Nga Namir Lapardhaja
Është e qartë se në kushtet ku ndodhet qeveria, ku çdo ditë nga një ministër i paraqitet në derën e SPAK-ut, ku aferat më të mëdha korruptive dhe denoncimet e PD-së ndër vite janë duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme, ku kryetari i Bashkisë Tiranë është zhdukur, thuajse, totalisht nga jeta politike, me shumë pak dalje dhe me shumë shfryrje korridoreve të Bashkisë, se i kanë lënë drejtësinë në dorë një ‘kokëcepi nga Kalaja e Dodës’, se afera McGonigal i ka rrënjët e shtrira deri te kryeministri i vendit dhe vetë McGonigal i ka duart thellë tek afera e inceneratorëve…, kundërshtari më komod dhe lehtësisht më i mundshëm, është taborri i “Non Gratës”.
Janë ata që kur Berisha sulmon mëngjes e mbërmje me libër shtëpie drejtësinë, duartokasin dhe përloten poshtë Ballkonit, kur Berisha sulmon mëngjes e mbërmje partnerët ndërkombëtar, ata aty prezent as nuk skuqen as nuk nxihen, ndërkohë që, nga ana tjetër, i dërgojnë mesazhe ambasadorëve, ku i thonë ‘ja sa të marrë rrugë kjo puna e këtij “malokut” dhe pastaj nuk do t’ju sulmojmë më’, kur u thuhet për moral dhe për koherencë në politikë, të përgjigjen se politike është ajo që ka rezultat dhe jo ajo që ka moral.
Edi Ramës në kushtet ku ndodhet me shumë propagandë dhe me shumë konsumim pushteti, i duhet që kundërshtari që ka përballë të mos ketë kurrfarë kontrasti me të, të jetë i izoluar ndërkombëtarisht, të mos e dëgjojë kush në ato që kërkon dhe në ato që pretendon dhe, mbi të gjitha, të jetë në kushtet e një konflikti permanent mes veti.
Sigurisht që e gjithë retorika që nuk bashkëpunojmë me “Non Gratën”, se jemi në të njëjtën gjatësi linje me partnerët strategjikë etj., ka qenë një hipokrizi e madhe e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste, sepse për sa kohë që kanë bashkëpunuar thellësisht me “Non Gratat” brenda tyre, kjo me Berishën duket një “strategji” e mirë për të qëndruar në pushtet.
Nga ana tjetër, është e qartë se PD zyrtare është e hapur në kërkesat dhe pretendimet e saj, në propozimet dhe artikulimet e saj publike, për një kohë të gjatë është hedhur aq shumë baltë dhe vrer si e shitur dhe e marrë peng nga Edi Rama, ndërkohë që këta që takohen fshehtazi, dukshëm për pazare dhe jo për parime, pasi e kanë bërë dobiçin, ta hedhin në prerë.
Blendi Çuçi mund të takohet fshehtazi me Gazment Bardhin dhe të bëjnë pazare së bashku, madje mund të arrijnë edhe t’u japin ndonjë Komision Hetimor dhe të shitet si arritje e madhe, mirëpo kjo nuk është politikë, nuk është as e ndershme as e moralshme, nuk ka asnjë efekt për kushtet në të cilat ndodhet opozita, nuk është as ndonjë fitore e madhe për të, sepse po arrin të marrë atë që i takon me Kushtetutë.
Por mbajtja në lojë dhe oksigjeni që i jep qeveria “Non gratës”, qoftë nëpërmjet këtyre pazareve ose qoftë me atë që ka bërë gjithë këto kohë Lindita Nikolla në Parlament, është një tregues i qartë se e vërteta ka qenë përherë aty dhe, përballë një koalicioni qytetar dhe pa peshën e korrupsionit të së kaluarës, Edi Ramës i intereson të mbajë këtë ‘status quo’, sepse kështu ai jo vetëm që fiton, por del edhe partner strategjikë dhe i besueshëm në sytë e aleatëve perëndimor, të cilët, përballë “Non Gratës”, e kanë lehtësisht zgjidhjen se me kë duhet të bashkëpunojnë.