Tezat iniciuese për një qytet të lirë, demokratik e të jetueshëm dhe për angazhimin aktiv qytetar në funksion të saj. Në ditët në vijim do të publikohen reflektime të këtij procesi që sapo ka nisur dje do të zgjerohet më tej!
1. Bashkia Tiranë ka nisur hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV). Për hartimin e këtij plani është kontraktuar një ekip me arkitektë e konsulentë kryesisht nga Italia. Titullari i këtij grupimi konsulence ka dhënë së fundi një intervistë në media duke shprehur idetë dhe konceptet e tij kryesore për “Tiranën e Nesërme” bazuar tek: i) gjelbërimi, ii) shkatërrimi-rizhvillimi, iii) dhe policentrizmi … ide dhe zhargon urbanistik tashmë i konsumuar prej kohësh në debatin lokal të zhvillimit.
Duke respektuar maksimalisht karrierën dhe përvojën e konsulentëve të huaj në vendet e tyre, jemi të shqetësuar për lehtësinë me të cilën ata konsumojnë në publikun shqiptar ide të tilla, të cilat dëshmojnë në rastin më të mirë ose njohje të kufizuar të realitetit lokal ose akoma më keq mungesë respekti për kontekstin vendor dhe një axhendë të parapërgatitur, ku interesi publik mbetet i paqartë. Kjo situatë mund ta ekspozojë qytetin ndaj rrezikut të “eksperimenteve sociale dhe urbanistike” që nuk përfaqësojnë interesa dhe vullnet vendor.
2. Tirana ndërkohë ka pësuar mjaft deformime dhe ndodhet përballë sfidave gjithnjë e më të komplikuara, të cilat kanë marrë deri më tani vetëm përgjigje të pjesshme ose sipërfaqësore. Në këtë moment, qyteti ka hyrë në një fazë edhe më kritike zhvillimi pasi mbi të është imponuar një reformë administrativo-territoriale, e cila nuk ka patur konsensus politik dhe social dhe në këtë mënyrë sfidat janë rritur edhe më shumë pasi territori i bashkisë është 10-fishuar, ndërsa kompetencat dhe burimet janë zvogëluar dhe centralizuar. Për të korrigjuar këtë deformim po imponohet mbi qytetarët një barrë financiare e pajustifikuar, e cila po jep impakt negativ social dhe ekonomik dhe iniciativën e lirë. Ndërkohë që konstatojmë se pas Reformës së Territorit autoriteti i bashkive sot është ulur në nivelin e komiteteve ekzekutive të dikurshme që ishin vetëm krah i qeverisë qendrore në nivel lokal, duke vrarë çdo shpresë për autonomi lokale dhe depolitizim të administrimit publik vendor që do ta sillte qeverisjen më afër interesave të qytetarëve. Kjo ka çuar në një situatë gati pa sens, ku qeverisja vendore përfaqëson më shumë interesat e politikës kombëtare dhe shërben si trampolinë kryesisht për promovim politik në nivel kombëtar të individëve të caktuar.
Qytetarët kanë mbetur të braktisur në hallet e tyre të përditshme, ndërsa qeverisja si model është kthyer më shumë në një “koncert” mediatik. Në vend që ajo të jetë në mbrojtje e shërbim të komuniteteve dhe nevojave të tyre, ajo çuditërisht përplaset dhe konfliktohet me përfaqësitë komunitare, grupet e interesave dhe me gjithë zërat kritikë edhe kur ata janë konstruktivë.
3. Duhet nënvizuar se që pas fundit të viteve ‘80-të autoritetet nuk kanë qenë më në gjendje të hartojnë një vizion zhvillimi për atë se çfarë do të jetë Tirana sot dhe në të ardhmen. Kjo gjendje duket se ka qenë produkt i qëllimshëm i klasës politike, për të patur “fushë veprimi” maksimale mbi zgjedhjet teknike dhe operacionet ekonomike që janë bërë në qytet, shpesh në mënyrë konfliktuale dhe aspak të qëndrueshme, pa patur më parë një dokument publik që do të ishte një instrument rregullator dhe ballafaques i ligjshmërisë, që garanton me transparencë një “pakt social” midis politikëbërjes dhe interesave komunitare. Mungesa e “planit kushtetutë zhvillimi” dhe indikatorëve të tij tekniko-ligjore, si dhe keqpërdorimi i ligjit, i konkurseve ndërkombëtare dhe i studiove të arkitekturës e konsulencës të importuara nga jashtë, po përdoren më shumë si alibi për abuzimet në zhvillimin e qytetit në kurriz të interesit publik. Instrumenti i pseudopërfshirjes publike (nënkupto – militantët) i ka shërbyer më shumë simulimit të një “elite-aliazh” me natyrë oligarkike, që bashkon interesa të caktuara të natyrës së sipërmarrjes, medias e politikës, duke monopolizuar zhvillimin dhe cilësinë e jetesës. Ky zhvillim ka dëmtuar kryesisht interesin publik, hapësirën publike e të gjelbër, kondicionet e tjera mjedisore e sociale, ka krijuar një treg të deformuar dhe çmime të pasurive
të patundshme në disavantazh të shumicës së popullsisë.
4. Në këto kushte, kur është iniciuar nga bashkia një proces planifikimi dhe vizionimi i qytetit, ndërkohë po ecet paralelisht e me nxitim me disa projekte strategjike kryesisht në qendrën e qytetit, vendimmarrja e të cilave sot mund të bjerë ndesh me procesin e planifikimit dhe zhvillimit ligjor të qytetit, nëse ky proces nuk është falso, i paracaktuar dhe i paragjykuar. Nxitimi për të zhvilluar projekte me natyrë strategjike si: parkimet nëntokësore në lulishtet e pakta të qytetit, betonizimi i Parkut të Liqenit, ndërhyrjet në Rrugën e Durrësit, projekti i besimeve në bulevardin kryesor, rindërhyrja në qendrën dhe sheshin kryesor të qytetit, etj.; e bëjnë vetë këtë proces planifikimi të pabesueshëm. Ai në këtë mënyrë bëhet më shumë një alibi për vendimet që po merren sot në mënyrë arbitrare dhe të nxituar. Akoma më keq, përqendrimi i gjithçkaje vetëm në qendër të qytetit në një kohë që territori i bashkisë sot e tejkalon konceptin tradicional të Tiranës historike, dëshmon në rastin më të mirë për politika që do të stimulojnë përfundimisht urbanizimin final edhe të frymës më të fundit të popullsisë që ka mbetur në zonat rurale e bujqësore, atje ku në fakt ndodhen edhe burimet kryesore natyrore dhe shanset reale për rritje ekonomike. Edhe idetë e hedhura nga ekspertët e huaj për rizhvillimin e banesave të vjetra, mbartin akoma më shumë rreziqe për konflikte të ashpra sociale dhe deformime serioze të tregut e të sistemit ende të pastabilizuar të pronësisë, në një qytet ku gjysmë e popullsisë është nën- ose në nivelin e varfërisë.
5. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese në kushtet kur konsultimet e ashtuquajtura publike – që janë detyrim ligjor – mbeten të njëanshme, formale dhe mbi baza të pjesëmarrjes militante. Ato nuk kanë përfshirë as Këshillin Bashkiak dhe veçanërisht opozitën në këtë këshill, pa folur për përfaqësuesit e spikatur komunitarë e profesionalë, grupet reale të interesit, grupimet me natyrë kritike, mjedisorët dhe sidomos ekspertët e qytetit e shoqërisë – ata të vërtetët që e duan qytetin nuk i servilosen politikës për interesa të vogla e banale. Dhe ekspertë të tilla Tirana dhe Shqipëria i ka! Nuk është se nuk i ka! Është ofenduese që në dy takimet e para publike të ekipit hartues të planit nuk është bërë publike asnjë dokument analize apo vizioni ashtu siç rregullohen ato me ligjin shqiptar.
Edhe ato materiale që janë ekspozuar kanë një karakter më shumë ilustrativ, mbeten të paqarta e sipërfaqësore dhe tepër të përgjithshme, madje mënyra si serviren dhe arroganca i bën ato tepër fyese për publikun shqiptar. Nuk denjohet as të komunikohet në gjuhën amtare nga një institucion publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë! Mosrepektimi i parimeve të etikës elementare të komunikimit dhe të demokracisë lokale është shqetësues jo vetëm për hartimin e këtij plani, por tashmë për vetë natyrën e qeverisjes vendore në Tiranë, e cila duket se për arsye ekstraligjore po vetëpozicionohet si një agjenci ekzekutive e interesave politike të partisë mëmë dhe qeverisë qendrore, se sa e komuniteteve që ajo përfaqëson ligjërisht. Ne duam një Tiranë sa më të jetueshme, dhe një qeverisje të ndjeshme ndaj qytetit dhe shoqërisë, e lidhur me terrenin jo përmes filtrave të militantëve dhe mediave, por direkt përmes njerëzve dhe problematikave të tyre të përditshme. Nuk kemi nevojë për ekspertë të huaj alibi, edhe pse jemi të hapur për kontributet e tyre të sinqerta që do të luftonin bashkë me ne kundër një zhvillimi të deformuar e që e shikon qytetarin nga lart dhe me përbuzje!
Në këto kushte ju ftoj të ndajmë ide dhe përmes këtij takimi të hapur intelektual e profesional të ftojmë gjithë qytetarët e Tiranës që të dëshmojnë vigjilencë, interesim dhe mbështetje për situatën e krijuar, e cila mund të krijojë efekte jo të mira për jetën e gjithkujt. Zgjimi i shoqërisë nga apatia dhe rreshtimi i ngurtë partiak, si dhe pozicionimi përmes zërave më të spikatur të jetës publike dhe komunitare, për t’iu bashkuar pa paragjykim një aleance qyetare për Tiranën dhe qytetin në tërësi në Shqipëri, në trajtën e një forumi të pavarur, aktiv, të lirë dhe të pakufizuar, e që synon mbrojtjen e interesit publik – do të garantonte me shumë gjasa edhe një qeverisje më demokratike dhe më gjithpërfshirëse.