Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Edi Paloka denoncoi dje mbajtjen të fshehtë të planit klientelist të Ramës për projektin e stadiumit “Qemal Stafa” ndërsa deklaroi se PD nuk do ta pranojë këtë projekt. Paloka citoi edhe njëherë kërkesën drejtuar Ramës për transparencë ndaj këtij projekti.
“Edi Rama vazhdon ta mbajë të fshehtë planin e tij klientelist e korruptiv për stadiumin “Qemal Stafa”.
Më datë 3 maj, në emër të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, unë i kam dërguar një shkresë zyrtare ku kërkoj informacion dhe vënien në dispozicion të praktikës zyrtare që ka ndjekur:
1. Projekti i Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT);
2. Kontratën e partneritetit publik-privat;
3. Procesverbalin e mbledhjes së shoqërisë anonime ku del qëndrimi që kanë mbajtur përfaqësuesit e shtetit;
4. Procedurat që janë ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese;
5. Dokumentacionin e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT për miratimin e këtij projekti.
Sipas ligjit, Edi Rama është i detyruar të kthejë përgjigje brenda 15 ditësh” tha Paloka ndërsa bëri të ditur se afati ka skaduar dhe Edi Rama nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
“Në vend që të zbatojë ligjin e të përgjigjet, Edi Rama ka vendosur të thyejë ligjin e të heshtë. Të heshtë e të mos bëjë transparencë për asnjë nga vendimet e ndërtimit të kullës dhe qendrës tregtare mbi stadium.
Është kjo arsyeja pse ai fshihet.
Është kjo arsyeja pse ai dëboi me truproja përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe gazetarët, edhe pse shpalli gjoja një dëgjesë publike” tha Paloka.
Kreu i grupit demokrat parlajmëroi se PD nuk do ta përligjë kurrë këtë projekt.
“Edi Rama e di se sa më shumë të dalin në dritë dokumentet e këtij pakti, aq më shumë zbulohen para publikut përmasat e këtij skandali financiar. Prandaj i fsheh këto dokumente edhe duke shkelur ligjin.
Po i kujtoj sot se e ka detyrim ligjor të përgjigjet e të vërë në dispozicion praktikën që ka ndjekur. Jam sot këtu për të bërë publike, letrën e dytë, ripërsëritjen e kërkesës për informacion. Partia Demokratike nuk do ta përligjë kurrë këtë projekt korruptiv dhe çdo hap që hidhet në drejtim të realizimit të tij do të trajtohet në kuadrin e ligjit antimafia sa i përket personave përgjegjës dhe pasurive të krijuara apo investuara.
Ne jemi për një stadium modern, sipas të gjitha standardeve olimpike, ku prioritet kanë hapësirat për qytetarët e për sportin dhe jo qendrat tregtare, kullat dhe oligarkia që pastron paratë e qelbura të regjimit të korruptuar të Edi Ramës” u shpreh Paloka.
Afera me stadiumin
Partia Demokratike e ka denoncuar këtë rast si aferë korruptive, si një projekt që ka prioritet klientelën, qendrën tregtare, hapësirat e biznesit dhe jo sportin e qytetarët. Sipas planit të Edi Ramës, hapësirat për sportdashësit zvogëlohen, ndërsa zgjerohen hapësirat fitimprurëse të klientit. Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama. Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës. Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare. Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive – fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive – dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private. Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri.