Fryhet kosto e autostradës së Elbasanit, 13 km e para 81 milionë euro, 35% më shtrenjtë se tuneli

Pesë vjet më parë, pikërisht në këtë kohë, mbase janë të paktë ata që e kujtojnë lajmin entuziast ku qeveria e atëhershme arriti të tenderojë ndërtimin e Tunelit të Elbasanit me vlerë 40 për qind më lirë se shuma e ofruar për tender.
Kompania greke Aktor i ka surprizuar të gjithë, kur ofroi 8.3 miliardë lekë për ndërtimin e tunelit (rreth 58 mln euro), teksa Ministria e Transporteve kishte vendosur në dispozicion 15.5 miliardë lekë. Autoritetet e atëhershme thanë se vlera e ulët e punimeve ishte rrjedhojë e krizës greke për shkak të së cilës Aktor ofroi vlera të ulta për kontratat e asaj periudhe me qëllim mbajtjen e fuqisë punëtore në punë.
Por tani 5 vite më pas, situata është ndërlikuar. Shembja e ndodhur në zonën e Ibës në 13 kilometrat e para, duket se ishte një faktkeqësi natyrore në favor të kompanisë. E ndodhur nën presion për lënien e punimeve për shkak të shembjes, qeveria shqiptare ka miratuar një fond shtesë që ka çuar koston e projektit për 13 kilometrat e para në 11,2 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro (shih. http://www.ekonomia.gov.al/files/userfiles/Investimet_PBA_2016-2018.pdf), nga të cilat 10.9 miliardë lekë janë kërkuar të financohen këtë vit dhe pjesa tjetër 348 milionë lekë vitin që vjen.
Burimet nga Ministria e Transportit bëjnë me dije se, shtesat për punimet nga shembja në Ibë janë llogaritur 50 milionë euro. Ndërsa ekspertë të sektorit pohojnë se vlera për meremetimin e saj është shumë e vogël, por shpjegojnë se kompania greke Aktor e ka shfrytëzuar këtë situatë për të kompensuar humbjet që ka pësuar për punimet në Tunel.
I kontaktuar nga Monitor.al, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika tha se, tashmë është rënë dakord për shtesën e punimeve dhe përfundimi i tyre kryhet brenda këtij viti. Xhika nuk preferoi të fliste me shifra rreth çështjes, por ka pohuar se tashmë çështja e shembjes është zgjidhur. Vlerësimi i kostove është bërë nga një grup pune i posaçëm, tha ai.
Teksa kompania Aktor ka harxhuar rreth 58 milionë euro (8,3 miliardë lekë) për ndërtimin e 5 kilometrave tunel duket se kompania ka siguruar 81 milionë euro (11.2 miliardë lekë), për disa kilometra rrugë, vlerë kjo rreth 35 për qind më e lartë se kosto e tunelit.
Ish-ministër i Ekonomisë, tani ministër i Financave, Arben Ahmetaj, në fund të nëntorit 2015, duke raportuar për investimet publike në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë tha se, rruga Tiranë-Elbasan, ishte një projekt i bërë keq. “Nuk e bëjmë dot. Dua ta ndaj me qytetarët, është një projekt i bërë keq, që nuk i mjaftojnë paratë e dhëna, do gati 50 milionë të tjera euro. Duhet ta themi të vërtetën. Nuk besoj se ka të bëjë me qëllimin e keq, sepse nuk besoj të ketë qenë qëllim i keq. Unë besoj që ka qenë një keqmenaxhim i projektit, i bërjes së projektit në radhë të parë, i nxitimit për ta përdorur atë projekt dhe ja ku jemi. Gati 50 milionë euro të tjera për të përmbyllur atë rrugë. Duhen gati 50 milionë euro të tjerë për shkak se, projekti nuk ka qenë i bërë mirë”, është shprehur ministri Ahmetaj.

Vjedhje edhe me mirëmbajtjen e tuneleve

Mirëmbajtja e dy tuneleve, atij të Krrabës dhe Kalimashit kushtuan në vitin 2015 mbi 304 milionë lekë ose 2.2 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar 134 milionë lekë ose pak më shumë se 1 milion euro janë shpenzuar për mirëmbajtjen e tunelit të Krrabës dhe pjesa tjetër prej 168 milionë lekësh ose 1.2 milionë euro u shpenzuan për mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës pjesë e rrugës së “Kombit”. Ndërtimi i akseve të mëdha rrugore si autostrada e “Kombit” dhe ajo e Elbasanit e kanë rritur ndjeshëm koston e mirëmbajtjes së rrugëve, teksa përpjekjet e qeverisë shqiptare për dhënien me konsecion të këtij shërbimi kanë dështuar për rrugën e “Kombit”. Gjatë vitit 2015 janë shpenzuar për mirëmbajtjen e rrjetit rrugore në vend 2,2 miliardë lekë ose 16 milionë euro. Kjo shumë është sa 14 për qind e fondeve në dispozicion të rrugëve për 2015. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nën administrimin e tij 3947.51 km rrugë shtetërore të ndara sipas Drejtorive Rajonale. Rajoni Verior i Shkodrës ka në inventarin e rrjetit rrugor 1436.02 km. Në vitin 2015 janë lidhur 23 kontrata mirëmbajtjeje nga 27 që janë gjithsej. Drejtoria e Rajonit Qendror Tiranë ka në inventarin e rrjetit rrugor 867.79 km. Në vitin 2015, janë lidhur 14 kontrata mirëmbajtje me bazë performance nga 14 që janë gjithsej. Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër ka në inventarin e rrjetit rrugor 1643.7 km. Në vitin 2015 janë lidhur 24 kontrata mirëmbajtje me bazë përformancë nga 34 që janë gjithsej. Në total të gjitha akset rrugore janë të grupuara në 71 kontrata mirëmbajtjeje me bazë performance, nga të cilat 34 përfshijnë edhe mirëmbajtjen dimërore. Gjatë vitit 2015, janë realizuar në zërin  “Investime” 2,232,869,725 lekë, të cilat në kuadër të mirëmbajtjes, konsistojnë në; përmirësime të gjendjes së shtresave rrugore, për rritjen e sigurisë rrugore.

Artikulli paraprakDeflacioni gjunjëzon ekonominë, rritja e përgjithshme e çmimeve vetëm 0.3% në mars
Artikulli tjetërSHBA, të shtëna me armë në bazën ajrore të Teksasit, 2 të vdekur