“Follow the Money” / Hetimi i Berishës, i hap rrugë hetimit pasuror të Metës dhe Ramës. Politika shqiptare në një konfigurim të ri pas punës së SPAK

Hetimi i nisur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha shënon një kthesë të rëndësishme në drejtësinë shqiptare dhe në mënyrën se si trajtohet pasuria dhe aktivitetet financiare të politikanëve dhe familjarëve të tyre.
Ky proces, i nxitur nga puna e vazhdueshme e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), nuk duhet të kufizohet vetëm te Berisha.

Me të njëjtën intensitet, hetimi duhet të shtrihet edhe ndaj figurave të tjera kyçe të politikës shqiptare, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin aktual Edi Rama.
Çështja “Follow the Money” përfshin ndjekjen e gjurmëve financiare të individëve që kanë mbajtur poste të larta shtetërore, për të zbuluar nëse pasuritë e tyre janë të justifikuara ose të krijuara në mënyrë të paligjshme.

Në rastin e Berishës, hetimi po shqyrton pasuritë e familjarëve të tij të afërt, ndërkohë që ky veprim krijon një precedent të rëndësishëm, që i hap rrugën hetimeve të ngjashme edhe për Ilir Metën, i cili prej kohësh ka qenë nën dyshime për korrupsion dhe pasurim të paligjshëm.

Por ajo që po bëhet gjithnjë e më e qartë është se, pas Berishës dhe Metës, edhe kryeministri aktual Edi Rama dhe rrethi i tij familjar do të jenë në fokusin e hetimeve.

Në mungesë të një vullneti për të ndryshuar klasën politike shqiptare, SPAK po punon drejt një rikonfigurimi të plotë të skenës politike shqiptare, ku askush prej dinasaurëve të korrupsionit nuk do të ngelet i paprekur.

Pasuria dhe burimet financiare të Berishës, Metës dhe Ramës, do të kalojnë në filtrin e drejtësisë, duke dhënë kështu mesazhin se koha kur pushteti i mbronte nga ndëshkimi ka përfunduar.

Hetimi pasuror i Edi Ramës dhe familjarëve të tij do të jetë qershia mbi tortë për të zhbërë perceptimin e gënjeshtërt që drejtësia punon e dirigjuar nga politika, ndërkohë që do të vendoset një standard i ri, që do të vlejë shumë për të ardhmen e këtij vendi./ Nga Namir Lapardhaja

Exit mobile version