Fondet e BE-së, Qeveria dështon në mbledhjen e parave të keqpërdorura në programin IPARD

Nga Dallandyshe Xhaferri/ shteg.org

Vetëm me dy vite “karrierë” në agroturizëm, Elvis Roshi, ish-kryetari socialist i Bashkisë së Kavajës, ia doli të nënshkruante dy kontrata me vlerë rreth 300 mijë euro nga fondi i Bashkimit Evropian në kuadër të mbështetjes së fermerëve në Ballkan.

Roshi, i larguar nga politika për shkak të së shkuarës së tij kriminale, përfitoi mbështetje financiare nëpërmjet Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) që zbaton programin e mbështetjes së fermerëve në Shqipëri, IPARD. Sipas të dhënave zyrtare, ai është një ndër 435 subjektet përfituese.

Projektet e financuara nga agjencia ishin grante të financuara 75% nga fondet e BE-së dhe 25% nga fondet e Buxhetit të Shtetit.

Me zbatimin e projekteve shumë fermerë e panë veten të përjashtuar nga skema, ndërsa përfitues “të privelegjuar“ si Roshi ishin të shumtë.

Të përjashtuarit iu drejtuan Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit Ekonomik, OLAF, e cila në qershor të 2021-shit nisi një proces hetimor në Shqipëri.

OLAF-i zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve dhe i rekomandoi BE-së të ndalojë programin IPARD III me vlerë 112 milionë euro “deri sa të merren masat për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale”.

Pas skandalit, AZHBR-ja duket se nisi një proces auditi të projekteve të financuara.

Pas shkeljeve të konstatuara, agjencia iu kërkoi 159 subjekteve kthimin e fondeve të akorduara me argumentin se nuk kishin përmbushur kriteret kontraktuale për investime në zonat rurale.

Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se deri në dhjetor të vitit 2024 agjencia ka “dështuar” në nismën e saj të grumbullimit të parave, ndërsa është përballur edhe me padi të shumta gjyqësore.

Procedurat e ndjekura nga shteti shqiptar po ndiqen me vëmendje nga delegacioni i BE-së në Shqipëri, i cili pret marrjen e përgjegjësisë për keqpërdorimin e fondeve.

E vendosur nën këtë presion, Ministria e Financave ka hapur një tender me një vlerë prej rreth 400 mijë eurosh nëpërmjet të cilit pret të identifikojë abuzuesit me fondet e BE-së.

Fonde të BE-së për stallën e kuajve të Roshit

Stalla e kuajve e ndërtuar nga Elvis Roshi
Credits: shteg.org – Stalla e kuajve e ndërtuar nga Elvis Roshi

Një shtëpi trekatëshe, e rrethuar nga mure të larta, të ngjyrosur bezhë dhe gri, me sistem zjarrfikës, rrethuar me kamera sigurie është pamja e shtëpisë së ish-Kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi.

Pikërisht në shtëpinë e tij janë implementuar dy prej projekteve të programit IPARD.

Në vitin 2021 Roshi, i cili dy vite më parë kishte hapur një kompani me fokus edhe bujqësinë, e quajtur “Kavaljon”, fitoi nga AZHBR-ja një kontratë me vlerë rreth 85 mijë euro për ndërtimin e një sere diellore.

Në të njëjtin vit, në një aplikim të dytë me emrin “Rikonstruksion Bujtine”, Roshi mundi të nënshkruante kontratën me vlerën prej 219 mijë eurosh.

Kërkimet disaditore të “shteg.org” nuk mundën të gjenin as zyrat e kompanisë “Kavaljon”, as serën dhe as bujtinën, për të cilat dokumentet thonë se janë mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian.

Të vetmin fakt që “shteg.org” mundi të mësonte ishte se në këtë adresë Roshi ka ngritur një stallë ku mban 5 kuaj race për të cilët organeve ligjzbatuese u ka shpjeguar se i ka blerë me çmim të ulët.

Projektet e zbatuara kanë si adresë të tyre Rrugën e Metalikës, e cila në google maps rezulton me emrin “Ceno Kavaja”, pranë burgut të të miturve. Në këtë adresë vendasit shpjegojnë se është një nga banesat e ish-kryebashkiakut, por përsa i përket bizneseve të tij, ata të orientojnë në drejtime të ndryshme, shpeshherë në drejtim të kundërt me njëri-tjetrin.

“Ah! Doni kompaninë e Rroshit…po nuk e keni këtu, e gjeni në Golem. Është shumë i bukur, hotel luksoz” – thotë njëri prej banorëve të Kavajës për hotelin “Supreme”, ndërkohë që emri “Kavaljon” qytetarëve nuk u thotë asgjë.

Credits: shteg.org – Hotel “Supreme”, Golem

Sipas kontratës që Roshi ka nënshkruar më 5 prill të vitit 2021 me Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ai do të ndërtonte serat diellore për kultivimin e argumeve në një sipërfaqe prej 2000 metrash katrorë.

Punimet për realizimin e serës diellore ishin parashikuar të mbaronin në tetor të vitit 2022, por inspektimet e kryera prej AZHBR-së treguan se punimet jo vetëm nuk ishin realizuar, por ndodheshin ende në “fazën e punimeve të fshehta”,  përcaktim ky që broshurat e këtij institucioni i japin rasteve kur punimet kanë nisur.

“shteg.org” nuk mundi të gjejë asnjë serë të ndërtuar në adresat e dhëna nga Roshi për implementimin e projektit.

“Verifikimi është kryer në adresën me zonë kadastrale nr 8551, numër pasurie 6/393;6/393 Nd1”, – thuhet në përgjigjen që “shteg.org” mori nga AZHBR-ja. Edhe këto koordinata sërish të çonin në prona të zotëruara nga Roshi.

Pamjet satelitore tregojnë sipërfaqe të mbuluara të ngjashme me sera që përkojnë pikërisht me një nga banesat e familjes Roshi.

Credits: Google Maps – Pamje satelitore ku tregohen serat në adresën e vendosur prej Rroshit

Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se 1 vit para përfitimit të fondeve të BE-së Roshi ka siguruar një leje ndërtimi nga bashkia lokale po për të njëjtin objekt, por sipërfaqja e ndërtimit është dyfish më e madhe sesa fliste kontrata me AZHBR-në.

Në shkurt të 2022-shit, pasi i kishte fituar grantet e AZHBR-së, këtë sipërfaqe toke prej 4000 m2, Rroshi ia jep me qira kompanisë “Kavaljon”, e zotëruar sipas regjistrit kombëtar të Qendrës së Biznesit po nga Rroshi.

Kompania është themeluar në vitin 2019 dhe ka adresë të ngjashme me projektet që AZHBR-ja ka verifikuar në terren.

Për mosrealizimin e projektit të serave, më 2 shtator të 2022-shit AZHBR-ja i kërkoi Roshit rikthimin e fondeve në një vlerë prej 4.2 mijë eurosh.

Me të rikthyer shumën e parave, me pretendimin se punimet ishin ngadalësuar për shkak të vonesave në procedurat zhdoganuese, Elvis Roshi në tetor të 2022-shit paditi insitucionin e tij “bamirës” duke i kërkuar gjykatës shfuqizimin e kërkesës së Agjencisë.

Dy vite më vonë, pas hetimit gjyqësor, gjykata rrëzoi pretendimet e ngritura nga Roshi nëpërmjet kompanisë “Kavaljon” duke argumentuar: “kompania ka dalë tej parashikimeve të kontratës, duke mos treguar kujdesin e nevojshëm dhe sjellje korrekte ndaj të paditurit (AZHBR-së)”.

Ky nuk është problemi i vetëm që “shteg.org” ka konstatuar me implementimin e projekteve të BE-së që u fituan nga ish-kryetari i Bashkisë Kavajë.

“shteg.org” nuk mundi të gjente asnjë bujtinë të Roshit, edhe pse në vitin 2021 ai nënshkroi me AZHBR-në kontratën me vlerë 219 mijë euro, subjekt i së cilës ishte “Investim në rikonstruksionin objekti me destinacion njësi akomodimi – bujtinë me mëngjes dhe stil tradicional në zonën rurale të Kavajës”.

Nga dokumentat që “shteg.org” disponon rezulton se më 8 tetor të vitit 2020 Roshi është pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia e Kavajës. Kompania “Kavaljon” si zhvillues do të rikonstruksiononte katin e parë të një godine dykatëshe në dhoma hotelerie, në Rrugën e Metalikës në Kavajë.

Rikonstruksioni do të përfundonte brenda 12 muajve në zonën kadastrale numër 8551 me numër pasurie 6/393.

Bëhet fjalë po për të njëjtën pronë që Roshi ia kishte kaluar kompanisë së tij me qira më 30 qershor të vitit 2020, si dhe për të njëjtën zonë kadastrale të kontrolluara nga AZHBR-ja.

Roshi dhe AZHBR-ja deri në publikimin e këtij shkrimi nuk komentuan gjetjet e “shteg.org”, por ai nuk është i vetmi që është detyruar të kthejë fondet e BE-së për shkak të mosrealizimit të projekteve.

Sipas të dhënave zyrtare, nga 435 subjekte që kanë përfituar fonde gjatë periudhës 2014-2020, rreth gjysës së tyre i është kërkuar nga AZHBR-ja kthimi total ose i pjesshëm i shumës së fituar si grant në kuadër të programit IPARD.

Të dhënat tregojnë se nga 159 subjekte, 84 prej tyre kanë kthyer shumë e grantit ndërsa të tjerë kanë vepruar si Roshi, duke paditur AZHBR-në në gjykatë.

“17 subjekte i janë drejtuar gjykatës për të kundërshtuar kërkesën e agjencisë për rikthimin e fondeve, ndërsa 51 subjekte janë paditur nga kjo agjenci pasi kanë refuzuar kthimin mbrapsht të fondeve.

Rikthimi i fondeve “lufta e humbur” për AZHBR-në

Financimet e BE-së

Vasillaq Xhufka është njëri prej përfituesve të paraqitur në broshurën e suksesit të ndihmës së IPARD-it me vlerën e 60 mijë eurove.

Në shkurt të 2021-shit Xhufka përfitoi projektin për ndërtimin e një restoranti agroturizmi në Boboshticë të Korçës. Projekti duhej të përfundonte në dhjetor të të njëjtit vit, por nga hetimet rezultoi se Vasillaq Xhufka rezulton ndër subjektet që duhet të kthejnë fondet për shkak të mospërmbushjes së kritereve të kontratës së nënshkruar me AZHBR-në.

Ai është në listën e 51 proceseve gjyqësore që AZHBR-ja ka hapur në gjykatën e Tiranës pasi subjektet kanë refuzuar të kthejnë paratë e përfituara.

Vasillaq Xhufka nuk është i vetmi rast që broshurat e institucionit e paraqitën si rast suksesi para nisjes së hetimeve.

Rikonstruksioni i shtëpive tradicionale në jug të vendit ishte një tjetër projekt që synonte zhvillimin e turizmit në rivierën shqiptare.

Sipas dokumenteve zyrtare, “Coast to Coast” përfitoi rreth 204 mijë euro grant për restaurimin e 5 banesave në fshatin Dhërmi dhe shndërrimin e tyre në bujtina me 24 shtretër.

E themeluar në vitin 2009 nga Florenc Gjikuria dhe Jorgji Ruci, “Coast to Coast” ka ndërruar disa herë ortakë që nga ajo kohë. Madje në një moment, aksioner i saj ka qenë dhe Besnik Dervishi, ish-zyrtar i lartë i shumicës, aktualisht në postin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Shoqëria që aktualisht ka pronar me 100% të aksioneve, Xheni Gjikurian, mori statusin “investitor strategjik” në vitin 2021, por është në listën e kompanive që duhet të kthejnë paratë dhe e paditur nga ky institucion.

AZHBR-ja nuk saktëson se çfarë kushtesh ka shkelur kompania, por konfirmoi zyrtarisht se ka kërkuar kthimin e parave dhe hapjen e padisë gjyqësore.

Dokumentet zyrtare tregojnë se AZHBR-ja e nisi procesin e verifikimit dhe hapjen e padive gjyqësore pas hetimeve të nisura nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit Ekonomik, OLAF.

Credits: shteg.org – Faksimile e raportit të OLAF-it

Të dhënat e siguruara nga “shteg.org“ tregojnë se deri në dhjetor të vitit të kaluar, 2024, AZHBR-ja u ka kërkuar kompanive të gjetura një shkelje kontraktuale në vlerë prej 13.7 milionë eurosh.

Në arkën e këtij institucioni, deri në dhjetor 2024 janë rikthyer vetëm 1.7 milionë euro.

Në vitin 2018 Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri u akreditua për Programin IPARD II, për të shpërndarë grante përmes buxhetit me vlerë 94.6 milionë euro, prej të cilave 71 milionë euro janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë kontribut kombëtar nga shteti shqiptar.

Nga ky fond pritej të përfitonin fermerët, të cilët do të ishin në gjendje të paraqisin pranë AZHBR-së projekte që kishin si fokus zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe agroturizmit.

Në përputhje me këtë kriter, shumë prej kompanive që dolën përfituese nga ky institucion rezultonin kompani të sapokrijuara, objekti i së cilave përfshinin edhe bujqësinë.

Shumë shpejt nga zbatimi i projektit, fermerët realë e panë veten të përjashtuar nga programi IPARD, ndërkohë që Zyra Evropiane e Kontrollit Ekonomik nisi edhe një proces auditimi për të mësuar se si ishin shpëndarë në Shqipëri fondet e BE-së.

Sipas një raporti të publikuar nga Komisioni Evropian në korrik të 2023-shit, Shqipëria renditej ndër vendet e para ku ishin konstatuar parregullsi të mëdha në zbatimin e programit IPARD.

Gjetjet e OLAF-it tregonin se projektet e identifikuara si “problematike” arrinin në vlerën e 39 milionë eurove në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, ndërkohë që Shqipëria zinte pjesën më të madhe të parregullsive duke shkuar në 33 milionë euro.

Fermeri që “zgjoi” OLAFIN

Credits: Facebook – Romeo Nazarko në Kolonjë, në parcelën ku ka mbjellë gështenja

Romeo Nazarko, edhe pse me profesion inxhinier gjeodet, vendosi të merrej me pemëtari. Mori me qira një sipërfaqe prej 23 hektarësh në Bashkinë Kolonjë dhe plani i tij ishte të mbjillte pemë arrore. Këtë projekt, inxhinieri gjeodet i kthyer në fermer, e shihte si një mundësi punësimi për banorët e zonës, të cilët për shkak të papunësisë i janë drejtuar prej vitesh emigrimit.
Në janar të 2019-s, Nazarko dorëzoi projektin e tij në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ku për planin e tij kërkonte një fond prej 300 mijë eurosh.

Tetë muaj pas aplikimit Nazarko mori përgjigje negative nga agjencia, e argumentuar me mungesën e dokumentacionit të duhur sa i përket kontratës së qirasë së sipërfaqes së tokës ku gjeodezi kishte ndërmend të zbatonte projektin e tij.

I bindur se kishte plotësuar gjithçka në rregull, Nazarko i kërkon më 10 shtator 2020 AZHBR-së rishikimin e vendimit.

“Në vazhdën e politikave që orienton dhe qeveria kam plotësuar një dosje, e cila vlen të theksoj që është e kompletuar në të gjitha pikat të cilat janë kërkuar nga AZHBR”, – shkruante Nazarko në kërkesën drejtuar AZHBR-së, ndërkohë që sqaronte se në mënyrë të përsëritur kishte vendosur në dosjen e aplikimit deklaratën noteriale të qiramarrëses së tokës nga Bashkia Kolonjë, ku ndër të tjera ishte shtuar dhe koha prej 12 vjetësh.

AZHBR-ja pretendonte se kontrata e qirasë që Nazarko kishte lidhur, ishte e papranueshme nga kriteret e vendosura për përfitimin e granteve të IPARD-it.

Këtu nisi dhe “lufta” trevjeçare e 44-vjeçarit me institucionet shqiptare dhe Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Gjatë viteve 2020-2023 Nazarko ka dërguar dhjetëra shkresa për padrejtësinë e mohimit të marrjes së grantit të IPARD-it. Pesë prej tyre i drejtoheshin AZHBR-së, katër Kryeministrisë, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Në këto shkresa, Nazarko përgënjeshtronte pretendimin e AZHBR-së për refuzimin e financimit, si dhe kërkonte ngritjen e një grupi hetimor pasi zvarritja e procesit po shtonte kostot financiare të projektit të tij.

“Kërkoj ngritjen e grupeve të auditimit, si dhe hetimin e shkakut të mosveprimit nga punonjësit e AZHBR-së, pasi nga kjo përpjekje për të më sjellë vërdallë deri në pafundësi, po më shkaktojnë një dëm financiar, pasi kam 2 vjet që paguaj qiranë e tokës në Bashkinë Kolonjë dhe nuk mund të filloj punimet paraprakisht sipas programit IPARD…” – i shkruante ai delegacionit të BE-së.

Por 44 vjeçari nuk u mjaftua me kaq. Nazarko tregon për “shteg.org” se ka arritur të kontaktojë me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit Ekonomik. Nëpërmjet një e-mail-i ka parashtruar arsyen përse nuk e kishte fondin e IPARD-it.

“U kam drejtuar pesë pyetje. Kam parashtruar kërkesën time, si dhe përse nuk fitova projektin dhe mendoja se në këtë sektor kishte korrupsion. Nëse OLAF-i nuk do të ndërhynte, atëherë ai do të ishte pjesë e korrupsionit” – tha ai.

Nazarko nuk është i vetmi që ka dhënë dëshminë e tij për hetuesit e OLAF-it. Të tjerë aplikantë kanë dëshmuar histori të ngjashme më të.

Sipas Nazarkos, hetimet e OLAF-it në Shqipëri nisën në qershor të 2021-shit dhe tre vjet më vonë, sipas njoftimit për shtyp, hetimi i tyre zbuloi se aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të lartë të grantit tek kompani konsulence “të parapërzgjedhura”, të cilat lehtësonin realizimin e kontratave me Agjencinë Shqiptare për Zhvillim Rural, e cila shpërndante fondet.

“Pas një serie hapash hetimore, përfshirë kërkime forensike digjitale të dokumenteve të lidhura me përfituesit e IPARD II, AZHBR dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF-i zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve,” thuhet në njoftim.

OLAF-i i ka rekomanduar Komisionit Evropian që të shpallë thirrjet një dhe dy të programit IPARD II si të pavlefshme, si dhe të ndalojë programin IPARD III me vlerë 112 milionë euro “derisa të merren masa për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale”.

Dy vjet pas këtij rekomandimi, më 19 korrik 2023, Komisioni Evropian zyrtarizoi ndërprerjen e përkohshme të rimbursimeve ndaj Shqipërisë në kuadër të programit “IPARD II”.

Skandali me fondet e Bashkimit Evropian e detyroi edhe Prokurorinë e Posaçme të regjistrojë një procedim penal më 28 shtator 2023.

Nazarko tregon se është thirrur nga SPAK-u ku ka treguar historinë e tij, por ende nuk ka dijeni për vazhdimësinë e hetimeve.

Të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se hetimet janë ende në fazën paraprake dhe ende nuk ka një person apo zyrtar të lartë të proceduar penalisht për këtë aferë.

“Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake për këtë arsye, bazuar ne nenin 103 të K.Pr.Penale nuk mund ndajmë asnjë informacion me median pasi përbën sekret hetimor”, – konfirmoi për SHTEG-un zyra e shtypit të SPAK-ut.

Përtej hetimeve, fondet e IPARD II qëndrojnë të ngrira për Shqipërinë.

Zyra e BE-së në Tiranë është në pritje të qeverisë shqiptare të marrjes së hapave konkrete për skandalin e abuzimit të fondeve.

“Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje” – tha për “shteg.org” zyra e Delegacionit të BE-së.

Delegacioni duket se është në pritje të një raporti auditimi që qeveria shqiptare ka marrë përsipër të realizojë sa i përket projekteve të  IPARD-it.

Madje, dokumentet tregojnë se Ministria e Financave ka hapur procedurat e një tenderi me vlerë rreth 400 mijë euro, ku kërkon një auditues për hetimin e granteve të dhënave nga AZHBR-ja në kuadër të mbështetjes së BE-së për Shqipërinë.

Programi që “shkatërroi” ëndrrat e fermerëve

Credits: Dallandyshe Xhaferri – Fermeri Dashamir Çela

Me çizme prej llastiku dhe i veshur me kominoshe të gjelbra, teksa hedh në hambar bar për 300 dhitë e tij, Ignat Vatnikaj thotë me buzëqeshje se gjatë 33 viteve të jetës së tij ka qenë mjaft i lidhur me punët e fshatit, veçanërisht me blegtorinë.

“Familja ime është marrë gjithnjë me rritjen e bagëtive dhe unë këtë pasion e kam trashëguar nga babai”, – thotë 33-vjeçari nga Ndroqi, duke mos harruar të tregojë dhe sfidat e përditshme të një fermeri.

Ajo që i mungon dhe e ka ëndërr Ignati është ndërtimi i një stalle moderne. Fondet e IPARD-it duket se ishin pikërisht për të, jo vetëm të rriste aktivitetin e tij, por dhe të siguronte një strehë të mirë për gjënë e gjallë. Por kërkesat e tij janë refuzuar për mungesë dokumentacioni.

“Kam aplikuar më parë për të përfituar nga fondet e IPARD-it, por nuk miratua pasi kërkoheshin shumë dokumente. Na prishi shumë punë sepse do të kishim mundësi të bënim investime fitimprurëse dhe do të lehtësonim punën tonë”, – thotë ai duke shtuar se pas mosmiratimit të aplikimit të parë, u dorëzua dhe aplikon vetëm për të përfituar si fermer në Skemën Kombëtare të Mbështetjes së Fermerit.

Por, ndryshe nga Ignati, Dashamir Çela nuk u dorëzua lehtë për të realizuar ëndrrën e tij si fermer, ndonëse përfundimi ishte i njëjtë: nuk mundi të përfitonte nga fondet e IPARD-it.

14 vite më parë, Çela u rikthye nga Holanda për të realizuar ëndrrën e tij: ndërtimin e një ferme me standardet e Bashkimit Evropian në fshatin Samaticë të Beratit. Megjithatë, plani i tij për t’u rikthyer në atdhe dhe për të investuar në bujqësi nuk shkoi siç mendoi kur iu desh të përballej me burokracinë shtetërore.

“Aplikova për të marrë fonde nga projekti i IPARD-it. Për të bërë dokumentet, projektin, lejet shpenzova mbi 25 mijë euro, por një leje e munguar nga Bashkia Berat bëri që të mos isha fitues i projektit”, – thotë fermeri 43-vjeçar për “shteg.org” ndërkohë që thekson se kjo leje iu mohua padrejtësisht.

“Gjatë kohës kur unë aplikova për lejen e ndërtimit duhej që stalla të ndërtohej 500 metra larg qendrave të banuara. Por, në praktikë kjo gjë është e pamundur pasi në Shqipëri me 500 metra distancë ti shkon në fshat tjetër” – shton ai duke treguar se pavarësisht këtij argumenti, ai mori dhe një kredi për realizimin e projektit të tij.

Exit mobile version