Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje luftë pa asnjë kompromis kundër pushtetit të drogës, ndërsa bëri thirrje se është detyra e çdo qytetari që sot të ngrihet për t’u bashkuar në një front të fuqishëm kundër drogës dhe politikës së drogës. Ai u bëri thirrje për një bashkim të fuqishëm intelektualëve, bizneseve, shoqërisë civile e të gjitha shtresave të shoqërisë që sot gjenden nën këmbët e pushtetit të drogës duke vuajtur përbuzjen, skamjen, varfërinë e pamundësitë për të jetuar normalisht në vendin e tyre. Reagimi i ashpër i Bashës erdhi pas deklaratave të kreut të Antimafias italiane, Franko Roberti sipas të cilit Shqipëria është duke zhvilluar një biznes kolosal me trafikun e drogës dhe se trafiku i drogës nga Shqipëria po nxit kriminalitetin në Itali.
“Shefi i Antimafias italiane, Franko Roberti, i ka rënë edhe një herë kambanave të alarmit për rrezikun që droga shqiptare po i sjell Italisë, duke fuqizuar krimin e organizuar që ka çuar në përplasje mes grupeve rivale mafioze që kërkojnë kontrollin e rrugëve të drogës nga Shqipëria. Tashmë prodhimi kryesor i Shqipërisë, eksporti kryesor i Shqipërisë dhe marrëdhënia kryesore që Shqipëria ka me botën është droga”, tha Basha.
Kreu i PD ngriti shqetësimin e situatës dramatike në të cilën ndodhet Shqipëria, ku droga dhe pushteti i saj dominojnë sot ekonominë dhe politikën. Basha theksoi se e vetmja rrugë për të mposhtur këtë situatë dramatike në të cilën ndodhet vendi është reagimi i fortë i shoqërisë shqiptare, ndërsa solli në vëmendje paralajmërimin e kësaj situate nga PD në të gjitha vitet e qeverisjes Rama.
“Droga shqiptare është tashmë kërcënim serioz për rendin në Itali dhe vend të tjera europiane. Në Shqipëri situata është akoma më dramatike sepse tani ekonomia dhe politika dominohen nga droga. Shpëtimi nga kjo gjendje mund të vijë vetëm nga reagimi i gjithë shoqërisë. Partia Demokratike prej katër vjetësh ka paralajmëruar për gjendjen dhe pasojat e pritshme të drogës, ka denoncuar politikanët dhe kriminelët e lidhur me drogën, ka ndërmarrë nisma ligjore kundër futjes në politikë të njerëzve të lidhur me drogën dhe krimin”, u shpreh kreu i PD.
Basha tha se në mungesë të një reagimi të fuqishëm nga gjithë shoqëria shqiptare, Rama do të forcojë edhe më tej pushtetin me paratë e drogës duke blerë e manipuluar opinionin publik.
“Por përpjekjet e saj nuk mjaftojnë nëse media, shoqëria civile, intelektualët, biznesi dhe vetë qytetarët nuk reagojnë. Edi Rama nuk do të shkëputet kurrë nga droga, përkundrazi, do të vazhdojë të përdorë paratë e drogës për të fuqizuar pushtetin e tij personal dhe për të blerë e manipuluar opinionin publik. Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë pa kompromis politikën e drogës, por është detyra e çdokujt që kërkon një shoqëri pa drogë dhe një të ardhme të sigurt të reagojë dhe veprojë për të krijuar së bashku një front kundër drogës dhe politikës së drogës”, tha Basha.
Deklarata e fortë e prokurorit të Antimafias italiane
Prokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti ka dhënë sërish alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Vrasja e tmerrshme e katër personave në Foggia të Italisë, mes të cilëve gjendej edhe bosi i klanit të Manfredonias ka kthyer edhe njëherë vëmendjen nga kriminaliteti i madh që ka kapluar zonën e Puglias. Por këtë ngjarje që ka shkaktuar bujë të madhe përtej Adriatikut, prokurori i Antimafies italiane, Franco Roberti e ka lidhur edhe me trafikun e drogërave që vjen nga Shqipëria. “Sot, konflikti është ndezur rreth trafikut të drogës, sidomos të drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria. Një biznes kolosal që ushqen oreksin e klaneve dhe që përfshin gjithë bregun Adriatik, nisur nga ai foxhian deri në Europë”, ka thënë ai pas krimit të tmerrshëm.
Kreu i Antimafies italiane, Franco Roberti që është një njohës i mirë i Shqipërisë ka kërkuar bashkëpunim më të fortë me autoritet shqiptare për gositjen e trafikut të drogës: “Natyrisht duhet bërë më shumë, edhe në planin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndaluar lumin e drogave të lehta që vijnë nga Shqipëria, sepse janë pikërisht ato që çojnë në shpërthimin e konflikteve. Ishim në Shqipëri muajin e kaluar për të kërkuar bashkëpumim, takuam në Romë ministrin e Brendshëm shqiptar që premtoi bashkëpunim më të madh. Duhet të fitojmë mbi omertanë dhe për ta bërë këtë duhet krijuar një kulturë e ligjshmërisë që në atë territor është ende periferik”, është shprehur Roberti. Një njësi vrasësish e përbërë nga katër ose pesë persona u vunë të mërkurën në ndjekje të një makine ku ndodhej objektivi kryesor Mario Luciano Romito, 50 vjeç, i konsideruar si bosi i klanit të Manfredonias, në Gargano.