Fotografë nga disa shtete të Evropës dhe Ballkanit Perëndimor morën pjesë në aktivitetin “Një udhëtim përmes biodiversitetit dhe mrekullive të pamjeve të Liqenit të Shkodrës”, zhvilluar me datat 2,3 dhe 4 korrik 2021.
Bashkia e Shkodrës njoftoi se ky aktivitet, i ideaur nga z. Jetmir Troshani, themelues i Wild Europe, u mbështet dhe u mundësua falë bashkëpunimit të ngushtë me Wilde Europe me bashkinë e Shkodrës.
Në ditën e parë të aktivitetit fotografët nga Franca, Gjermania, Zvicra, Hungaria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Greqia patën mundësinë të njiheshin me qendrën historike të qytetit të Shkodrës dhe padyshim me një nga margaritarët e tij, Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Dita e dytë ishte programuar të niste herët në mëngjes, me lindjen e diellit, me një ngjitje në malin e Taraboshit ku para fotografëve të “botës se egër” u shpalos pamja madhështore e Liqenit të Shkodrës. Ekrani i gjerë me pamjet e mrekullueshme të Alpeve të Shqipërisë, qyteti i Shkodrës, Kalaja Rozafa, bashkimi i tre lumenjve, Drin, Kir dhe Buna si dhe panorama mahnitëse, e cila atë ditë, për shkak të kohës së mirë, u shtri deri në detin Adriatik.
Në vazhdim miqtë fotografë të “botës së egër”, të shoqëruar edhe nga media lokale dhe kombëtare, vazhduan udhëtimin me varka në Liqenin e Shkodrës, për të fotografuar kryesisht faunën e tij e në veçanti dallëndyshen e detit faqebardhë dhe pelikanin kaçurrel.
Shumë interesant ishte fakti se disa nga pjesëmarrësit fotografuan për herë të parë dallëndyshen e detit faqebardhë si Stefan Schlegl nga Berlini, apo Erica Gombos nga Hungaria dhe Nenad Mihajlivic nga Novisadi i Serbisë, fotografuan për herë të parë pelikanin kaçurrel.
Shpendi më i fotografuar nga të gjithë pjesëmarrësit rezultoi të ishte dallëndyshja e detit faqebardhë pranë zonës së zambakëve të ujit të Liqenit të Shkodrës.
Vassilis Theodoridis nga Greqia propozoi bashkëndarjen e fotografive më të mira të dallëndyshes së detit faqebardhë nga secili fotograf pjesëmarrës dhe realizimin e një fotoalbumi.
Padyshim një nga vlerat e mëdha të këtij takimi, të theksuar nga çdo pjesëmarrës, ishte shkëmbimi i eksperiencës dhe njohurive për fotografinë e “botës së egër”, promovimi i ruajtjes së mjedisit dhe bukurive të faunës dhe florës, zbulimin e bukurive dhe thesareve të natyrës por dhe krijimi i miqësive të reja nëpërmjet forcimit dhe konsolidimit të rrjetit të bashkëpunimit të fotografëve të “botës së egër” Wilde Europe.
Fjala përshëndetëse e kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi
Ne kemi mbështetur si qytet një aktivitet ndërkombëtar që organizohet nga të apasionuarit e fotografisë, po mbi të gjitha nga adhuruesit e natyrës, duke venë në dispozicion përveç asetit tonë, përmes mbështetjes që bashkia jep, edhe mundesinë për të vëzhguar dhe fotografuar atë çfarë është mrekullia që na ofron Shkodra, sidomos liqeni i saj.
E kemi gjetur me vend që ta mbështesim këtë aktivitet, për të dytën herë radhazi, në kuadër të një promovimi që duam t’i bëjmë qytetit të Shkodrës.
Në kuadër të një sensibilizimi që kërkojmë të rrisim përmes mbrojtjes së natyrës duke e fotografuar atë dhe mendoj që të gjithë këto fotografë na bëjnë një shërbim shumë të madh, gjë që është e mirë edhe për vetë qytetin e nga ana tjetër i shtojnë një vlerë të rëndësishme që është arti përmes fotografisë, nje vlerë jo vetëm për qytetin por edhe për t’u promovuar jashtë vendit.
Unë kam admiruar vullnetarizmin, pasionin dhe dëshirën për bashkëpunim, pavarësisht se të gjithë këto fotografë deri tani kanë komunikuar dhe bashkëpunuar vetëm përmes rrjetit. Dhe fakti që bëhen bashkë, për herë të parë, këtu në Shkodër, për të promovuar natyrën, unë personalisht e kam gjetur shumë mahnitëse dhe i kam falenderuar me zemër, për të dytin vit radhazi dhe pikërisht për këtë event që ato bëjnë në Shkodër, i cili urojmë mos të jetë i fundit. Unë shpresoj që të kthehet në një aktivitet të qëndrueshëm, të përvitshëm dhe me përmasa më të mëdha.