Së bashku me premtimin e qindra milionë eurove për rindërtimin pas tërmetit, institucionet ndërkombëtare i kanë vendosur qeverisë shqiptare një sërë standardesh që ajo duhet të respektojë për marrjen dhe përdorimin e fondeve.
Komisioni Europian, Banka Botërore (BB), Banka Europiane e Investimeve (BEI), Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, kanë përgatitur një dokument Deklarim Qëllimi të firmosur prej tyre nga njëra anë dhe që pritet të firmoset nga qeveria shqiptare nga ana tjetër, në të cilin parashtrohen parimet mbi të cilat do të jepet dhe duhet të përdoret ndihma.
Exit News sjell më poshtë pikat kryesore të dokumentit të parimeve që institucionet perëndimore i kanë kërkuar qeverisë të firmosë, të përmbledhura për lehtësi komunikimi.
Koordinim të programeve dhe barazi
Qeveria duhet të hartojë një program kombëtar për rindërtimin, i cili do të sigurojë koordinimin e nismave ndërkombëtare e kombëtare dhe zbatimin e standardeve të barazisë, pavarësisht burimit të fondit. Ky program duhet të mbështetet në politika të qarta dhe plotësisht të zbatueshme.
Zbatim, prokurim, dhe monitorim të qartë të fondeve
Qeveria duhet të përcaktojë qartë përpara se të lëvrohen fondet, procedurat për tenderat, menaxhimin financiar, auditimin dhe monitorimin e shpenzimeve të fondeve. Duhet të dakordësohen rregulla të qarta zbatimi, me përgjegjësi të përcaktuara dhe koordinim efektiv mes të gjitha niveleve, përfshi qeverinë dhe pushtetin lokal.
Zbatimi mund të drejtohet nga një agjenci për rindërtimin e banesave, me hierarki dhe përgjegjësi të qarta vendim-marrëse. Procedurat e prokurimit, menaxhimit financiar, auditimit dhe monitorimit duhet të përcaktohen paraprakisht.
Transparencë në përdorimin e fondeve
Qeveria duhet të publikojë online në mënyrë të rregullt e të vazhdueshme treguesit e monitorimit, afatet kohore dhe fluksin e fondeve.
Llogaridhënie për përdorimin e fondeve
Qeveria duhe të japë llogari në mënyrë të vazhdueshme për përdorimin e fondeve. Të ketë një strategji të qartë komunikimi dhe një mekanizëm për shqyrtimin e ankesave.
Barazi dhe transparencë në përzgjedhjen e përfituesve
Qeveria duhet të bëjë publike dhe të aksesueshëm nga qytetarët projektet dhe detajet e çdo vendimmarrje për rindërtimin. Kriteret për përzgjedhjen e përfituesve duhet të jenë të qartë dhe t’i nënshtrohen mekanizmave të pavarur të verifikimit.
Të prioritizohen burimet publike në mënyrë të tillë që në fillim të përfitojnë familjet në nevojë, si dhe të mos ketë diskriminimit racor dhe gjinor gjatë procesit.
Pjesëmarrje të përfituesve në vendim-marrje
Programi për rindërtimin e banesave duhet të ketë në qendër përfituesit, pronarët e banesave apo pallateve, duke siguruar pjesëmarrjen efektive të tyre përmes mekanizmave konsultues.
Çmime të ndershme në ndërtim
Qeveria duhet të sigurojë që gjatë procesit të rindërtimit çmimet e materialiave të ndërtimit të jenë të drejta e të qendrueshme.
Standarde europiane në ndërtim
Të hartojë dhe përmirësojë kuadrin ligjor për nxitjen e ndërtimeve të qendrueshme, përdorimin e standardeve ndërtimore të BE-së, kontrollin e cilësisë së ndërtimit, sigurimin e banesave ndaj rreziqeve, paraqitjen e projekteve studimore mbi kohëzgjatjen dhe qendrueshmërinë.
Rindërtimi i banesave duhet të mbështesë qëllime më të mëdha të zhvillimit urban, banesat e rindërtuara duhet të kenë standarde moderne, të jetë me nivel të ulët karboni, të ruajnë mjedisin.
Respektimi i standardeve mjedisore
Qeveria duhet të menaxhojë dhe zvogëlojë ndikimet e mundshme negative në mjedis gjatë shembjeve dhe ndërtimeve të reja, ose të planeve të reja urbanistike.
Ajo duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë menaxhimit dhe riciklimit të mbetjeve gjatë procesit të rindërtimit