Banorët e fshatit Xherie, në Njësinë Administrative Shalë që i përket Bashkisë së Cërrikut nuk kanë rrugë, ujë të pijshëm dhe as mjek. Janë rreth 150 banorë, të cilët ankohen se në fshatin e tyre nuk është investuar prej vitesh. Ata thonë se rruga që lidh fshatin Xherie me Xibrakën nuk është e shtruar. Janë vetëm 6 km rrugë dhe askush nuk kujtohet për shtrimin e saj.
Kamera e “Boom” e “Ora News” udhëtoi drejt fshatit për të dëgjuar problemin e këtyre fshatarëve. Hallet e tyre nuk mbarojnë këtu. Ky fshat nuk ka as ujë, pasi i vjen vetëm 30 minuta në ditë, ndërkohë nuk kanë mjek dhe shkolla është në një gjendje të mjerueshme.
I vetmi investim sipas tyre është zhavori i hedhur në rrugë, por që sa herë bie shi, ai zhduket. Kanalet anësore janë të bllokuara dhe gjithçka duhet që banorët e fshatit Xherie ta bëjnë vetë.
Por ata kanë marrë një vendim shumë të rëndësishëm. Të gjithë banorët, të majtë dhe të djathtë kanë rënë dakord që të bojkotojnë zgjedhjet e 18 qershorit nëse nuk fillohet puna për rehabilitimin e kanaleve dhe shtrimin e rrugës.
Ata shprehen se nuk do të pranojnë as kutitë me fletët e votimit dhe jo më të shkojnë në qendrat e votimit. Janë të një mendimi, pasi peripecitë që kalojnë nuk përballohen më. Banorët shprehen të shqetësuar që edhe taksitë nuk shkojnë për t’i marrë, sepse iu dëmtohen makinat. Në dimër nuk hyn asnjë lloj makine dhe i duhet të ecin në këmbë 6 km deri në fshatin Xibrak. Ata shprehen se vota kanë dhënë gjithmonë dhe nuk kanë marrë asnjë investim në këmbim.