Fshatrat ‘fantazmë’ të Shqipërisë, emigrimi dhe papunësia lënë vetëm të moshuarit

Emigrimi jashtë Shqipërisë, por edhe migrimi i brendshëm kanë zbrazur fshatra të tërë në mbarë vendin. 160 mijë shqiptarë janë larguar nga viti 2019 deri në 2022-shin, pjesa dërrmuese e të cilëve kanë ikur për t’u punësuar. Shifra është rezultat i një analize të qeverisë, bërë nga ministria e Brendshme për migracionin, për të pasur të qartë pasqyrën e arsyeve të largimit që rrjedhimisht do shtronin rrugën e politikave të reja për ta frenuar braktisjen e vendit.

Një ndër fshatrat më të prekur nga shpopullimi është Tren në Devoll. Ndodhet vetëm 5 kilometra larg qytetit, në këtë fshat kanë mbetur vetëm 70 familje nga 300 që kanë qenë deri në vitet ’90.

Përveç kushteve të jetesës mungesa e alternativave për pune dhe pagat e ulta kanë detyruar të rinjtë të largohen në emigrim.

“Treçereku i familjeve kanë ikur se s’ka punë këtu. Kanë mbetur vetëm pleqtë. Unë jam me nusen, djalin e kam në Greqi”, thanë banorët.

Shkolla e fshatit edhe pse me kushte të mira, tani ka vetëm dy klasa kolektive. Ndërsa hareja e dikurshme dhe zhurma në rrugë, i ka lënë vendin heshtjes e zymtësisë. Në pjesën më të madhe të banesave nuk gjen njerëz, vetëm dryna që mbajnë të mbyllur dyert.

Buzë Vjosës dhe fare pranë bregdetit të Pishporos, shtrihet fshati Martinë i Bashkisë së Fierit. Befasuese janë vilat shumë ngjyrëshe me dy apo tre kate. Disa janë të kyçura e në tjera jetojnë të moshuarit. Vilat janë ndërtuar në dy dekadat e fundit me paratë e djemve në emigrim.

Sabri Gremi 83 vjeç është njëri prej tyre. A jeton i vetëm pasi 4 fëmijët prej vitesh kanë emigruar në Itali, ndërsa gruaja është ndarë nga jeta. Pleqëria për të nuk është aspak e lehtë.

“Kam mbetur vetëm unë 83 vjeç! Të vjen mall të shohësh një fëmijë. Unë jam vetëm fare, në familje të tjerë kanë mbetur moshatarë të mi, burrë e grua”,- tha ai.

Ndërsa Daut Avdiaj tregon se djali i vetëm ka ikur me skaf në Itali.

“Djalë të vetëm e kisha, iku fillimisht nga Greqia, më pas iku nga krahu tjeter nga Italia. E kam çuar vete në Vlorë ka hipur në skaf, djalë të vetëm. Më thoshte gruaja pse e hodhe në det? Shyqyr zotit doli matanë. Tani është stabilizuar ai dhe nipërit e mi. Këtu rrugët janë se i ka bërë shteti, drita kemi, ujë dhe ambulancën shëndetësore.. Ne për të jetuar ca na sjellin nga jashtë se pensionet janë të ulëta”,- tha Avdiaj.

Në Martinë jetonin 150 familje deri në vitet ’90, ndërsa sot nuk ka shifra të sakta, por vetë banorët tregojnë se 70 për qind e shtëpive janë të boshatisura.

“Në emigracion kanë ikur komplet, ngaqë s’kanë pasur mundësi ekonomike. Këto shtëpi janë bërë me paratë e emigracionit, jo nga toka. Ne jemi pensionistë, kam dy djem në Itali punojnë për mrekulli. Të tëra këto që sheh (prona) nga emigracioni kanë ardhur se ne që kemi mbetur s’bëjmë dot asgjë.”

“Dy djem dhe një vajzë i kam në Itali, unë jetoj këtu me burrin. Për një jetë më të mirë kanë ikur, me tre dynym tokë a jetohet?  Në Martinë s’ka shkollë, fëmijët e këtij fshati shkojnë në shkollën e fshatin Bishan.”

“Kam djalë e vajzë, të dy kanë ikur. Pse me ca u bënë këto shtëpi. Shtëpitë e bukura i kanë bërë ata që kanë ikur atje. Ne hamë me paratë që na sjellin ata, se me pension nuk jetohet.”

Këto kanë qenë disa nga dëshmitë e banorëve të zonës. Fshati Martinë është ndër më të prekurit nga shpopullimi edhe pse shtrihet në zonë bregdetare, me rrugë të asfaltuara dhe qendër shëndetësore. Shkak është bërë papunësia dhe mungesa e mbështetjes për bujqësinë ndër vite. Por vilat e ndërtuara rishtazi japin shprese se një ditë emigrantët mund të kthehen për të ndërtuar jetën në vendlindje.

Emigrimi nuk ka prekur vetëm fshatrat malor ku mungon infrastruktura, por edhe ata fushor. I tillë është Pojani, një fshat piktoresk 7 kilometra nga Fieri dhe fare pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë.  Sapo lëmë autostradën Fier-Vlorë, tabela të tregon kahun për në Pojan dhe Apoloni. Me qindra makina dhe autobusë me turistë të huaj shkojnë çdo ditë në Parkun Arkeologjik, por askush nuk ndalon në Pojan. Rrugët janë të boshatisura! Në fshat ka mbetur kryesisht mosha e trete dhe ata pak fermerë që mezi mbijetojnë me shitjen e produkteve bujqësore.

“Punë s’ka, bujqësia është pa leverdi. Punojmë tokën bashkë me gruan, por perimet shiten shumë lirë. Jam 52 vjeç dhe mendoj të largohem dhe unë se nuk mbaj dot fëmijët me bukë”, tha një fermer.

Dy gra të moshuara që i kanë kaluar të 80-tat janë të përmalluara për fëmijët e nipërit që po rriten në emigrim. Ato shprehen se pleqëria në vetmi është e vështirë, ndërsa i bëjnë thirrje shtetit të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë lokale.

“Kemi mbetur vetëm ne dy plaka këtu e dy të tjera atje. Është shkretëtirë! Njerëzit duan të hanë, çfarë të bëjnë këtu. S’ka të ardhura, ndaj kanë ikur në kurbet. S’pyesin më as për nënë as për baba. Unë jam me pension, 8 mijë lek në muaj e s’më dalin as për ilaçe. Pojani ka qenë fshat i madh dhe i përparuar, por tani janë larguar njerëzit. Djali im ngriti para 3 viteve një sere me domate, u kalbën ato se nuk gjeti mbështetje nga shteti”, thanë dy të moshuarat.

Shpopullimin nuk e tregojnë vetëm pamjet, por edhe shifrat zyrtare që Report TV ka siguruar nga Gjendja Civile e Fierit. Në 2008 popullsia e fshatit Pojan ishte 1500 banore ndërsa sot kanë mbetur 700 vetë. Shkolla, 15 vite më parë numëronte 179 nxënës  sot janë 75 nxënës.

Prej kohësh kisha katolike shqiptare bën thirrje në mënyrë që të ndalet emigracioni pasi Shqipëria po shpopullohet çdo ditë e më shumë. Dom Artur Jaku i kishës katolike në Shkodër tha se plaga e emigrimit është më e madhe në veri të vendit. Shkaku kryesor, thekson kleriku, është pabarazia: Pasuritë e vendit sot janë përqendruar në duart e pak njerëzve.

“Këto Ditë në takimet në Marseje, kryefjalë ishte emigrimi. Fenomen që e prek dhe Shqipërinë. Sidomos nga veriu ka largim masiv. Popujt lëvizin, mjafton me pa. Është liria e njeriut për me zgjedh vendet më të mira. Shqiptarët, pse shkojnë për një jetë më të mirë? Shqipëria nuk ka potenciale. Duhet të kuptojmë kush është rrënja e problemit”, tha Artur Jaku, Rektor i Shenjtores “Zoja e Këshillit të Mirë.

Fenomeni i emigracionit po merr vit pas viti përmasa të mëdha. Zonat rurale të Kukësit, tashmë i përkasin moshës së tretë pasi të rinjtë kanë zgjedhur të largohen. Ndër të paktët banorë në fshatin Bicaj është Gëzim Dogjani që merret çdo ditë me punët e përditshme të fshatit. Ai shpjegon se jeton i vetëm pasi dy djemtë kanë marrë rrugën e Evropës.

“As se di kush, se sa njerëz janë në këtë vend. E kanë lënë të gjithë punën e bujqësisë, nuk ka ujë. Kanë ngelur vetëm pleq fronti me pleq nuk mbahet.”- tha Dogjani.

Nga ana tjetër, në fshatin Kolesjan Faik Rada, pronar i një dyqani thotë se blerësit janë të rrallë, jo vetëm për shkak të emigrimit por dhe kushteve ekonomike, pasi lista e borxheve në dyqanin e tij nuk ka fund.

“Të dielën ka më pak më punë, është heshtje. Kjo periudhë ka shumë pak punë. Në verë ka se vijnë emigrantët. Xhiroja ditore shkon 5-6 mijë lekë në ditë. Që kur kemi hap dyqanin e deri më sot me listë punojmë, me blloqe.”-u shpreh Rada.

Fshati Kolesjan rreth viteve 2000 kishte 270 shtëpi me afro 800 banorë, por sot kanë mbetur vetëm 97 banesa me rreth 270 banorë.

Pamja e fshatit Domaj është e trishtueshme teksa sheh banesa të vjetra e të braktisura.  Të vetmit që takuam në fshati janë 75 vjeçari Dan Thaqi dhe Blerim Thaqi 40 vjeç. Ata tregojnë se në këtë fshat me peisazh të mrekullushëm e resurse natyrore deri në vitet 2000, kishte 80 familje ndërsa tani për shkak të emigrimit ka vetëm 10 shtëpi të banuara. Blerimi dhe Dani thonë se mungesa e asfaltimit të rrugës 40 km që lidh Domajn me Kukësin dhe Hasin, ka bërë fshati të braktiset masivisht.

Nëse investohet në infrastrukturë atëherë banorët mund të rikthehen në fshat pse jo për të investuar në turizëm. Perla e natyres së kësaj zone është “Gurra e Domajve”, monument natyre i mbrojtur nga shteti. Mungesa e investimeve dhe e punësimit ka çuar drejt shpopullimit jo vetëm Domajn por të gjithë fshatrat e Bashkisë Has.

Në shpatin juglindor të malit të Pashtrikut, shtrihet fshati “Pusi i Thatë”. Ndodhet vetëm 40 minuta larg qytetit të Kukësit, por në 5 kilometrat e fundit udhëtimi vështirësohet, pasi rruga është e paasfaltuar. Çatitë e drurit po bien njëra pas tjetrës, muret prej guri po shemben. Pamja është e trishtueshme. Në fshat nuk dëgjohet asnjë zë, veç fëshfërima e pyllit.

“Deri para viteve ‘90 jetonin 45 familje, ndërsa aktualisht ky fshat është braktisur totalisht. Shumica kanë shkuar në Tiranë e Durrës por edhe jashtë”

Banori i fundit, Rizan Morina është shpërngulur nga fshati Pus i Thatë bashkë me familjen disa ditë para ndërrimit të viteve 2023-2024.E takojmë rastësisht teksa merr orenditë e fundit dhe na rrëfen arsyet që e detyruan të braktisë vendlindjen.

“Banorët e tjerë ikën të gjithë, vetëm s’rrinim dot. Rrugë jo, as shkollë e shëndetësi. Largimet kanë nisur prej 10 vitesh, por në vitin e fundit (2023) ikën të gjithë”, u shpreh ai.

Edhe pse totalisht i braktisur, Rizani thotë se këtu herë pas here kalonin turistë, të apasionuar pas natyrës. Nga ky fshat mund të kundrosh liqenin e Fierzës, qytetin e Kukësit, Malin e Gjallicës.

“Kanë ardhur turistët vitet e tjera se ju pëlqente mali e klima. Rrinin në çadra në livadhe, por tani nuk vijnë më”, tha ai.

Banorët e fshatit Pusi i Thatë, pjesë e Bashkisë së Hasit, më parë jetonin me blegtori, ndërsa bujqësia s’ka qenë asnjëherë e favorizuar për shkak të terrenit malor. Bukuritë natyrore janë të jashtëzakonshme, por këto nuk mjaftojnë! Banorët u detyruan të lënë fshatin pasi mungon rruga, shkolla, punësimi.

Kukësi është një ndër tre qarqet që po pësojnë uljen më të madhe të popullsisë së bashku me Dibrën dhe Gjirokastrën. Përqendrimi i ekonomisë në Tiranë, po dëmton zonat e tjera të Shqipërisë të cilat po tkurren vit pas viti. Referuar një analize të Ministrisë së Brendshme, me përjashtim të Tiranës dhe Durrësit, 84% e qarqeve të tjera, kanë rënie të popullsisë.

Përveç emigrimit dhe rënies së lindshmërisë janë 64 mijë banorë që janë zhvendosur brenda 2019-2022, në Tiranë dhe Durrës.

“E gjithë ekonomia shqiptare është e përqendruar në Tiranë dhe në Durrës, duke sjellë shpopullim të rrethinave dhe zonave rurale. Një vend që shpopullohet nga pjesa rurale dhe krijon varësi nga importi është vend i destinuar për probleme të thella në ekonomi”, thotë eksperti Vjoldi Danaj.

Punuan gazetarët: Benet Beqiri, Armand Braho, Kristaq Thano, Ergys Kavaja dhe Eliza Gjediku

Redaktore: Yllka Kamenica

SI.E./E.H/Shqiptarja.com

Exit mobile version