Gjatë ditëve të fundit, ujërat e Liqenit Artificial të Tiranës kanë pësuar ndryshime në ngjyrë, ku dallohen qartë një shtresë e gjelbër dhe një aromë karakteristike algash.
Aleko Miho, profesor në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe aktivist mjedisor, shpjegon se kjo është një shtresë algash blu të gjelbra, një gjini cianobakteresh që gjenden shpesh në komunitetin e fitoplanktonit të ujërave të ëmbla.
Profesor Miho shtoi se pas analizës mikroskopike të një mostre uji të marrë nga Liqeni Artificial, u zbulua se bëhej fjalë për një lulëzim të cianobakterit “Microcystis aeruginosa”, ndër të tjera i njohur si një lloj helmues.
“Këto lulëzime janë pasojë dhe sinjale të ndotjes së madhe me lëndë ushqyese, që vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane, por jo vetëm, të cilat grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme në këtë liqen,” shkruan profesor Miho në një reagim publik në Facebook.
Trajtimi i ujërave të zeza mbetet sfidë për cilësinë e jetës së specieve që jetojnë në liqenin artificial. Foto_Nensi Bogdani
Eksperti Miho sqaron se kjo dukuri konsumon oksigjenin e tretur në ujë, duke krijuar kushte anaerobe dhe, për pasojë, shkakton ngordhjen masive të kafshëve dhe bimëve ujore që ndodhen në ujërat e kontaminuara.
Ai i bëri thirrje Bashkisë së Tiranës që me urgjencë të largojë shkarkimet dhe grumbullimin e ujërave të zeza nga liqeni.
Këto baktere vijnë si pasojë e ndotjes së madhe me lëndë ushqyese që vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane. Foto_Nensi Bogdani
“Mbetet një sfidë grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza për të gjithë pellgun e Tiranës, si një domosdoshmëri për cilësinë e jetës së njeriut dhe të gjithë botës së gjallë,” theksoi profesor Miho./ BIRN