Rriten shanset që Kombëtarja Kuqezi të bëjë një paraqitje të mirë, e madje dhe të pretendojë për rezultat pozitiv në Kampionatin Europian, “Francë 2016”. Tashmë, shpresat e kuqezinjve janë më konkrete se kurrë, madje edhe ndaj pretendentëve kryesorë për të fituar Kupën, bluve të Francës.
Në ndihmë të Përfaqësueses së Shqipërisë, dhe kontigjentit cilësor kuqezi, duket se është edhe vendimi i vetë Federatës Franceze të Futbollit. Kjo e fundit, në bashkëpunim me trajnerin e kombëtares së “gjelave”, Dider Deschamps, kanë vendosur të lenë jashtë ekipit, lojtarin më të mirë të sulmit të bluve, Karim Benzema.
Ishte vetë ky i fundit, që nëpërmjet një njoftimi të shkurtër të publikuar në “Facebook” ka informuar mbi vendimin e drejtuesve të futbollit francez.
“Fatkeqësisht për mua dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur gjithmonë, unë nuk do të jem pjesë e kombëtares në Kampionatin Europian “Francë 2016”, deklaroi Karim Benzema në profilin e tij, duke paraprirë njoftimin zyrtar që pritet të dalë tashmë në çdo moment nga Federata Franceze e Futbollit.
Një natë më parë, për “Bein Sports”, sulmuesi francez i Real Madrid ka thënë: “Kam luftuar gjithmonë për Kombëtaren e Francës. Tashmë do të pres për vendimin që do të marrë presidenti i federatës dhe trajneri i përfaqësueses. Besoj në zgjedhjen dhe vendimin e tyre. Do të lë ata të vendosin mbi atë që është më e mira. Duhet të jemi gjithmonë të kënaqur në jetë, të qëndrojmë të qetë dhe të presim”.