Fredi

Agim XHAFKA

Sot në mëngjes në rrugët e qytetit të Durrësit vdiq një njeri. Quhej Fredi, ishte 38 vjeç. I pastrehë prej muajsh dhe endacak nëpër lagje.
Policia deklaroi se ai nuk kishte shenja dhune, por pati vdekje natyrale. Kemi arritur në këtë ditë që shoqëria jonë vdekjen nga i ftohti ta quajë natyrale. Krejt e zakonshme i duket policisë së këtij shteti marrja e jetës nga i ftohti, nga acari. Nga pakujdesia e atyre që na marrin taksat e shohin ëndrra me fitime e me udhëtime.
Fredi nuk pati shenja dhune se i mjaftoi dhuna e ngricës, që i futi dorën në grykë e në zemër dhe ia shtrëngoi aq sa ia mori frymën, ia mori dëshirat e jetës e ia përplasi në kazanet e plehrave të bashkisë.
Fredi pati shenja dhune, por policisë nuk i leverdis t’i tregojë. Se janë grushtat e indiferencës, të harresës, të mospërkujdesjes. Është arroganca e pushtetit mafioz, që vjen në karrige nga vota e vjedhur dhe vjedh gjithë ditën e natën veç të fryjë fitimet. Fredin e harruan, e quajtën sikur nuk ekziston. Nuk pyetën për hallet e dhembjet e tij. Ndaj e ftohta sa e pa jetim, pa përkujdesje, iu afrua tinëz dhe e rrëmbeu. Pa dhunë të dukshme, pa shenja, por me egërsi dhe me gëzim kriminal.
Fredi sot mori udhën për tek varrezat. Ai nuk jeton më, por edhe shoqëria jonë nuk gjallon më. Ka vdekur, mbase edhe para se i ftohti ta rrëmbente atë. Se ne jemi të pakallur. Bëjmë sikur marrim frymë e heshtim.
Fred, shpëtove! Më keq po rrojmë ne që akoma i ftohti nuk na ka marrë, nuk na e ka ngritur ende pusinë. Se jetojmë në një vend ku njerëzoren e ka trembur mafia dhe ku i vobekti dhe i varfëri quhet i tepërt dhe i pavlerë. S’quhet njeri…

Exit mobile version