Frika nga SPAK/ APP: Vlera e tenderave u ul me 5 herë për 4 mujorin

Shpenzimi i parave publike përmes tenderave ka qenë historikisht aspekti më i preferuar i punës për zyrtarët e shtetit. Por me sa duket, jo më.

Të dhënat zyrtare nga regjistri i Agjencisë së Prokurimeve Publike tregojnë se për 4 muajt e parë të vitit, vlera e tenderave të zhvilluara nga institucionet shtetërore dhe të finalizuara me shpalljen e fituesit, u ul me 5 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas APP për periudhën Janar-Prill 2023, vlera totale e proçedurave të prokurimit të finalizuara me shpalljen e fituesit ishte 28.5 miliardë lekë ose 285 milionë euro. Por për të njëjtën periudhë të këtij vti, shifra zbriti në 5.7 miliardë lekë ose plot 5 herë më pak.

tenderat

Një nga arsyet e diferencës së madhe mund të lidhet me faktin se këtë vit buxheti i shtetit u detajua më vonë dhe iu nënshtrua ndryshimit e akt normativ që në shkurt si dhe me riorganizimin e autoritetit qëndror blerës në një një shoqëri të re aksionare. Por një tjetër arsye madhore duket e lidhur me hezitimin e institucioneve për shpenzuar në kohërat e bombave të korrupsionit që shpërthejnë gjithandej nga hetimet e SPAK.

Mbetet për t’u parë nëse ky trend do të vijojë të konfirmohet edhe gjatë muajve të ardhshëm. Fakt është se një pjesë e madhe e tenderave publikë në Shqipëri shpesh kanë qenë procedura me gara fiktive, për të cilat fituesi përcaktohej jo në garën se kush u kursente më shumë para taksapaguesve, por në garën se kush paguante më shumë për zyrtarët.

Ndoshta tani kjo është bërë pak më e vështirë dhe institucioneve do t’u duhet pak kohë që të përshtaten.

Artikulli paraprakPerimet do hidhen në kanale, në Dimal fermerët ankohen për çmimet e grumbullimit: Nuk na mbulon kostot e investimit, s’kemi asnjë leverdi
Artikulli tjetërEdhe pas liberalizimit të vizave, kosovarët mbeten besnikë ndaj Shqipërisë për turizmin