Ka vend për revansh apo ta themi më troç, për hakmarrje. Me siguri që përballja Francë-Irlandë është e veçantë dhe nuk mund të lërë indiferentë as francezët, e aq më pak irlandezët, që kujtojnë atë eliminim në play off-in e Botërorit të 2010 me një gol të Gallas në pozicion jashtë loje, në një aksion ku ishte vërtet sensacionale prekja e topit me dorë nga Thiery Henry. Në stolin e jeshilëve atë kohë ishte Trapatoni dhe ai episod u kthye në një çështje diplomatike me irlandezët që bënë një kërkesë formale për riluajtjen e ndeshjes që më pas u refuzua.
Edhe gazetat franceze flasin për një llogari të mbetur pezull, për shkak të atij goli të pavlefshëm, që i garantoi Francës në shtesë kualifikimin duke lënë jashtë Botërorit Irlandën. Gjithçka u pa nga miliona spektatorë, por jo nga arbitri dhe polemika ishte e garantuar, me Federatën irlandeze që kërkoi përsëritjen e ndeshjes, FIFA tha jo e madje sipas “L’Equipe” u pagoi dhe 4 milionë euro irlandezëve për të mbyllur çështjen. Më pas Franca në Botëror doli jashtë që në grupe e eliminuar në fushë dhe e poshtëruar jashtë saj nga gjithë skuadra që bëri grevë gjatë Botërorit, duke u solidarizuar me Anelka që u largua nga grumbullimi pasi kishte fyer trajnerin Domenech. Ndoshta ishte pikërisht ai rast që shpërheu polemikat e pafundme me sfond etnik e social në Francë, ndërsa tani Irlanda padyshim që ëndërron hakmarrjen.