FOTO/ Dhjetë të arrestuar për trafikun e kokainës nga Brazili, momenti kur disa prej tyre paraqiten në gjykatë! Si kamuflohej droga me lëkura bagëtish

Ky është momenti kur disa prej të arrestuarve për trafikun e kokainës nga Brazili mbërrijnë në Gjykatën e Posaçme.

 

Nga operacioni u zbulua një laborator kokaine, ndërsa u arrestuan 10 persona, 3 prej të cilëve shtetas të huaj. Të 10 të arrestuarit dalin sot para Gjykatës së Posaçme për vleresimin e masave të sigurisë.

Personazhet e vënë në pranga, në fakt, janë emra të panjohur për sistemin tonë të drejtësisë, përjashtim bën njëri prej tyre i dënuam për dy vrasje në dy kohë të ndryshme. Por ata që konsiderohen si organizator dhe financues të grupit në fakt nuk rezultojnë të skeduar më parë në vendin tonë. Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ka qenë në dijeni të dy ngarkesave që do të vinin në emër të këtij grupi, çka do të thotë se njëri nga këta protagonistë ka qenë në përgjim.

Ngarkesa e muajit shtator, e cila sipas të dhënave jozyrtare ka kaluar nëpërmjet portit të Durrësit është magazinuar fillimisht në një objekt në Durrës dhe më pas është transportuar në banesën e një të riu në fshatin Qerekë të Niklës. Aty janë sjellë edhe “mjeshtrit” latinë, të cilët kishin për detyrë të ndanin lëndën narkotike nga pjesa tjetër e ngarkesës. Por SPAK, në operacionin e kryer të premten, ushtroi kontrolle të shumta në disa zona, banesa dhe vila duke u ndaluar edhe në rezidencën e “Kodrës së Diellit”. Aty pretendohet se është edhe banesa e njërit prej protagonistëve, ku agjentët operacionalë sekuestruan një sasi lëndë narkotike. Sasi tjetër u sekuestrua në Durrës, në një objekt afër portit, ndërsa ka dyshime për objekte të tjera që menaxhohen prej grupit kriminal.

Kamuflimi

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Posaçme, bëhet me dije se janë 850 lëkura të kriposura të gjedhit në të cilat është e fshehur kokainë. Hetuesit shqiptarë në bashkëpunim me partnerët e huaj, e dinin shumë mirë se ishin ngarkuar në kontejnerë në vende të Amerikës Latine dhe do të vinin në rrugë detare në portin e Durrësit. Dyshohet se të dy ngarkesat kanë qenë 48 tonë, ku ende nuk dihet se sa është sasia e lëndës dhe sa pjesa tjetër e ngarkesës.

Sipas SPAK, njëra ngarkesë hyri në shtator dhe tjetra në nëntor, që janë vëzhguar nga SPAK dhe janë lënë të veprojnë të lira deri në itinerarin e fundit, për t’i dhënë goditjen finale grupit të drogës, me 10 arrestime në total. Për grupin hetimor, 4 nga 7 shqiptarët e arrestuar janë kryesorët e grupit, organizatorë dhe financues të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës drejt Shqipërisë dhe më tej shitjen e saj në tregjet e vendeve europiane. Referuar të dhënave të pakta që ka bërë me dije Prokuroria, mësohet se rolin kryesor dyshohet ta ketë Geis Sejfullai, 42 vjeç. Vila në rezidencën e banimit “Kodra e Diellit 2” në Tiranë, që shërbente si bazë e grupit, dyshohet të jetë e tij, në pronësi apo e marrë me qira, SPAK ende po e heton këtë fakt pasi nuk dihet saktësisht. Aty, dhe në një tjetër ambient mbështetës të këtij grupi, pranë portit të Durrësit, u gjetën në total 6.1 kg kokainë. Sejfullai mësohet se është një person me profil të lartë publik, ndërkohë që prokurorët vijojnë të hetojnë lidhjet mes personazheve të këtij grupi për të shkuar tek furnitorët dhe bashkëpunëtorët.

Laboratori dhe personazhet

SPAK ka pasur informacion të saktë në lidhje me vendndodhjen e ndërtesës që shërbente për punimin e mallit. Sipas të dhënave, banesa e shndërruar në laborator ku 3 kimistë të huaj nga Kolumbia e Venezuela ndanin drogën nga lëkura, dyshohet të jetë në pronësi Endi Sejdini, vetëm 25 vjeç, e pozicionuar në pikë strategjike, pranë aeroportit të Rinasit, në fshatin Qerekë. Klajdi Birçe 30 vjeç dhe Artion Çaushllari, 37- vjeçar një personazh që ka ushtruar edhe funksione publike, po ashtu sipas SPAK janë në mesin e organizatorëve dhe financuesve.

Ndërsa 37-vjeçari Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj 51 vjeç nga Shkodra dhe Baki Huqi 57 nga Durrësi, i dënuar për dy vrasje në ’97 dhe 2013-ën, kishin role dytësore në shërbim të aktivitetit kriminal. Ngarkesat me drogë që vinin fshehur në lëkurat e bagëtive, sipas burimeve nga SPAK, nuk janë nisur vetëm nga vende të Amerikës Latine, si Kolumbia, Venezuela apo Ekuadori, me të cilat bandat shqiptare kanë një marrëdhënie të gjatë trafiku, por edhe nga Republika Domenikane dhe Brazili. Jo më kot kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurori tjetër, Adnan Xholi që po hetojnë grupin, qëndruan 1 javë në Brazil së fundmi, ku deklaruan se do të çmontonin rrjetet e trafikut të drogës. Tranzit dyshohet të jenë përdorur portet italiane për të mbërritur në brigjet shqiptare, megjithatë itinerari i plotë është ende duke u hetuar.

Bashkëpunimi me agjencitë e huaja

Prokuroria e Posaçme po punon me agjenci partnere të zbatimit të ligjit, për subjekte të tjera që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet dhe kryesisht shqiptarë që kanë luajtur rol domethënës për të siguruar kokainën në Amerikën Latine apo kanë koordinuar veprimet atje. Burime nga SPAK thonë se Aldi Zonja, i arrestuar, gjatë kohës së pandemisë pati një qëndrim të gjatë në Amerikën Latine, ku shkoi për vizitë turistike dhe qëndroi i izoluar edhe nga bllokimi i fluturimeve.

Megjithatë, Zonja mësohet se nuk ka rol kryesor në këtë grup kriminal. Po ashtu, ai nuk ka qenë as më herët i skeduar në ndonjë aktivitet të dyshimtë, por prokurorët po hetojnë në tërësi grupin që tashmë konsiderohet kriminal. Të 10 personat e arrestuar do të dalin për masë në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, ditën e sotme, ku është njoftuar ora 09:30.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe 6.1 kg kokainë, 89 kg përzierës të ngurtë, 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës dhe mbi 51 mijë euro. Plot 22 celularë janë në duart e SPAK që përmes hetuesve të BKH-së pritet të zbulojë më shumë mbi komunikimet e këtij rrjeti kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM, ndërsa 3 automjete u sekuestruan bashkë me dokumente të tjera të rëndësishme. Prokurorët ende nuk kanë dalë në konkluzione në lidhje me të gjithë aktivitetin, pasi këqyrja e sendeve personale vijon ende.

SHQIPTARËT E ARRESTUAR
1- Geis Sejfullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
TË HUAJT E ARRESTUAR
1- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian

Exit mobile version