Frrok Çupi
Çudi si ndodh në këtë botë të vogël. Aq e vogël sa Steve Jobs e kishte dizajnuar si një kokërr mollë në programin e tij në Apple-Macintosh. Bota e informacionit e bëri kaq të vogël planetin e ëndrrës për ta pushtuar, sa ç’është molla e “Apple”.
Çudia ndodh bash në këtë epokë: Një lajm që vjen nga këtu afër, në parcelat shtetërore të kanabisit në Tepelenë, paralelizohet me një tjetër lajm që vjen nga larg, nga Siria ku po luftojnë militantët e Shtetit Islamik-(Islamic State) (IS). Shiko çfarë ndodhi dje; dje, e premte 19 gusht… Sapo u përhap lajmi se gjithë Policia e Shtetit, në kupolën e vet është e mbushur me “djemtë qeveritarë” të Tepelenës, thuajse në atë kohë vjen një lajm paralel nga qyteti Manbij i Sirisë.
Çfarë është paralele?
Në Manbij, militantët e IS, Shtetit (Islamik), dje, e premte, u ndjenë të rrethuar nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA, dhe në panik, kryen aktin tragjik: Rrëmbyen civilë, i futën në kamionët e tyre dhe u nisën drejt veriut. (Shiko “BBC”, lajmi i orës 11.30). Por cilët ishin civilët e marrë peng si mburojë? Militantët e IS, Shteti (Islamik) zunë pjesëtarët e familjeve të tyre dhe i futën në kamionë si mburojë përballë forcave ushtarake të Koalicionit.
Po në “Tepelenë”? Tepelena në këtë rast është fenomeni i Shtetit (Fisnor). Ministri i Brendshëm, me origjinë dhe lidhje familjare në Tepelenë, ka marrë “peng” gjithë pjesëtarë të familjes dhe i ka shpërndarë si Roje Policore për të mbrojtur krimin që po kryhet me kultivimin dhe trafikun e drogës. Sigurisht, ministri nuk e ka bërë veç me kokën e tij, por me strategjinë e Kryeministrit. Mesa duket, ky, i zënë ngushtë nga sulmi i “Koalicionit Njerëzor” që ka kapur krimin e qeverisë, i ka kërkuar ministrit të përdorë familjarët… E shikoni çfarë paraleleje mes Shtetit (Islamik) në Siri dhe Shtetit (të Drogës) në Shqipëri.
Faktin tragjik e denoncoi dje ish-Kryeministri Sali Berisha.
Ministri i Shqipërisë, njësoj si në lajmin mbi Sirinë, gjithë kolonën e Policisë e ka mbushur me familjarë nga Tepelena. Që nga ministri, te drejtori i Policisë së Shtetit, çdo post më poshtë, çdo zëvendës, zëdhënës, truprojë, sekretare, komandant Garde, drejtor automjetesh, shefi i mbrojtjes së dëshmitarëve,… gjithkush nga Tepelena. Stacionet policore që nga Tirana, në Gjirokastër e në Shkodër komandohen nga tepelenas…
Të gjithë janë në autokolonën e mbrojtjes së krimit. Col Chris Garver, zëdhënës i forcave të koalicionit që udhëheq SHBA në Siri, tha dje se autokolona e IS që ka rrëmbyer civilë familjarë si mburojë, thjesht po vëzhgohet, por nuk po sulmohet për shkak se ka civilë dhe “nuk duam të shkaktojmë fatkeqësi”.
Çfarë e frikëson TS, (Tepelena State), Shtetin nga Tepelena?
Së pari, e frikëson pushteti i vet. Pushteti i vet është i ndarë në dy faza. Njëra është faza që shpalli Kryeministri nën kodin “një milion shpulla”. Kjo ishte në fillim. Në fakt votuesit e Partisë së tij ishin shumë më pak se një milion, por ky “mori peng” Partinë e Ilir Metës dhe abuzoi me forcën e pushtetit. Pushteti u ngarkua me më shumë forcë se në vitin 1945. Barra e madhe, një ditë, do të thyente kolonën e “kalit”. Kjo ndodhi, aq më shumë se jetojmë në epokën “Apple” kur nuk mbahen pushtetet e rëndë. Tani koalicioni është në thyerje totale; partia e Metës në koalicion nuk mund të mbajë krimin e koduar “një milion shpulla”.
Tjetra është faza e mbajtjes së pushtetit jashtë forcës së koduar “një milion shpulla”; domethënë jashtë sistemit të votës dhe demokracisë. Prej kohësh fuqia e pushtetit ka dalë nga fuqia e votës; qeveria nuk përfaqëson as të majtët, as socialistët, por një sekt të koduar Rilindja. Qeveria ka zgjedhur krimin si forcë për të mbajtur pushtetin. Me dorën e fshehtë të qeverisë, në gjithë vendin po kultivohet drogë. Droga po kontrollohet dhe mbrohet nga Policia e Shtetit. Fitimet e drogës do të përdoren për të ushtruar forcë mbi popullin votues, që ky popull i dhunuar të votojë përsëri Sektin. Populli dhunohet duke ia blerë votën; sigurisht me paratë e vjedhura prej tij dhe paratë që prodhon droga…
Ja kjo është frika e TS (Tepelena State). Ministri i Brendshëm, nën dorën e sigurt të Kryeministrit, ka rekrutuar gjithë drejtuesit e Policisë nga “fisi” i tij Tepelenë, dhe i ka vënë roje mbi parcelat dhe krahinat e gjithë vendit. Edhe për vete ka marrë peng “familjarët”, dmth fisnorët tepelenas, që nga truproja, pastruesja, përkthyesja, parkimi, gjellëbërësi e deri te Arma e Policisë. Si në një convoy, ekzakt. Zëdhënësi, Chris Garver, i Forcave amerikane të koalicionit kundër IS, tha se në convoy-n e qytetit Manbij të Sirisë “po vëzhgojnë e nuk po qëllojnë sepse nuk duan që të ketë fatkeqësi mbi civilët”.
Ndërsa militantët fisnorë të Policisë në TS (Shtetin e Tepelenës), në çdo çast mund të shpërthejnë në sulme kundër popullsisë civile. Sot për sot kanë zgjedhur “fisin superior”, Tepelenën; konflikti mes krahinave është bërë gati. Ky, TS (Tepelena State) është një shtet i frikësuar, nuk ka superioritet si koalicioni amerikan mbi terrorin; droga e bën TS (shtetin këtu) inferior, nevrastenik, e bën që të bjerë në panik dhe në padurim. Përdorimi i narkotikëve (sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve) e ka bërë edhe Kryeministrin si të çmendur. Ja, si ky person do të jetë fytyra e shtetit (TS) kur t’i sulet popullit me anë të forcave policore fisnore që ka shpërndarë për të shkelur gjithë Shqipërinë, me krahina e me tradita specifike.
Kjo është frika. TS nuk mund të pranojë që të humbë pushtet. Sepse atëherë ka humbur Drogën dhe vice- versa. Kështu i ka ndodhur edhe shtetit të paraardhësve të TS (Tepelena State) që në fillim, në vitin 1945, kur sapo merrnin fuqinë në dorë. Ata dërguan militantë fisnorë në krahinat e Veriut (ku plasi rezistenca kundër komunizmit). Toger Baba (alias Hodo Habibi, nga Kurveleshi) i dërguar special në Mirditë e në Zadrimë, ndizte zjarr mes fshatit dhe digjte gratë e burrave që rezistonin maleve. Edhe ajo ishte një drogë. Droga e pushtetit është paralele në çdo kohë.
Siç paralelizon lajmi mbi convoy-in në Manbij dhe vargun e militantëve fisnorë të Tepelenës që mbrojnë krimin e drogës në gjithë vendin.