fakti që në 2022, Qeveria vendosi që t’i jepte në përdorim për 30 vite pronën në plazhin e Gjilekës, një kompanie amerikane. Paratë ndërkohë i kishte paguar Gaçi, por edhe me këtë kompaninë amerikane nuk ishin të panjohur. “AGTÇ Hotel Management” në regjistrin kombëtar të bizneseve rezultonte në pronësi të Tawni Lin Grzych-Sutton, një shtetase 30-vjeçare nga Masaçusets i SHBA, por kishte dhe leje qëndrimi në Shqipëri. E reja nga Amerika është e dashura e vëllait të Olta Xhaçkës, bashkëshortes së Gaçit. Pra me pak fjalë, biznes familjar. Edhe për emrin e kompanisë amerikane nuk u lodhën shumë ta mendojnë, thjesht “AG.TÇ” së Gaçit, i hoqën pikën nga emri dhe “voilà”…gjithçka gati!

Biznesi po ecte mirë dhe me fitimet, siç bën çdo sipërmarrës i mirë, Artan Gaçi vendosi që të investonte sërish. Kësaj here, pranë bashkëshortes. Në kohën kur Olta Xhaçka garoi në Korçë e Kolonjë në vitin 2021, Gaçi pa të udhës të ngrinte një hotel të rrallë, përrallor në Leskovik.

“Korça, Familja ime. Rikthim tek rrënjët e mia, tek origjina e fëmijëve të mi. Në Korçë nga sot, për të vijuar projektin e së ardhmes me Nikon dhe ekipin e një qarku përherë fitues. E privilegjuar që këto zgjedhje do punoj me Erjonin në Kolonjën fisnike, ku nuk ka kohë për pushim, për vijimin e punëve të mira të nisura,”-shkruante socialistja në nisje të fushatës, gjatë së cilës duket se paska bërë më shumë se thjesht qarjen e halleve të qytetarëve, të cilëve u kërkoi votën. Ka pasur kohë që të inspektojë Leskovikun, vendin ku i shoqi ka ngritur një kështjellë në mes të askundit.

Më 23 janar 2023, Artan Gaçi themeloi “Melesin”.

'Follow the money'/ Artan Gaçi ndërtoi
Se me çfarë burimi u ndërtua ky objekt, kjo është e panjohur për publikun, së paku nga informacionet që kemi filtruar në kërkimin tonë online. Melesin nuk është një hotel restorant i thjeshtë.

'Follow the money'/ Artan Gaçi ndërtoi
Kushdo që kërkon për të, gjen shumë pak informacion. Mënyra e vetme për të rezervuar është “booking”, pasi ky hotel nuk është i reklamuar as në Instagram dhe në asnjë kanal tjetër social.

'Follow the money'/ Artan Gaçi ndërtoi
Pak e çuditshme kjo për një objekt të ndërtuar me qëllime biznesi e që do të duhet të kishte fokus klientelën.

'Follow the money'/ Artan Gaçi ndërtoi

'Follow the money'/ Artan Gaçi ndërtoi

Si ka mundësi që investohen kushedi sa para për të ngritur një biznes, të cilin e fsheh në një skutë, kur në fakt duhet të ndodhë e kundërta!

Këto pyetje, ende pa përgjigje rëndojnë mbi dyshen Xhaçka-Gaçi, ndërsa ZËRI iu ka dërguar disa herë një kërkesë për informacion, por ende deri në botimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë një përgjigje. Është e çuditshme pasurimi i të dyve, në një kohë kur në të dyja deklaratat e dorëzuara në ILDKPKI, çifti rezulton pa një pasuri të konsiderueshme që do të justifikonte ndërtimin e një hoteli me vlerë disa milionë euro.

Por teksa e gjithë vëmendja tashmë është mbi resortin që Gaçi është duke ndërtuar në Himarë, ku është deri më tani i përjashtuar nga dosja që çoi në arrestimin e Jorgo Goros, të gjithë jemi të habitur. Si u pasuruan Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi në këto vite?/ZËRI.al

Artikulli paraprak“Situata në 4 komunat në veri është e qetë, por e brishtë”- Zveçla: Vendimet si ai për Dinarin, janë normale për një vend që aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s
Artikulli tjetërTë shtënat në drejtim të kryetarit të Komunës në Maqedoninë e Veriut, policia jep detaje: Janë plagosur dy personat që e shoqëronin (EMRAT)