Më 20 shkurt 1991, të gjitha kanalet televizive të botës transmetuan si lajm të parë një vullkan urrejtjeje, që u zbraz mbi një statujë shtatë metra të lartë të diktatorit Enver Hoxha. Ndonëse busti i udhëheqësit komunist nuk ishte veçse një tog bronzi, i vendosur në sheshin më të madh të Tiranës, përmbysja e tij ishte simboli i rrëzimit të një sistemi dogmatik që i kishte ardhur koha të ikte. Lulëzim Lika, në atë kohë fotoreporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ishte një nga të paktët që arriti të fiksonte këtë moment historik. Fotoja e rrëzimit të bustit u transmetua nga ATSH-ja, me diçiturën “Pamje nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës”, paçka se, për ironi të fatit, në agjencinë e vetme të lajmeve punonte në një post drejtues nusja e djalit të Enver Hoxhës. Por, do të ishte kjo foto që do t’i ndryshonte karrierën fotoreporterit Lika, sepse të nesërmen, drejtues të “Reuters” i kërkuan atij të punonte për agjencinë prestigjioze, me të cilën Lika punon edhe sot.
Armando Babani, fotoreporter, kujton se në ato ditë gri e mbante aparatin gjithnjë me vete. Studentët në qytezën e tyre ishin në kulm të protestave kundër regjimit komunist. Për fat, Babani u ndodh në Sheshin “Skënderbej”, në momentin e duhur. Në tarracat dhe ballkonet e ndërtesave, përbri bustit, kishin hipur qindra njerëz. Ishin disa syresh që e ngjitën Babanin në një nga ballkonet e katit të dytë, ku ai do të arrinte të fiksonte momentet historike. “Hipeni lart se është fotograf!”, kujton sot Babani. “Mund të kem bërë 9-10 shkrepje dhe ishte e gjitha kjo, gati 1 sekond e gjysmë, se më pas bustin e mbuluan njerëzit. Unë nuk e dija ç’do të ndodhte më vonë, por sot them se këto kanë qenë fotografitë e jetës sime”, thotë Babani, një nga fotoreporterët më të njohur në Shqipëri. Fotografitë e Babanit u botuan në gazetën “Republika” dhe “Rilindja Demokratike”, ndërsa sot fotot e Likës nga ATSH-ja, të Babanit, por edhe një fotoreporteri italian, ndodhen në të gjitha arkivat e medias në botë.
Fatmir Çepani, operator në Televizionin Shqiptar, ishte i vetmi që hodhi në celuloid këto momente historike. “Me kameran në sup, ku mbaja edhe peshën e dhjetëra njerëzve që vrojtonin mbi trupin tim, arrita të xhiroja atë që po ndodhte në shesh”.
17 minuta xhirim të Fatmir Çepanit, shprehin përjetimet e këtyre momenteve historike, ku mbretëronte kaotizmi, turmë e revoltuar, plumba, gurë dhe forca të blinduara të policisë.
Përleshja e qytetarëve me policinë në rrugët e Tiranës
Forca të shumta Speciale, të Ruajtjes së Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisura me skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri, kishin bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e Radiotelevizionit. Gjithashtu për këtë qëllim, ato kishin bllokuar rrugën automobilistike edhe me dy makina IFA të ushtrisë. Një zjarrfikëse e madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe hedhëse prej 20-30 metrash, duke lagur të gjithë protestuesit. Kjo gjë irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek gardhi i madh i policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan përtokë. Kishte shumë me fëmijë të vegjël të tyre dhe ndër to ishte edhe zonja Liri Berisha me djalin e saj të vogël, Shkëlzenin. Zjarrfikësja hidhte ujë me ngjyrë të kuqe dhe nga kjo nuk shpëtoi as Liri Berisha, e cila u lag nga uji i ngjyrosur me të kuqe dhe u dëmtua edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses. Duke parë këtë moment të rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të smbrapste një pjesë të protestuesve deri tek ish-Shkolla “Kosova” ku edhe aty u bënë përleshje fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla.
Ndërsa turma kryesore e protestuesve prej mijëra vetash, duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu sul me një vrull dhe kurajo gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë. Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u detyrua të tërhiqej tek godina e Radiotelevizionit.
Këtu policia filloi të shtënat në ajër, të hedhë gazlotsjellës dhe të vërë në veprim edhe qentë e kufirit ndaj protestuesve. Në këtë moment duhet të falënderojmë punonjësit e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të Institutit të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: “Mos qëlloni, mos qëlloni”. Këtu u bë një përleshje e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë edhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën pranë godinës së Kryeministrisë, duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5 mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut qeveritar.
Afro 10 deri 15 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit të ish-Drejtorisë së Pritjes. Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq, disa prej ushtarëve filluan edhe të qanin. U nxitën protestuesit që ata të fillonin thirrjet: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Ata i lirojnë ushtarët, iu dhanë edhe pajimet përkatëse me vete, si dhe nuk lejuan që të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar. Tek Liceu Artistik, një turmë tjetër e madhe Forcash të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Rendit, të shoqëruar edhe me qen kufiri, kishin përçarë dhe ndaluar turmën e madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti “Studenti”.
Arben SHAHINI