FOTO/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra Prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku shpërthen në lot

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra Prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku.

 

Siç shihet edhe nga fotot e siguruara nga LSA, Rrumbullaku ka shpërthyer në lot pasi KPK ka dhënë vendimin për shkarkimin e saj nga detyra.

Ornela Rrumbullaku (3)

Rrumbullaku u përball të hënën më 2 shtator me KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha, të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private.

Ajo i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, duke pretenduar se bashkëshorti nuk i kishte investuar ato para, por ishte dakordësuar me bashkëortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.

Ornela Rrumbullaku (2)

Ornela Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë.

Në vitin 2019, Rrumbullaku u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ajo ushtronte detyrën aktualisht në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Bilancet negative të bashkëshortit

Komisioni nuk ka gjetur probleme për blerjen e një automjeti në vitin 2007 për çmimin 500 mijë lekë, ku si burime krijimi janë deklaruar kursimet dhe një kredi konsumatore.

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 85 m2 në vitin 2011 në Tiranë kundrejt çmimit 77 mijë e 350 euro, janë deklaruar si burime të ardhurat e bashkëshortit A.M., në atë kohë në cilësinë e bashkëjetuesit, nga aktiviteti i tij privat dhe kredi në masën 46 mijë euro.

Relatorja Faskaj vërejti se bashkëjetuesi i subjektit e ka deklaruar për herë të parë këtë pasuri në vitin 2014. Nga analiza financiare për pagesën e këstit të parë në vitin 2011 më të ardhurat e bashkëjetuesit, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 618 mijë lekë.

Në vijim u relatuan gjetjet për pasuritë e bashkëshortit të prokurores Rrumbullaku. Komisionin nuk konstaton probleme për një ngastër toke në Bubullimë të Lushnjës, të përfituar nga familja e bashkëshortit të subjektit nga ligji për tokën, si dhe për një automjet të blerë në 2010-ën.

Bashkëshorti subjektit rezulton që të ketë regjistruar subjekt si person fizik në vitin 2010, që e ka çregjistruar në 2018-ën.

Në vitet në vijim rezulton të ketë investuar në disa shoqëri. Konkretisht, ka zotëruar aksione në një institut privat në vlerën 10 milionë lekë; në një shoqëri tjetër aksione me vlerë afro 49.9 milionë lekë; si dhe kuota në vlera të vogla në tre shoqëri të tjera. Ai ka deklaruar se nuk janë paguar vlerat e kapitalit që zotëron.

A.M., ka deklaruar sigurimin e të ardhurave nga subjekti i regjistruar si person fizik, si dhe nga shitja e aksioneve nga një shoqëri në vitin 2016, pasi ishte konstatuar se kishte fituar tendera publikë, shkruan Reporter.al.

Faskaj tha se duket se subjekti gjendet në kushtet e konfliktit të interesit për arsye se bashkëshorti ka qenë aksioner në një shoqëri që ka përfituar tendera publikë.

Të ardhura janë deklruar dhe nga honorare në cilësinë e anëtarit të bordeve apo komisioneve, si dhe ofrimi konsulencës.

Prokurorja Rrumbullaku pretendoi në seancë, se dhe ajo vetë ka rënë në dijeni të disa veprimeve juridike të bashkëshortit, vetëm një muaj më parë. Ajo tha se i vinte pak inat për situatën e konstatuar, pasi të dy janë jurist. Rrumbullaku pohoi se deklaratat e saj kanë qenë gjithmonë të thjeshta, ndërsa të bashkëshortit të komplikuara, për shkak dhe të veprimtarisë së tij.

Sipas subjektit, duket se në vitet 2013-2015, bashkëshortit i ka lindur ambicia për të qenë i sukseshëm. Ajo pohoi se bashkëshorti ka bërë konsulenca pafund të personave të sukesshëm dhe tha, “pse të mos bëhem dhe unë…?!”.

Rrumbullaku shpjegoi se në vitin 2009 ishte njohur me bashkëshortin dhe kishin filluar bashkëjetesën. Sipas subjektit, ai kishte propozuar të blinin një apartament që të mos paguanin qira. Ajo sqaroi se bashkëshorti kishte pasur të kursime e të ardhura në vitin 2011 dhe ajo kishte marrë kredinë, për të qenë e barabartë.

Për pamundësinë e konstatuar lidhur me pagesën e kryer për apartamentin me të ardhurat e bashkëshortit, subjekti tha se kishte gabim në përllogaritjen e analizës finaniciare, pasi nuk ishin konsideruar të ardhura nga dy institcione, vlera për të cilat tha se e mbulojnë pamundësinë e konstatuar në shumën 618 mijë lekë.

Ajo shtoi se bashkëshorti ka përfituar të ardhura në masën 1.3 milion lekë nga një shoqëri, në të cilën ka qenë kryetar dhe anëtar i këshillit mbikqyrës. Rrumbullaku tha se janë paguar detyrimet tatimore dhe shtoi se e njëjta situatë paraqitet dhe për të ardhurat nga një tjetër shoqëri për të cilën ka dhënë konsulencë ligjore dhe ka pasur dalje publike në gazetën e kësaj kompanie.

Sipas saj, bashkëshorti ka fituar të ardhura dhe si kryetar i Komisionit të Disiplinës në federatën Shqiptare të Futbollit, si dhe nga toka bujqësore.

Lidhur me shoqëritë, ku bashkëshorti rezulton se ka zotëruar kapital me vlera të mëdha, Rombullaku tha se ai nuk ka investuar shuma monetare. Sipas saj, bashkëshorti ka ofruar konsulencën ligjore për shoqëritë ku ishte ortak, ndërsa ortakët e tjerë kanë kryer derdhjet e vlerave monetare.

Rrumbullaku tha se bashkëshorti në vitin 2015 mendonte se do të miratohej ligji për lojërat e fatit dhe prandaj ishte bërë ortak në shoqëri të tilla. Ajo shtoi se ligji nuk u miratua dhe për rrjedhojë, ortakët e huaj tërhoqën vlerat monetare që kishin depozituar në llogaritë e shoqërive.

Subjekti kërkoi që të zerohen vlerat e konsideruara si të investuara në dy shoqëritë, pasi nuk kishte kryer derdhje.

Lidhur me konstatimin e konfliktit të interesit, Rrumbullaku tha se bashkëshorti në atë shoqëri kishte qenë vetëm aksioner dhe jo administrator, e për rrjedhojë nuk kishte pasur dijeni të hollësishme për kontratat. Sipas saj, bashkëshorti i kishte shpjeguar se kishte pasur pak informacion se kontratat ishin lidhur me kompaninë ÇEZ-DIA, që ishte private.

Rrumbullaku deklaroi se menjëherë pasi ILDKPKI kishte konstatuar në vitin 2016 gjendjen e konfliktit të interesit, bashkëshorti i kishte shitur aksionet. Subjekti nënvizoi se ajo nuk kishte pasur informacion dhe se bashkëshorti kishte pasur të dhëna sipërfaqësore dhe për rrjedhojë nuk ishin në kushtet e konfliktit të interesit.

Lidhur me një institut privat, Rrumbullaku tha se bashkëshorti kishte dëgjuar se do të miratohej një ligj për të mundësuar një gjë të tillë dhe prandaj e kishte krijuar këtë shoqëri.

Në vijim u konstatua se ai ka blerë një apartament me çmim me të ulët se ai i referencës dhe kontratat e tjera në të njëjtin objekt.

Rrumbullaku shpjegoi se kishte qenë shitësi që kishte ofruar një çmim të mirë pasi i nevojiteshin likujditete dhe kishte sygjeruar që të shisnin apartamentin që zotëronin. Sipas subjektit, ata ishin detyruar që në vijim të qëndronin me qira për rreth tre vjet e gjysmë, pasi ortakët e firmës ndërtuese kishin pasur konflikte dhe për rrjedhojë, kishin shpenzuar më shumë, duke mos pasur trajtim preferencial. “Ai çmimi na doli nga hundët se investitorët patën konflikte”, tha subjekti dhe vërejti se kishte depozituar edhe kontrata të tjera, ku rezultonte që kompania ndërtuese kishte ofruar çmime të ulëta.

Po ashtu, është evidentuar se bashkëshorti Rrumbullakut ka porositur dhe një tjetër apartament, pasuri për të cilën rezulton të ketë pasur shkëmbime vlerash monetare. Kontrata rezulton të jetë revokuar brenda vitit. Megjithëse shoqëria ndërtuese ka shpjeguar për Komisionin se nuk ka pasur asnjë pagesë nga ana e bashkëshortit të subjektit, por është rënë dakord për ofrimin e konsulencës juridike, Faskaj tha se nuk është arritur të provohet një gjë e tillë.

Subjekti tha se bashkëshorti e kishte porositur këtë apartament për të vëllanë që jetonte në Greqi, por pasi ku i fundit nuk kishte shfaqur më interes, e kishte revokuar kontratën. Ajo pranoi se ishte e vërtetë se në kontrata ishte shënuar se kishte pasur pagesa, por se në të vërtetë nuk ishte shlyer asnjë lek.

Nga analiza financiare e përgjithshme, është konstatuar një bilanc negativ total në vlerën rreth 53 milionë lekë, që sipas KPK ka rezultuar kryesisht gjatë periudhës 2013-2015, për investimet e kryera nga bashkëshorti subjektit.

Prokuorja Ornela Rrumbullaku kërkoi që të moskonsideroheshin shpenzime për investimet e bashkëshortit, duke pretenduar se nuk kishte pasur kapital të tijin, si dhe të përfshiheshin të ardhurat e përfituara prej tij. Në përfundim ajo kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 4 shtator, në orën 09:45.

Artikulli paraprakTensionet Kosovë-Serbi/ Analiza e REL: Edhe nëse ka dialog, s’priten rezultate
Artikulli tjetër“Asnjë funksionar i PPSH-së nuk ka pasur njëkohësisht kaq shumë funksione”/ Analisti: Për të qartësuar meritokracinë e Berishës, shihni se si njerëzit besnik të tij mbajnë nga 9 funksione në PD