Frika nga akuzat për drogën, Rama përjashton opozitën nga Këshilli MSA-BE

Në mënyrë krejt të paprecedentë, me urdhër të Ramës opozita është përjashtuar nga punimet e Këshillit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Paniku dhe frika nga përballja me akuzat për përfshirjet direkte me krimin dhe trafiqet e drogës kanë bërë Ramën që të përpiqet të mbyllë gojën e opozitës përballë ndërkombëtarëve. Mbledhjet e Këshillit të Stabilizim-Asoccimit kanë qenë përherë një mundësi për të diskutuar për situatën ku ndodhet vendi përballë procesit të integrimit europian.
Që në vitin 2011, qeveria e Partisë Demokratike krijoi precedentin pozitiv të përfshirjes së Kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrimin Europian, asokohe Ditmir Bushati, në takimet vjetore të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-Bashkimi Europian.
Ky precedent pozitiv, bazuar në mbështetjen konsensuale mazhorancë-opozitë të anëtarësimit të vendit në BE, u kthye në traditë, deri më 14 nëntor 2017, kur qeveria Rama u paraqit në Bruksel vetëm me përfaqësuesit e saj, si Ditmir Bushati e të tjerë, por pa opozitën. Kryetarit të Komisionit parlamentar për Integrimin Europian, Genc Pollo, nuk iu dërgua ftesë.
Ky veprim nuk është vetëm frikë nga e vërteta e kriminalizimit të shtetit, e cila nuk fshihet dot më as në Tiranë, as në Bruksel e as gjetiu. Është edhe shenjë e degradimit politik të kësaj qeverie, e cila po rrënon çdo trashëgimi politike pozitive që ka gjetur, duke u kapur fort mbas karriges si i mbyturi pas fijes së barit.

Artikulli paraprakShqiptarët vijojnë të kryesojnë listat e azilkërkuesve
Artikulli tjetërPikëpyetjet e largimit të Tahirit në Gjermani