Franca kritikon praninë e kryeministrit sllovak në Rusi për Ditën e Fitores: Nuk është e përshtatshme që një udhëheqës evropian të jetë sot në Moskë!

Franca kritikoi sot praninë e kryeministrit sllovak Robert Fico në Moskë për të marrë pjesë në eventet festive që shënojnë 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste.

 

“Nuk është e përshtatshme sot që një udhëheqës evropian të jetë në Moskë “, tha Benjamin Haddad, ministri francez përgjegjës për Evropën, për radion RTL.

Robert Fico është i vetmi udhëheqës i një shteti anëtar të BE-së që merr pjesë festimet në Moskë. Megjithatë, kur u pyet për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj udhëheqësit sllovak, ministri francez theksoi se “çdo shtet është sovran, veçanërisht në çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes”.

Ai vuri në dukje gjithashtu se në lidhje me Rusinë, e cila po lufton kundër Ukrainës , për sa i përket politikës së jashtme dhe çështjeve të mbrojtjes, vendet anëtare të BE-së kanë arritur “në tre vitet e fundit, madje së bashku me Sllovakinë ose Hungarinë” të “rinovojnë çdo gjashtë muaj sanksionet” që i vendosin Moskës.

Ne arritëm të “vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën dhe të mbajmë një dialog të vazhdueshëm me të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian”, komentoi ai gjithashtu.

Ministri francez shprehu gjithashtu kënaqësinë e tij për nënshkrimin më vonë sot në Nancy, në Francën lindore, të traktatit të miqësisë me Poloninë, “një partner që për një kohë të gjatë, për ta thënë troç, e kemi lënë pak pas dore”.

“Ky pakt përfaqëson një hap të madh përpara në marrëdhëniet midis Francës dhe Polonisë, i cili do të na lejojë të thellojmë lidhjet tona në nivel institucional dhe politik, në nivel ekonomik, në infrastrukturën mbrojtëse, me një vend që (…) është në ballë të kërcënimit rus (dhe) luan një rol të rëndësishëm në Evropë.

Artikulli paraprakE zuri poshtë masivi i dheut që u shemb, gjendet pas 7 ditësh trupi i pajetë i 29-vjeçarit, Ardit Beshiri
Artikulli tjetërMesazhi i Papa Leo XIV në meshën e parë: Shpresoj që Kisha të sjellë dritë në netët e errëta të botës!