Franca është gati, Europiani i Futbollit ngroh motorët për një eveniment që do të mbahet mend gjatë. Shqiptarët e kanë një motiv të fortë për ta shënuar datën 10 qershor në ditarin e tyre, pasi në vitin 2016 të gjithë do të jenë dëshmitarë të debutimit historik në një eveniment kaq prestigjioz. Franca e organizon për herë të tretë europianin dhe pret një event madhor pas 18 viteve. Bashkë me Gjermaninë, Anglinë, Italinë dhe Spanjën, kombëtarja e vendit organizator është pjesë e grupit të pretendentëve, ndërsa kombëtare si Belgjika, Suedia, Çekia, Portugalia, Rusia dhe Zvicra do të synojnë të bëjnë surprizën. Shqipëria, Irlanda e Veriut, Islanda, Uellsi dhe Sllovakia janë debutueset absolute, ndërsa Holanda për herë të parë pas shumë dekadash është e detyruar ta ndjekë europianin nga shtëpia.
53 ishin skuadrat që morën pjesë në eliminatore, por vetëm 24 u kualifikuan në fazën finale. Gjithçka do të fillojë dhe do të mbarojë në “Stade De France” dhe si asnjëherë më parë siguria është shqetësimi kryesor i organizatorëve që kanë angazhuar mijëra forca sigurie për shkak të frikës nga sulme të ngjashme me ato të muajit nëntor. 552 është numri i lojtarëve të grumbulluar, por vetëm 23 prej tyre do të jenë kampionët e rinj të kontinentit që vlen pothuajse sa gjysma e botërorit. Mesi, Higuain, Sanchez, Suarez apo Cavani janë të angazhuar në cepin tjetër të planetit për Kupën e Amerikës, por Cristiano Ronaldo, Zlatan Ibrahimoviç, Thomas Muller, Paul Pogba, Andrés Iniesta, Gareth Bale, Robert Lewandowski apo Eden Hazard do të ndezin 10 stadiumet e angazhuara për të pritur më të mirët e futbollit europian.
“Stade De Frannce” është stadiumi më i madh me rreth 80 mijë vende, ndërsa ai i Toulouse më i vogli me 33 mijë. Nga Lile në Marseille, e gjithë harta gjeografike e Francës përfshihet nga ethet e futbollit, ndërsa risia më e madhe e këtij sezoni është pjesëmarrja e 24 skuadrave si asnjëherë më parë. 6 grupe me nga 4 skuadra ku dy të parat e çdo grupi kualifikohen automatikisht bashkë me 4 të tretat më të mira.
Për herë të parë, UEFA mund të aplikojë edhe lotarinë e 11 metërshave që në fazën e grupeve kur dy skuadra janë me pikë të barabarta, por edhe me të njëjtën sasi golash të shënuar dhe të pësuar. Skuadra me moshën më të madhe është Irlanda me 29.39 vite mbi supe, ndërsa Shay Given dhe Gábor Király janë lojtarët më të vjetër, pasi kanë arritur kufirin e 4 dekadave. Në krahun tjetër qëndron Anglia, ku mesatarja e moshës është 23.39 vite, ndërsa 18-vjeçari Marcus Rashford është lojtari më i ri. Spanjollët mbajnë vendin e parë për kohën e aktivizimit të lojtarëve gjatë këtij sezoni me 82 mijë minuta, ndërsa Hungaria mbyll fundin me rreth 26 mijë. Europiani është cilësuar përherë evenimenti i surprizave të mëdha.
Analizat e detajuara dhe përbërjet e skuadrave shpesh janë hedhur në koshin e plehrave shpesh herë, pasi në Europian logjika e futbollit ku më i forti triumfon, është e gabuar. Gjermania është skuadra më e favorizuar, pasi vjen në Euro 2016 si kampione bote, ndërsa Shqipëria e De Biasit por edhe Islanda, Hungaria dhe Irlanda e Veriut janë skuadrat më pak të kuotuara. Gjithsesi, kurrë mos thuaj kurrë. Danimarka në vitin 1992 dhe Greqia në 2004-ën arritën të impononin ligjin e më të dobëtit, topi është i rrumbullakët dhe të gjithë kanë shanset e tyre për t’i dhënë më shumë ngjyra europianit francez.
Vetëm pak orë na ndajnë nga starti i Europianit 2016. Turneu do të inaugurohet nga ceremonia e hapjes, në stadiumin “Stade de France”, përpara ndeshjes së parë ndërmjet Francës dhe Rumanisë. Një spektakël festiv, që do të shndërrohet në një koreografi në masë. Një vendtakim me identitetin francez. Impianti i Parisit do të mirëpresë 24 përfaqësueset pjesëmarrëve në eveniment.