Frank De Boer largohet nga Ajax-i pas 5 vjetëve e gjysmë. Trajneri dha dorëheqjen nga posti në krye të stolit. Klubi nga Amsterdami konfirmoi se vendimi është i pakthyeshëm dhe hyri në fuqi menjëherë. 45-vjeçari mori drejtimin e ekipit në vitin 2010, duke fituar 4 tituj kampionë të Holandës radhazi. Por, në këtë sezon, Ajaxi e humbi titullin në Eredivisien në javën e fundit, duke barazuar me modestët e De Graafschap, ndërsa festa ishte e rivalëve të PSV Eindhoven. De Boer, i cili kishte edhe një vit kontratë, njoftoi bordin drejtues të klubit se, pas zhgënjimit, nuk dëshironte të vazhdonte më punën me skuadrën dhe kërkesa e tij për mbylljen e bashkëpunimit u pranua.
Nëpërmjet faqes zyrtare të klubit, trajneri dha edhe një deklaratë për mediat, ku deklaroi se ka kaluar vite të shkëlqyera te Ajax-i, duke u shprehur mirënjohës për mundësinë e dhënë. Humbja e titullit në javën e fundit ishte sinjali më i qartë se tashmë duhet ndjekur një tjetër rrugë, në të mirën e klubit, por edhe të karrierës së vetë teknikut, po nënvijëzoi se Ajax-i do të mbetet gjithmonë klubi i tij. Një lamtumirë e dhimbshme dhe dramatike për Frank De Boer, nga skuadra ku ka qenë lojtar, kapiten i skuadrës dhe së fundmi trajner.