– Çfarë pa dhe fotografoi gazetari turk i ‘National Geographic’ Mehmet Biber, në Shqipërinë e izoluar të 1980-ës…?! –
‘National Geographic’, realizoi në numrin e tetorit 1980, një reportazh në Shqipërinë e izoluar prej regjimit komunist. Plot 36 vjet më vonë, ky shkrim i gazetarit turk, Mehmet Biber, zbulon kureshti që kanë nisur të mbulohen nga pluhuri i viteve…! “Të realizojmë të gjitha detyrat dhe të shkatërrojmë bllokadën”, dikton kjo tabelë në qytetin shqiptar të Shkodrës, por izolimi i Shqipërisë nga bota është rezultat i politikës së brendshme. Pa aleatë dhe e rrethuar nga kombe që kanë pasur synime historike aneksuese ndaj tokës së saj, Shqipëria është e mobilizuar që të ecë e vetme nën diktaturën e rreptë të Enver Hoxhës, i cili ka mbajtur pushtetin për 36 vjet. Simbolet e kazmës dhe pushkës, dominojnë skenat publike. Një marksist-leninist dogmatik, Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilin e konsideron “revizionist”, në 1961, dhe i prishi lidhjet me Republikën Popullore të Kinës, dy vjet më parë. Rruga e vetëmjaftueshmërisë është shpesh një rrugë e vështirë.
– “Marksizëm-Leninizmi është lënda bazë në të gjitha fakultetet, që çon drejt ‘formimit ideologjik’ të studentëve. Kurset thelbësore përfshijnë historinë e Partisë Shqiptare të Punës, politikat ekonomike të kapitalizmit dhe socializmit, materializëm dialektik, filozofi ‘revizioniste’ – dhe sigurisht, veprat e Enver Hoxhës. Plani pesëvjeçar përcakton kuotat universitare, me kuota sipas rajonit dhe profesionit të familjes – nga një e treta për secilin: punëtorët, fermerët dhe intelektualët. Ata, familjet e të cilëve kanë qenë pronarë ose tregtarë në sistemin e kaluar, e kanë më të vështirë”.
– “Po nëse studentët nuk marrin provimet?”
– “Rinia jonë është idealiste. Në fund të vitit, 96% kalojnë. Ata që ngelin, transferohen në një fermë ose fabrikë. Ki parasysh, plani ynë 5-vjeçar përcakton sa doktorë, inxhinierë, gjeologë, shkencëtarë dhe mësues i nevojiten vendit çdo vit. Ky universitet nuk mund të prodhojë më pak. Duhet të kemi të rinjtë më të mirë për të arritur objektivat tona në përputhje me planin”.
Të punosh për shtetin…!
“Plani”. Fraza dukej se ndillte një frikë të përzier me nderim, sa herë që përdorej. Vërtetë, në një ekonomi kaq të centralizuar në mënyrë kaq dogmatike sa ajo e Shqipërisë, plani është i shenjtë. Plani bazohet në shtetëzimin total të pronës. Çdo dyqan, restorant dhe kioskë, i përket shtetit. Çdo taksist, berber, kamarier, furrxhi dhe artist, punon për shtetin. Fermerët punojnë ose në ferma të drejtuara nga shteti ose në kooperativa të sanksionuara nga shteti. Duke ardhur nga një Turqi e pllakosur nga inflacioni, gjeta një tërheqje të pamohueshme nga disa aspekte të ekonomisë së Shqipërisë. Pa taksa mbi të ardhurat. Pa inflacion. Pa varësi nga burimet e jashtme të energjisë. Dhe meqë gjithçka është rreptësisht e kontrolluar nga shteti, nuk ka ngritje çmimesh – ose rritje rrogash.
Punonjësit e fabrikave dhe fermerët, zakonisht marrin 600 deri në 700 lekë në muaj (një dollar është i barabartë me 5 lekë); një profesor universiteti rreth 1.000. Nivelimi i pagave vendos një tavan prej 1.200 lekësh, përveç zyrtarëve të lartë. Me standardet Perëndimore, rrogat janë të ulëta. Por ashtu janë dhe shumë prej çmimeve. Në dyqane gjeta mish me 12 deri në 18 lekë për kilogram ($1.10 deri në $1.60 paundi), bukë 2 lekë (18¢ për paund); një paketë cigaresh vendase kushton 2 lekë (40¢).
Veshmbathja është ajo që e dëmton më shumë buxhetin familjar. Kam parë kostume meshkujsh të bëra në Shqipëri, që kushtonin sa rroga e një muaji, të cilat nuk do doja t’i blija. Këpucët janë 100 lekë, këmishët 50 lekë – por cilësia është e dobët. Plani kufizon 250 milionë dollarët e importeve, kryesisht në makineri bazike, pjesë këmbimi dhe materiale të papërpunuara, të balancuara nga eksporti.
Shqipëria i mban qiratë e ulta – zakonisht jo më shumë se 5% të të ardhurave familjare. Por zyrtarët pranojnë se ka mungesa apartamentesh, veçanërisht për çiftet e sapomartuara. Shërbimet shëndetësore dhe edukimi janë falas, dhe shqiptarët paguajnë pak për transport apo argëtim. Edhe Tirana ofron pak mundësi argëtimi: disa teatro që shfaqin filma ideologjikë, shfaqje, opera dhe programe folklorike, por nuk ka klube nate, të cilat vijnë erë dekadence borgjeze. Tirana ka më shumë restorante se qytetet e tjera, por pak mund ta përballojnë të hanë jashtë shpesh. Shqiptarët kanë pijen e tyre të fortë të rrushit, raki, si dhe konjak, verë dhe birrë. Por ata nuk janë pijetar. Në Tiranë një djalë mund ta çojë të dashurën në një park, nëse e lejon moti, ose për të parë një film mbi temën e preferuar, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Sami Kohen, pa një ballo të organizuar nga fabrika në Pallatin e Kulturës. Çifte të reja qëndronin të ngrirë, duke kërcyer foks-trot dhe tango të vjetra, me një orkestër amatore. Zotëronte disiplina dhe qetësia. Në fakt, “revolucioni kulturor” i Shqipërisë, vendos rregullat për sjelljen e rinisë dhe pamjen. Jo vetëm flokët e gjata dhe minifundet, por edhe xhinsi, pantallonat e ngushta dhe make-up, janë tabu. Jo drogëra, seks paramartesor, shaka vulgare ose çamçakëz. Muzika rrok dhe xhazi me ritme të forta, nuk shihen me sy të mirë. Vizitorët e huaj zakonisht i kalojnë netët në barin, tavernën dhe restorantin e Hotel “Dajti”-t, ku kuzhina është relativisht e mirë. “Përveç festave të ambasadave, zor se ka ndonjë vend tjetër ku të shkosh, ndonjë gjë për të bërë ose dikë me të cilin të flasësh”- u qa një diplomat i ri perëndimor, posti i mëparshëm i të cilit ishte në Paris.
E ktheva këtë në një mundësi për të mësuar më shumë mbi rrënjët e mosbesimit të Shqipërisë ndaj botës së jashtme. “Nëse do isha shqiptar, dhe unë do isha dyshues”, – filloi informatori im. “Vazhdimisht fqinjët grabitqarë, i kanë pushtuar: Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, morën copa të mëdha nga territori shqiptar. Ki parasysh, 1 milion e gjysmë shqiptarë jetojnë sot në Jugosllavi, sa gjysma e shqiptarëve në Shqipëri. Për 70 vjet, Greqia kishte pretendime mbi Epirin e Veriut, që është Shqipëria jugore. Derisa diplomatët perëndimorë vunë veton e tyre, Musolini marshoi dhe pushtoi të gjithë vendin në vitin 1939. Më vonë, Tito donte ta bënte Shqipërinë një republikë të shtatë jugosllave. Një histori e tillë la plagë të thella”!
Shqipëria sot nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shtetet e Bashkuara, Britaninë apo Gjermaninë Perëndimore. A do ndryshojë kjo politikë tani që Shqipëria ka prishur marrëdhëniet më Bashkimin Sovjetik dhe Kinën? “Shtetet e Bashkuara janë një superfuqi anki-imperialiste, po aq kërcënuese ndaj nesh sa Rusia social-imperialiste dhe Kina revizioniste” – i tha një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, Sami Kohen-it. “Amerikanët u përpoqën të na afroheshin pas prishjes me Kinën, por ne nuk duam të kemi të bëjmë me ta”. “Britania ende mban 40 milion dollarë ar shqiptar, të marrë pas Luftës së Dytë Botërore”, – u ankua një gazetar. “Gjermania refuzon të na paguajë dëmet për pushtimin nazist, që kapin vlerën e 4.5 bilionë dollarëve. Ne kurrë nuk do të pranojmë marrëdhënie diplomatike me asnjë nga shtetet pa paguar”!
Të shkojmë drejt së ardhmes!
Shqipëria e sotme është e projektuar në imazhin e Enver Hoxhës, tani përtej të 70-ave. Po pas tij? Me redaktorin e “Hostenit”, një revistë humoristike, rikujtova ndryshimet e Bashkimit Sovjetik pas Stalinit dhe të Kinës pas Maos. A kishte ndonjë mundësi që dhe Shqipëria mund të zbutej pas Enver Hoxhës? – “Ti na ka krahason me ato vende revizioniste”? – qortoi ai, gjithë zell. – “Jo, asgjë nuk do të ndryshojë, pasi shoku Enver të ndërrojë jetë. Partia dhe kombi, janë të lidhura fort. Mësimet e tij na japin neve drejtimin tonë. Ne nuk do devijojmë prej tij”.
Në vend që të hapet ndaj botës, Shqipëria e vet-izoluar, rri gjithmonë gati për luftë. Përveç dy viteve shërbim ushtarak për të rinjtë, të gjithë qytetarët e aftë fizikisht, pavarësisht profesionit të tyre, duhet të shërbejnë një muaj ose më shumë në forcat e armatosura. Ushtrimet e shpeshta ushtarake në të gjitha fabrikat, fermat, dhe zyrat përgatisin popullin kundër sulmeve.
Kudo ku udhëtova – në bregdet, në shtigje malore, në fusha, në parqet e qyteteve, ndërmjet blloqeve të pallateve – pashë bunkerë, emri i tyre popullor . Ata duken – dhe dalin – si kërpudha. “Më shumë beton dhe çelik shkon për bunkerët se për strehim”, – më tha një diplomat. E dija se Enver Hoxha shqetësohej për të ardhmen e Jugosllavisë pas Titos – dhe makthin e një pushtimi Sovjetik. A ndihet vërtet e kërcënuar Shqipëria? “Duhet të përgatitemi për më të keqen”, – më tha një gazetar shqiptar.
“Por a mundet Shqipëria e vogël të përballojë sulmin e një fuqie të madhe”? Armatimet e Shqipërisë, kryesisht të prodhuara në Kinë, janë demode, dhe vëzhguesit diplomatikë në Tiranë, thonë që vendi mund të kërkojë armë në Europë. – “Edhe nëse armiku është superior numerikisht, ne mund t’i ndalojmë ata. I gjithë populli do të mobilizohet në çast. Malet dhe lumenjtë tanë e bëjnë Shqipërinë si një fortesë natyrore. Çdo sulm do t’u kushtonte shtrenjtë pushtuesve”. Mendova për shtëpitë e gurit në Gjirokastër dhe qytetet e tjera malore, muret pa dritare poshtë dhe frëngjitë lart – çdo shtëpi një fortesë, trashëgim i shekujve gjakmarrje. Dhe m’u kujtua kalaja e shekullit të 15-të në Krujë – fortesa nga e cila Skënderbeu udhëhoqi 25 vjet luftën kundër otomanëve.
I lindur Gjergj Kastrioti, dhe i dërguar si peng në moshë të re në oborrin e Sulltanit, u ngrit në komandën e lartë në Perandorinë Otomane. I ri quajtur pas Aleksandrit të Madh (Iskander Bej, në turqisht) të cilin turqit e admironin, Skënderbeu dezertoi dhe udhëhoqi 300 kalorës shqiptarë, për të rimarrë trashëgiminë e tij. Ai braktisi Islamin dhe frenoi rrjedhën turke në Europë, deri në vdekjen e tij në 1468.
Ai u mbajt si një simbol rezistence. Dhe ishte nën flamurin e Skënderbeut – shqiponja e zezë dy krenare në një fushë të kuqe gjaku – që partizanët e Enver Hoxhës, përparuan Shqipërinë e pavarur të sotme.
Shteti ndalon “Opiumin e Popullit”
Shiu përhiri Liqenin e Shkodrës dhe mbështolli të egrat Alpe Shqiptare të Veriut, që ruajnë kufirin me Republikën Jugosllave të Malit të Zi. Përgjatë grykëderdhjes së liqenit, e cila është e lundrueshme deri në Adriatik, shtrihet Shkodra, kryeqyteti antik i Ilirisë. Mbi të, një kala mesjetare të sjell ndërmend zotërit venecianë. Një monument në një park aty nderon pesë partizanë shqiptarë, të cilët u vetëflijuan duke zmbrapsur 300 pushtues nazistë. Afër tij më çuan të vizitoja Muzeun e Ateizmit të Shkodrës. Nën sloganin e Marksit; “Feja është opium për popullin” – drejtori, një burri i ftohtë i veshur me gri, me zë të ashpër, më tha se feja kishte penguar pavarësinë e Shqipërisë.
Për shkak se turqit e identifikonin kombësinë me fenë, shqiptarët e besimit myslimanë (rreth 70% e popullatës) konsideroheshin turq. Të krishterët ortodoksë (rreth 20%) quheshin grekë, dhe katolikët romanë (rreth 10%) latinë. Shërbimet si rrjedhojë kryheshin, jo në shqip, e cila ishte e ndaluar dhe nuk kishte as alfabetin e saj roman deri në vitin 1908, por në 3 gjuhë të huaja: arabisht, greqisht dhe latinisht. “Gjatë përpjekjeve për të ndërtuar kombin tonë shqiptar,” vazhdoi ai, ndërkohë që më tregonte ekspozita mbi abuzimet klerikale, “kishat shërbyen si një kolonë e pestë për fashizmin, imperializmin dhe kundërrevolucionin.”
Regjimi i Hoxhës ekzekutoi klerin, i dënoi në kampe pune, ose i caktoi në “punë prodhuese”. Vendet e tjera komuniste e mbajnë nën fre fenë; Shqipëria e ndalon atë, duke e shpallur veten “shteti i parë ateist në botë” në vitin 1967. Të gjitha 2.169 xhamitë, kishat, manastiret dhe vendet e tjera të “obskurantizmit dhe misticizmit”, janë mbyllur, shembur ose shndërruar në qendra rekreacioni, klinika, magazina ose stalla. Katedralja e madhe e Shkodrës, kumbon nga britmat e 2.000 fansave të basketbollit. Gjenerata e re e Shqipërisë njeh vetëm ateizëm. Besimi Marksist-Leninist zëvendëson besimin fetar. Librat e Enver Hoxhës, të botuara pjesë-pjesë në gazeta, të cituara në radio, sloganet e përzgjedhura shërbejnë si një Testament i Ri. Hoxha mbahet si një mesi – pafundësisht i mençur, largpamës dhe dashamirës, por gjithashtu i paepur ndaj armiqve të tij.
Lartësimi i profilit të Liderit
Duke jetuar veçmas popullit të tij në një kompleks të ruajtur mirë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe duke udhëtuar në një “Mercedes” me perde, Enver Hoxha është i kudondodhur. Portreti i tij të sheh nga çdo mur, edhe nga kamionë dhe traktorë. Emri i tij është i gdhendur në faqet e kodrave me germa dhjetëra metrash. Vendlindja e tij – një shtëpi guri dykatëshe në Gjirokastër – është një vend i adhurimit kombëtar.
Një mjeshtër i vetëruajtjes staliniste, Hoxha ka asgjësuar në mënyrë të pamëshirshme çdo kundërshtar në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Elita revolucionare, e bindur që natyra njerëzore mund të formohet nga indoktrinomi i vazhdueshëm, ka vendosur të krijojë një qytetar të ri shqiptar i cili pa dyshim do të bëjë çdo sakrificë në luftën e vendit të tij ndaj “rrethimit të egër imperialist-revizionist”, për të ndërtuar një shoqëri të lirë nga herezia e individualizmit, mendimit të pavarur apo moralit të huaj.
Ndërkohë që përpiqet të riformësojë qytetarët e vet, ky vend i vogël, dikur i prapambetur, e ka ngritur veten në mënyrë mbresëlënëse me forcat e veta. Le të marrim kombinatin e madh metalurgjik në Elbasan, të quajtur “Çeliku i Partisë”; stacionin hidroelektrik në Fierzë, të pagëzuar “Drita e Partisë”; një regjistrim studentor prej 700.000 përkundër 56.000 në 1938; çuarjen nga dy radio transmetues në 1945, në 52, brenda dy dekadash; jetëgjatësia mesatare gati e dyfishuar në 4 dekada – të gjitha arritje të dukshme.
Regjimi gjithashtu po përpiqet të zbërthejë strukturën klanore patriarkale, që ka mundësuar jetën shoqërore në malet e egra të Shqipërisë. Duke vepruar kështu, po shuan hakmarrjet, të cilat deri në vitin 1920, shkaktonin vdekjen e 1 në 4 meshkujve. Ka ndaluar dhe marrjen e gjakut për tradhti. (Tradita e maleve i jepte të drejtën burrit, të vriste bashkëshorten e tij dhe dashnorin e saj. Familja e saj, në një ritual aprovimi, i jepte një plumb atij!)
Reformuesit i dhanë fund martesave në djep dhe shitjes së nuseve 12-vjeçare, ata sulmuan zakonet që e mbanin femrën shqiptare të konsideruar tradicionalisht, si “me flokë të gjata e, mendje të shkurtër”, me një pozicion inferior. Asnjë cep i jetës shqiptare, materiale ose shpirtërore, nuk i kishte shpëtuar impulsit të Hoxhës për kontroll. Njerëzit me emra “të papërshtatshëm ose fyes”, nga pikëpamja politike, ideologjike ose morale, duhet t’i ndryshonin ato. As të vdekurit nuk shmangeshin nga zelli reformues i Hoxhës. Varrosjet, të paguara nga shteti, bëhen në toka të përbashkëta, pa ndarjen fetare tradicionale.
Po të kthesh anën e ndritshme të monedhës së rritjes së “mësimit të shkrimit e këndimit” (siç shpreheshin) të shfaqet ana e errët të rritjes së kontrollit të mendimit, pasi Drejtoria e Agjitacionit dhe Propagandës, përcakton çfarë do të lexojnë shqiptarët, siç shteti vendos kush do të punojë ku, kush do të shpërblehet dhe kush do të ndëshkohet.
Shoqëria dyshuese mbyll dyert e saj. Dora e ashpër e historisë, ka fiksuar dyshimin në psikikën shqiptare. Pas tre javësh në Shqipëri, kuptova se sa pak kisha arritur të penetroja në fasadën e këtij eksperimenti social ogurzi. Kurrë në udhëtimet e mia nëpër botë, nuk kisha hasur në një shoqëri kaq të mbyllur, nuk isha ndjerë kaq shumë në ishull. I shoqëruar dhe i vëzhguar gjatë gjithë kohës, ndjeva se makina e verdhë e dallueshme në të cilën udhëtova, ishte si kambana që lajmëronte afrimin e lebrozit mesjetar.
Guida ime, Bashkim Babani, rrinte mbrapa meje që të shihte se çfarë po regjistronte kamera ime. Ai më lejonte të fotografoja jashtë uzinave industriale, por jo t’i vëzhgoja gjatë punës, të vizitoja një digë hidroelektrike, por jo centralin elektrik. Në një distileri, më dhanë të pija raki, por nuk mund të shihja sesi prodhohej. Kërkesat për të vizituar familje dhe shtëpi, ishin shmangur me mirësjellje, ose injoruar. Asnjë foto të bunkerëve, gomarëve, asgjë primitive, sigurisht. Por Bashkimi më ndaloi edhe të riprodhoja imazhet e kartolinave shqiptare. Një qytetar kundërshtoi fotografimin e fëmijëve, para Teatrit të Kukullave të Tiranës. Bashkimi më shkurajoi bërjen e fotove gjatë një ceremonie dasme. Regjimi i minimizon festime të tilla tradicionale. As nuk mbaj mend, të kem parë ndonjë qen ose mace shtëpiake, lukse borgjeze.
Një herë fillova një bisedë drejtpërdrejt me një fshatar në turqisht. Bashkimi e ktheu menjëherë bisedën në shqip dhe i përktheu përgjigjet në zhargonin e zakonshëm të partisë. As nuk mund të çaja mbrojtjen e tij. Ai ishte korrekt dhe i përzemërt, siç ishin shumica e shqiptarëve. Vetëm një herë më ndodhi të has në një thyerje të mikpritjes – një adoleshent në një fermë kolektive rrushi afër Shkodrës, pështyu te këmbët e mia dhe lëshoi një slogan; “poshtë të huajt”. U përpoqa të thyeja barrierat, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll, me gruan dhe djalin tim. Por ai kur nuk e hapi perden, si në “Mercedesin” e Enver Hoxhës, për të më lejuar një vështrim në jetën dhe mendimet e tij private. Me të vërtetë, ai dukej se mishëronte të njëjtën sjellje, të njëjtën maskë, që vendi i tij vesh në mënyrë kaq sfiduese. Memorie.al