Forbes: Shqipëria në grupin e vendeve jo të preferuara për të bërë biznes

Revista prestigjioze “Forbes” ka renditur 153 ekonomi të ndryshme të botës në të bërit biznes, dhe i referohet vitit të ardhshëm. Pra, ky indikator shërben si kartolinë për secilën prej këtyre ekonomive për investitorët e huaj. Shqipëria renditet në vendin e 71-të në botë, e parafundit në rajon, duke qenë se lë pas Bosnje Hercegovinën. Një vit më parë, Shqipëria renditej e 61-ta në botë, por duke qenë se, këtë vit “Forbes” ka ndryshuar tërësisht metodologjinë e përpilimit të këtij indeksi, krahasimi me vitet e shkuara është i kotë. Në renditjen e këtij viti, nuk parashikohet performanca e tregut të aksioneve, ndërkohë që është shtuar performanca e tregut të punës, infrastrukturës, cilësisë dhe madhësisë së tregut, kënaqësisë së jetesës, varfërisë, etj. Praktikisht, “Forbes” mbledh një sërë indikatorësh, së bashku me ato të Bankës Botërore dhe të Forumit Ekonomik Botëror për të nxjerrë një indikator të përgjithshëm. E renditur në vendin e 71-të në botë, Shqipëria rezulton e parafundit në rajon, ndërkohë që, Serbia renditet e 69-ta, Mali i Zi i 68-ti dhe Maqedonia e 63-ta. Në vend të parë, në nivel global renditet Mbretëria e Bashkuar, e ndjekur nga Zelanda e Re dhe Holanda. Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2018”, duke u renditur e 65-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58 mes 190 ekonomive të marra në vlerësim. Kjo tregon se të bërit biznes në vendin tonë ose është vështirësuar, ose vendet e tjera janë përmirësuar me ritme më të shpejta, duke na lënë pas. Në raport me veten, bilanci është pozitiv me një përmirësim prej 0.96% krahasuar me të njëjtin raport të një viti më parë. Shqipëria ka shënuar përmirësim në dy aspekte. Sigurimi i financimit, pra është përmirësuar aksesi në financim përmes disa nismave ligjore që lidhen me amendimet në Kodin Civil, si dhe disa aspekte të falimentit. Aspekti i dytë me përmirësimin është pjesa e rregullimit të tregut të punës, ku Shqipëria ka amenduar ligjin për orarin e punës që lejohet në një javë, si dhe faktin që burrat dhe gratë të trajtohej njëlloj në rastet e shpërblimeve. Marrja e energjisë elektrike vazhdon të jetë sfidë për biznesin në vend, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 157 nga 190 ekonomi, por treguesi i pikëve është përmirësuar me 0.01% krahasuar me atë ku ishim një vit më parë. Në vendin e dytë, renditet pagesa e taksave, ku Shqipëria ka regjistruar vendin e 125 me një përkeqësim prej 0.54% në raport me një vit më parë. Lejet e ndërtimit edhe pse duket se kanë shënuar përmirësim kohëve të fundit nuk kanë mundur të sigurojnë një renditje më të mirë sesa vendi i 106, por në raport me veten jemi përmirësuar në mënyrë modeste me 0.03%.

Artikulli paraprakGreqi: Refugjatёt në kushte të mjerueshme
Artikulli tjetërUrrejtja ndaj pronarëve, Rama ul me pesë herë fondin për kompensimin