Foshnja e braktisur ndërroi jetë, reagon materniteti “Koço Gliozheni”, publikon shkakun e vdekjes

Pas lajmit të trishtë se foshnja që u gjet dje i braktisur në një bodrum pallati në Tiranë kishte ndërruar jetë në spital, reagon materniteti “Koço Gliozheni”.

Në njoftimin për mediat thuhet se foshnja ndërroi jetë në orën. 10:45, dhe se diagnozat klinike janë: Lindje në term, hipotermi e thellë, politraumë, hemorragji pulmonare, insufiçience multiorganore dhe arrest kardiorespirator.

Njoftimi nga materniteti “Koço Gliozheni”:

Ashtu siç jeni njoftuar gjatë gjithë ditës së djeshme, pranë SUOGJ “Koço Gliozheni”, është sjellë në gjendje të rëndë traumatike, një foshnjë e lindur dhe e braktisur në ambjentet e një garazhi !

Me të mbërritur në spital foshnjës i është dhënë ndihma e parë në reanimacionin neonatal dhe pas shumë përpjekjesh është arritur të kthehet në jetë edhe pse në gjendje të rëndë!

Për 24 orë është luftuar fort nga ana e stafit mjekësor për ta fituar betejën për jetën e kësaj foshnjeje. Pavarësisht punës, përpjekjeve dhe dëshirës së madhe për fat të keq kjo gjë nuk u arrit!

Me hidhërim të thellë njoftojmë humbjen e jetës së foshnjës! Foshnja ndërroi jetë në orën. 10:45, datë 09.11.2023

Diagnozat klinike:

Lindje në term/ Lindje per vias vaginalis/ Hipotermi e thellë/Politraumë/ Hemorragji pulmonare/Insufiçience multiorganore/Arrest kardiorespirator

Falenderojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Punës Sociale, Policinë e Shtetit si dhe të gjithë qytetarët që na kanë mbështetur fuqimisht në betejën tonë për jetën, që fatkeqësisht këtë herë e humbëm!

Exit mobile version