Rei Manaj, Keidi Bare dhe Marash Kumbulla nuk do të jenë të gatshëm për klubet e tyre në ndeshjet e kësaj fundjave. Por, nga ana tjetër ata janë përfshirë nga Silvinjo në listën e ekipit kombëtar për ndeshjet e muajit nëntor.
Nëse disa nga titullarët e tjerë rrezikojnë të humbasin takimin e dytë me Çekinë për shkak kartonësh, trajneri shpreson që të paktën të rikuperojë ndonjërin prej tyre dhe t’i ketë të gatshëm për Ukrainën. Sipas rregullit të UEFA-s që në Ligën e Kombeve një lojtar i cili grumbullon dy kartonë të verdhë, do të mungojë në takimin e radhës. Kështu, deri tani këtë numër e ka plotësuar Mirlind Daku i cili është i pezulluar për ndeshjen me Çekinë.
Ndërkohë, në ndeshjet që Shqipëria ka luajtur, futbollistët që janë ndëshkuar me një karton të verdhë dhe rrezikojnë përballjen e radhës me Ukrainën nëse marrin një karton tjetër janë: Tomas Strakosha, Mario Mitaj, Qazim Laçi, Jasir Asani dhe Myrto Uzuni.FORMACIONI- Pas mungesës së përkohshme të Etrit Berishës, numri një i portës së Shqipërisë është Tomas Strakosha. Në dy ndeshjet e radhës ai do të mbrojë kuadratin kuqezi. Sa i përket qendrës së mbrojtjes, rikthehet kapiten Berat Gjimshiti, i cili së bashku me Ardian Ismajlin, do të formojnë dyshen. Të dy lojtarët po kalojnë një moment të mirë dhe diçka e tillë jep garanci në prapavijë. Në krahun e majtë, të gjithë tashme jemi mësuar me Mario Mitajn, një pozicion që vështirë ta konkurrojë dikush.
Në krahun tjetër, Elseid Hysaj mund të penalizohet për shkak të situatës që po kalon te Lacio dhe Silvinjo mund të zgjedhë Balliun i cili zhvilloi paraqitje të mirë në fitoren me Gjeorgjinë. Për të kaluar në mesfushë, nuk mendohet të ketë ndryshime. Braziliani është besnik i treshes: Asllani-Ramadani dhe Laçi, të cilët tashmë janë kolauduar bashkë në mesfushë.
Histori nuk ka as nga krahët e sulmit, ku Jasir Asani djathtas dhe Nedim Bajrami në të majtë pritet të luajnë në këto dy ndeshje. Ndërkohë për majën e sulmit, nëse Manaj nuk ia del që ka shumë mundësi, Tuci pritet të jetë titullar në ndeshjen e parë, ndërsa për Ukrainën gati është edhe Daku dhe mund të ketë një alternim.