Kryesia e LSI vendosi të mandatojë Kryetaren Monika Kryemadhi Endri Braimllarin që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me PD-në dhe të gjitha partitë e Frontit Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore. Ky qe vendimi që u mor nga kryesia e kësaj partie, sipas një deklarate që dha Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama.
“Kryesia e LSI-së, – tha Rama, – e mbledhur sot në mënyrë të posaçme për të analizuar situatën politike dhe zhvillimet e pritshme në vend, përkundrejt farsës dhe butaforisë së shëmtuar që ofron Kuvendi i votave të vjedhura nga bandat kriminale, konkludon se situata politike vjen gjithnjë duke u rënduar dhe se kriza politike vazhdon të jetë gjithnjë e më rëndë.
Vendi gjendet përballë një krize tërësore politike, kushtetuese, është përballë një krize parlamentare, institucionale dhe mbi të gjitha përballë një krize besimi të qytetarëve ndaj qeverisjes dhe institucioneve të vendit.
Shqipëria është një shtet i kapur, një shtet i kapur nga strukturat kriminale që kanë imponuar vullnetin e tyre në zgjedhjet që kanë prodhuar maxhorancën që është në shërbim të krimit dhe mbi bazën e këtij realiteti, aksioni politik i LSI-së i inkuadruar në tërësinë e veprimit politik dhe qytetar të opozitës, do të vazhdojë me vendosmëri për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje farsë, për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje që komandohen dhe blihen nga grupet kriminale, për të zgjedhur pushtetin dhe qeverinë që u shërben atyre.
Në këtë kontekst, Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarin e Përgjithshëm që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe të gjitha partitë e Frontit Opozitar, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Përpjekja e dëshpëruar dhe e dështuar e qeverisë për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e mëdha që ka vendi, nga kriza e përgjithshme politike, kushtetuese, institucionale, parlamentare dhe e besimit, është vetëm një shenjë më shumë e krizës në të cilën gjendet vetë qeverisja e vendit, është një shenjë më shumë e dëshpërimit të saj, që vjen sa nga rezistenca, revolta dhe protesta qytetare aq edhe nga moria e një pas njëshme e skandaleve, të cilat me këtë qeveri janë të lidhur pazgjidhshmërisht.
Dhe këtu kam parasysh jo thjesht dhe vetëm një mori skandalesh të ditëve të fundit, por edhe qëndrimin e vendeve partnere, pasi Shqipëria për fat të keq është në qendër të fokusit të kontestit dhe të vëmendjes së tyre.
Dëgjova kryetarin e qeverisë të flasë në Kuvend për të ashtuquajturën kënaqësi të opozitës në lidhje me votimin më të fundit të Parlamentit të Hollandës, i cili ka kërkuar rivendosjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
Më parë se të akuzojë opozitën dhe më parë se të nxjerrë zëdhënësit e vet mjeranë për të justifikuar atë që nuk justifikohet, ky moment ka nevojë për reflektim.
Ka nevojë për reflektim dhe përgjegjshmëri serioze, për të parë realisht situatën e kriminalitetit, situatën e trafiqeve, situatën e korrupsionit.
Sepse në tërë palcën e sistemit politik shqiptar aktual nuk ka gjë tjetër përveç se krim, korrupsion dhe shpërdorim kriminal të përgjegjësive dhe të besimit.
Prandaj problemi i madh që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare është mbi të gjitha, reformimi tërësor i sistemin politik, sepse sistemi aktual politik rezulton i dështuar, i kalbur , i kriminalizuar.
Për fat të keq Shqipëria është rikthyer në kushtet e realitetit politik të viteve 90-91, kur Kuvendit apo Parlamentit të atëhershëm të Partisë së Punës, i mbeti vetëm një detyrë; ë çonte vendin në zgjedhje për të garantuar pluralizmin politik dhe demokracinë pluraliste në Shqipëri.
Ndaj dhe sot kjo mazhorancë ka vetëm një detyrë; të pranojë ofertën e opozitës që shkojmë në zgjedhje të parakohshme, për të garantuar një proces zgjedhor, të lirë të ndershëm, të barabartë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, jo vetëm të votojnë, por mbi të gjitha të kenë të drejtën të zgjedhin.
Të zgjedhin në liri të plotë dhe jo si në zgjedhjet e vitit 2017, kur vota e tyre u ble, u vodh dhe u kriminalizua për të prodhuar këtë qeverisje, këtë mazhorancë që është bërë një me krimin dhe që ka krijuar jo vetëm kosto të mëdha për imazhin e Shqipërisë, por mbi të gjitha ka vënë në risk, interesat kombëtare të Integrimit Europian të Shqipërisë.”