Formula për kapjen e drejtësisë dhe loja me 2/3 e kreut të qeverisë

Në reformën e propozuar, institucionet, ndoshta më të rëndësishme të të gjithë sistemit të drejtësisë do të jenë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), të cilët do zëvendësojnë Këshillin e Lartë aktual të Drejtësisë. Të dy institucionet do të kenë të njëjtat kompetenca, respektivisht për sistemin e gjyqësorit dhe të Prokurorisë. (Në këtë shpjegimin, për thjeshtësi do t’i referohemi vetëm KLGJ-së, por i njëjti shpjegim vlen edhe për KLP-në, pasi ato janë konceptuar në mënyrë identike)
KLGJ do të administrojë dhe kontrollojë funksionimin dhe karrierën në sistemin gjyqësor. Ndër të tjera, KLGJ:
do të emërojë të gjithë gjyqtarët e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit të gjithë vendit;
do të propozojë anëtarët e Gjykatës së Lartë tek Presidenti, i cili mund të refuzojë emërimin e tyre vetëm në shumë pak raste të veçanta, por edhe atëhere KLGJ mund të ripropozojë të njëjtën kandidaturë dhe Presidenti është i detyruar ta emërojë.
KLGJ do të ketë 11 anëtarë, nga të cilët 6 do jenë gjyqtarë dhe do të zgjidhen me votimin e gjithë gjyqtarëve të vendit, ndërsa 5 anëtarë do të jenë jo-gjyqtarë dhe do të zgjidhen nga Kuvendi.
Mosmarrëveshja kryesore dhe e vetmja ende e pazgjidhur mes shumicës dhe opozitës lidhet, pikërisht, me mënyrën e zgjedhjes nga Kuvendi të 5 anëtarëve jo-gjyqtarë të KLGJ-së.

Mosmarrëveshja

Propozimi, në të tre draftet e deritanishme të reformës, ka qenë që 5 anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së të zgjidhen nga Kuvendi me 3/5 e votave, pra me miratimin e të paktën 84 deputetëve.
Opozita e kundërshtoi këtë shumicë, pasi koalicioni aktual qeveritar i ka kaq deputetë, që do të thotë se ai mund të zgjedhë në mënyrë të njëanshme të gjithë anëtarët e KLGJ-së. Kundërpropozimi i opozitës, fillimisht ishte që shumica miratuese të rritej në 2/3, pra në 94 vota, duke garantuar, praktisht, që anëtarët do të mund të zgjidhen vetëm me konsensus shumicë-opozitë.
Por shumica nuk e pranoi këtë propozim (dhe nuk e ndryshoi qëndrimin e saj deri para një jave).
Dy rekomandimet, i shumicës dhe opozitës, ju çuan për mendim Komisionit të Venecias. Komisioni pranoi që anëtarët e KLGJ-së duhet të zgjidhen me shumicë të kualifikuar (pra, më të madhe se shumica e thjeshtë 50 për qind plus një) dhe se nuk duhet të zgjidhen vetëm nga shumica parlamentare. Komisioni edhe pse pranoi se varianti i opozitës me 2/3 mund të jetë një variant i mundshëm, u shpreh se mund të ketë variante të tjera të përshtatshme për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së që mund të konsiderohen.
Por Komisioni i Venecias bëri një vërejtje shumë më të rëndësishme se sa komenti mbi përqindjen e përshtatshme për votimin. Komisioni theksoi se çfarëdo shumice e kualifikuar të zgjidhet, përfshi edhe 3/5 apo 2/3, në praktikë mund të ndodhë që shumica mund të mos arrihet dhe procesi i zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së të bllokohet. Për këtë arsye, Komisioni sugjeroi që duhet të parashikohet një mekanizëm zhbllokues për rastet kur Kuvendi nuk arrin shumicën e nevojshme, cilado qoftë shumica që vendoset.

Mekanizmi zhbllokues

Për të shmangur këtë bllokim të mundshëm, ekspertët e huaj propozuan procedurën e mëposhtme, e cila ruan shumicën 3/5:
5 anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së zgjidhen sipas këtij përfaqësimi: një anëtar nga radhët e avokatëve, një anëtar nga radhët e noterëve, një anëtar nga radhët e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar nga radhët e pedagogëve jogjyqtarë të Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga Shoqëria Civile.
Për çdo vend anëtari, grupimet e mësipërme i çojnë tre propozime Këshillit të Lartë të Emërimeve. (KLE është një tjetër mekanizëm i propozuar nga reforma, i cili ka kompetencë kryesore propozimin e kandidaturave për emërime në sistemin e drejtësisë. Këshilli i Emërimeve përbëhet nga 9 anëtarë, secili shërben vetëm për një vit, të cilët zgjidhen çdo vit me short mes gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve).
Pasi merr propozimet, KLE verifikon përputhshmërinë e kandidaturave me kriteret dhe bën vlerësimin e tyre, duke i renditur (nuk përcaktohet se mbi çfarë kriteresh bëhet renditja).
Propozimet e renditura (tre për çdo anëtar) i dërgohen Kuvendit, i cili i miraton në votime të veçanta brenda secilit grup, pra një votim bëhet për të zgjedhur anëtarin përfaqësues të avokatëve nga tre kandidaturat e propozuara nga shoqata e avokatëve dhe kështu nga një votim i veçantë për zgjedhjen e katër anëtarëve të tjerë.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një anëtar, atëherë procedura përsëritet bazuar mbi propozime të reja me të njëjtën procedurë.
Në rast se as këtë herë nuk arrihet shumica e 3/5, atëhere kandidati i renditur më lart në renditjen e KLE-së konsiderohet i emëruar.
Kjo procedurë, praktikisht, e zhvendos zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së nga Kuvendi tek KLE.

Mosdakordësia e re dhe propozimet e fundit

Partia Demokratike e kundërshtoi propozimin e mësipërm. Në këndvështrimin e saj, lënia e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së në dorë të KLE-së do të thotë, praktikisht, t’i lesh në dorë të qeverisë: edhe sikur KLE, vetë të jetë e pandikuar dhe objektive, në fund të fundit, ajo do të rendisë propozimet që do t’i vinë nga shoqata e avokatëve, shoqata e noterëve, pedagogët e drejtësisë të universiteteve të akredituara, Shkolla e Magjistraturës dhe Shoqëria Civile. PD mendon, jo pa arsye, se të gjitha këto shoqata apo institucione janë të ndikueshme apo kontrollueshme nga qeveria, e cila mund të ndikojë kështu kandidaturat dhe, për rrjedhojë, emërimet e anëtarëve të KLGJ-së.
Sipas pretendimeve të PD-së, për të zgjidhur situatën, grupi i ekspertëve të OPDAT-it-misioni i asistencës amerikane në fushën e drejtësisë—i propozoi PD-së disa variante të tjera për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së. Ajo që është e sigurtë është se PD zgjodhi një prej këtyre propozimeve, të ashtuquajturën formulë të “vendeve të rezervuara”, sipas së cilës 5 anëtarët jogjyqtarë të KLD-së zgjidhen si më poshtë:
dy anëtarë të zgjidhen nga shumica parlamentare, dy nga opozita dhe i pesti me votim 3/5 nga Kuvendi me propozim të Shoqërisë Civile.
Një linjë e tillë (pa hyrë në detaje) ishte sugjeruar më herët si zgjidhje e mundshme edhe nga Komisioni i Venecias.
Ky propozim i OPDAT-it (apo i vetë PD-së), i zgjedhur nga PD nuk u pranua nga PS.
Ndoshta për të shmangur përgjegjësinë për mos dhënien e konsensusit, Kryeministri Rama bëri një lëvizje të zgjuar taktike. Në mënyrë të papritur, pasi kishte ftuar dhe rënë dakord për t’u takuar me Kryetarin e PD-së Lulzim Basha, Kryeministri Rama deklaroi në një takim publik se ai kishte vendosur të pranonte kërkesën e PD-së për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së me 2/3 e votave të Kuvendit nga 3/5 sikurse ishte parashikaur deri atëherë.
Qëndrimi i ri i Kryeministrit, i pompuar gjërësisht në media, tingëlloi në publik qartasi si një lëshim i rëndësishëm i tij për të mundësuar konsensus, aq më tepër që të gjithë mbanin mend se opozita e kishte kërkuar këtë gjë muaj më parë. Ajo që Kryeministri nuk përmendi dhe që publiku nuk dinte, ishte se kjo kërkesë tashmë ishte kapërcyer, dhe si PD-ja edhe ekspertët e huaj kishin pranuar (apo propozuar) një mekanizëm krejt tjetër për zgjedhjen e anëtareve, atë të “vendeve të rezervuara”.
Nga ana tjetër, edhe pse në dukje “lëshimi” i Kryeministrit Rama u kuptua në publik se ai i dha opozitës të drejtën e vetos për zgjidhjen e anëtarëve të KLGJ-së, praktikisht nëse PD do të ushtrojë këtë veto, zgjedhja e anëtarëve të KLGJ-së nuk bëhet më nga Kuvendi, pra me konsensusin pozitë-opozitë, por nga Këshilli i Lartë i Emërimeve, vendimi i të cilit ka shumë gjasa të ndikohet, indirekt, nga qeveria, sikurse u shpjegua më sipër.

Takimi Rama-Basha

Në takimin e të hënës palët shkuan pikërisht me dy propozimet e kundërta të përshkruara më sipër:
PS me propozimin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së me 2/3 e Kuvendit dhe në rast të mos arritjes së shumicës, zgjedhjes nga Këshilli i Lartë i Emërimeve (me vlerësim profesional);
PD me propozimin që anëtarët të zgjidhen dy nga shumica, dy nga pakica dhe një me votim 3/5 të Kuvendit me propozim nga Shoqëria Civile.Nuk dihet saktësisht se çfarë u fol gjatë 3 orëve të takmit, por në përfudnim nuk u arrit dakordësia.

Exit mobile version