Kur ka mbetur një muaj nga mbyllja e merkatos verore, Manchester United është shumë pranë goditjes së madhe, blerjes së Paul Pogba, që me shumë mundësi do të jetë transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Spanjollja “AS”, në pritje të zyrtarizimit të francezit te “Djajtë e Kuq”, ka publikuar 11-shen më të shtrenjtë, ku në çdo rol është vendosur futbollisti për të cilin është paguar më shumë para. Ky formacion në total ka kushtuar 736.5 milionë euro, ku çdo element është vlerësuar mesatarisht 67 milionë euro. Në portë është Gianluiggi Buffon, për të cilin Juventusi shpenzoi 53 milionë euro në arkat e Parmës. Me bardhezinjtë është aktivizuar në 15 sezone, dhe jo më kot konsiderohet një nga portierët më të mirë të historisë.
Në qendër të mbrojtjes vendoset David Luiz, i cili u ble nga PSG në 2014-ën për 49.5 milionë euro, para që shkuan në arkat e Chelseat. Atëherë u konsiderua një blerje e çmendur, madje “transfermarkt” e vlerësonte vetëm 26 milionë euro.
Në krah të brazilianit po në qendër të mbrojtjes rreshtohet Rio Ferdinand. Në vitin 2002, Leeds United përfitoi 46 milionë euro nga Manchester United. Ish-mbrojtësi i kombëtares angleze fitoi 6 kampionate dhe një Champions League me “Djajtë e kuq”.
Mbrojtësi i djathtë në 11-shen më të shtrenjtë është Liliam Turam, të cilin Juventusi e bleu nga Parma në vitin 2001 për 41.5 milionë euro.
Në 2014, Luke Shaw u shndërrua në mbrojtësin e majtë më të shtrenjtë në histori, pasi për të riun anglez Manchester United shpenzoi 37.5 milionë euro për ta shkëputur nga Southampton.
Në mesfushë më të shtrenjtët janë Di Maria, De Bruyne dhe James Rodriguez. Në 2014-ën Manchester United pagoi 75 milionë euro për ta shkëputur mesfushorin argjentinas nga Reali i Madridit, ndërsa një vit më pas e shiti 63 milionë te PSG. Për Kevin De Bruyne, Manchester City verën e kaluar derdhi 74 milionë në arkat e Wolfsburgut, ndërsa Realit të Madridit James Rodriguez i kushtoi plot 75 milionë euro.
Në krahun e majtë të sulmit në 11-shen më të shtrenjtë nuk mund të mungonte Cristiano Ronaldo, për të cilin Reali i Maridit shpenzoi 94 milionë euro në verë të 2009-ës, duke e shndërruar përkohësisht në futbollistin më të shtrenjtë në histori, sepse në 2013-ën kjo shifër rekord u thye nga shuma zyrtare 101 milionë euro që po Reali i Madridit pagoi për Gareth Bale, për ta shkëputur uellsianin nga Totenhami. Bale rreshtohet në të djathtë të sulmit, ndërsa në qendër vendoset Gozalo Higuain që vetëm pak diytë më parë u bë zyrtarisht sulmues i Juventusit, pasi kampionët e Italisë pranuan të shpenzonin 90 milionë euro për kartonin e tij.