Fondet e Rindërtimit/ Rama-Veliaj pasurojnë klientët, kompania e Gjicit e para në listë, përfiton 1.35 miliardë lekë

Edhe në programin e Rindërtimit, pas tërmetit të nëntorit 2019, qeveria dhe Bashkia janë kujdesur që  t’ja japin fondet një grupi klientësh pranë tyre, duke shpërfilluar të tjerë kompani, që ndonëse i plotësojnë kriteret teknike, nuk janë mjaftueshëm të afert me pushtetin. Përfituesja me e madhe e fondeve të Rindërtimit, rezulton kompania e krijuar nga kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, me 1.35 miliardë lekë, ndërkohë që kompania e dytë dhe e tretë në listën e përfituesve janë kontraktuar nga Bashkia e Tiranës.

Gjjithsej, Qeveria shqiptare ka shpenzuar 21.8 miliardë lekë ose 175.5 milionë euro për programin e rindërtimit nga marsi i vitit 2020 e deri në maj të këtij viti. Por pjesa më e madhe e këtyre parave rezulton se janë shpërndarë në disa kompani. Sipas të dhënave të përpunuara nga Open Data Albania, kompania e paguar më shumë dhe në krye të renditjes është Kevin Construction me 1.35 miliard lekë, të cilat i ka marrë në disa kontrata e vetme ose në bashkëpunim. Ky subjekt është themeluar në vitin 2006 nga Safet Gjici dhe sot administrohet nga vëllai i tij, Lavdërim Gjici.

Në bazë të të dhënave të grumbulluara nga Open Data, programi i rindërtimit i ka dhënë kompanisë Gjikuria Shpk, 778.9 milionë lekë. Firma “GJIKURIA” shpk është një ndër më të preferuarat e Qeverisë Rama. Janë të panumërta tenderat që kjo kompani e drejtuar nga Florenc dhe Milo Gjikuria kanë marrë nga administrata publike, ku mund të përmenden tenderi për rrugën Orikum-Llogara dhe ndërhyrjet në “Parkun Natyror” të Himarës, duke rrënuar “Deltën e Palasës”, përmes hapjes së kanaleve dhe marrjes së gurëve e zhavorrit. Vetëm gjatë vitit 2020, kjo kompani, ka  përfituar 13,3 milionë euro si fituese e tenderave nga ARRSH-ja, FZHSH-ja apo Bashkia Himarë.

Ndërkohë një tjetër firmë që ka marrë fonde për procesin e Rindertinit, është G. P. G Company më shumë se 695 milionë lekë. Për hartimin e projektit dhe zbatimin e punimeve në zonën e 5 Majit në Tiranë bashkimi i operatorëve Alb Shpresa, Alb Tiefbau, Egeu Stone, Mela dhe Infratech shpk kanë fituar dy kontrata me vlerë 660.8 milionë lekë. Sipas analizës së Open Data, renditja vijon me bashkimin e operatorëve Kronos Konstruksion, Everest dhe Arb&Transa shpk me vlerë 642.7 milionë lekë.

Sërish kontraktori rezulton Bashkia Tiranë, i cili u ka dhënë këtyre subjekteve këtë total në dy kontrata për zonën e Kombinatit dhe ndërtimin e disa godinave. Ekzistojnë 37 transaksione që kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve kundrejt kompanive, ndërkohë që pjesa tjetër janë kryesisht shoqëri që janë angazhuar në hartime projekti apo kanë ende pak para të të arkëtuara./ShijakTv

Exit mobile version