Fshati shqiptar midis varfërisë dhe mundësive të paeksploruara

Nga Alban Çakalli

Një nga arsyet kryesore pse fshati shqiptar ndodhet ende në një varfëri të thellë është mungesa e investimeve të menduara dhe të planifikuara mirë. Shpeshherë has emigrantë që, pasi kthehen me shumë sakrifica nga jashtë, vendosin të investojnë në vendlindje, por në mënyra joefikase dhe shpesh të padobishme për zhvillimin afatgjatë.
Një rast tipik është ai i atij që mbjell dy dynym pemtore dhe, në vend që të investojë në sistemin e ujitjes, plehërimin apo rrethimin e tokës, shpenzon 25 mijë euro për një fuoristradë luksoze, vetëm për të shkuar te pemtoret. Të tjerë shembin shtëpinë e vjetër tradicionale – që me pak ndërhyrje mund të kthehej në një strehë të ngrohtë dhe funksionale – dhe në vend të saj ngrenë një pallat katërkatësh, ku dy katet e fundit mbeten të paperfunduara për vite me radhë. Në fund, shtëpia “e re” duket më e braktisur dhe më pa shpirt se ajo që u shemb.
Ka edhe nga ata që investojnë mijëra euro për të ndërtuar avlli betoni 3–4 metra të larta, që kushtojnë sa tre shtëpi bashkë, ndërkohë që në parcelë mbillen vetëm 20 pemë dhe nuk ka as ujë të mjaftueshëm për to.
Një tjetër gabim i shpeshtë është sjellja e fidanëve frutorë nga jashtë, pa u përshtatur me kushtet klimatike dhe tokësore të zonës. Në fund, këto pemë nuk japin prodhim, bien viktimë e sëmundjeve ose thahen pas dy vitesh. Mungon bashkëpunimi me agronomë, analiza e tokës, planifikimi afatgjatë dhe ruajtja e trashëgimisë bujqësore vendase.
Problemet janë të panumërta, por e përbashkëta është kjo: shpeshherë shqiptari zgjedh rrugën më të shtrenjtë dhe më të gabuar. Kjo ndodh për shkak të mungesës së këshillimit, mentalitetit të tregut të shpejtë, mungesës së edukimit bujqësor dhe dëshirës për të impresionuar të tjerët, më shumë sesa për të ndërtuar diçka të qëndrueshme.
Shqipëria ka një klimë unike në Europë, ku – me pak mend, dije dhe përkushtim – mund të bëhen mrekulli. Ne kemi burime natyrore të jashtëzakonshme, tokë pjellore, ujë, diell dhe trashëgimi kulturore të rrallë. Ajo që mungon është vizioni dhe planifikimi. Nëse fillojmë të investojmë me mendje të ftohtë, me qëllim zhvillimin dhe jo fasadën, fshati shqiptar jo vetëm që mund të dalë nga varfëria, por të kthehet në një nga zonat më të begata të rajonit.

Exit mobile version