FSHF, letër tifozëve Kuq e Zi: Mos u largoni

Federata Shqiptare e Futbollit zbret në fushën e lojës. Pak ditë pas qëndrimit zyrtar të tifogrupit “Tifozët Kuq e zi” për bojkot të ndeshjeve të Kombëtares në Shqipëri, institucioni më i lartë i futbollit shqiptar, nëpërmjet një letre të hapur kërkon të largojë polemikat dhe të bashkojë tifozët rreth skuadrës. Federata tregohet mirëkuptuese ndaj ankesave të tifogrupit pas vështirësive që ata hasën në ndeshjen kundër Izraelit, por thekson se ky është momenti që tifozët duhet të qëndrojnë sa më pranë ekipit, duke i cilësuar ata si vendimtarë në sukseset e arritura nga skuadra gjatë viteve të fundit.
“Mungesa e tifozerisë në stadium, përbën për ne dhe skuadrën mungesën e një aleati të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Të luash pa “lojtarin e 12”, do të thotë që të hysh në fushën e lojës me një lojtar mangut”, thekson fillimisht Federata Shqiptare e Futbollit. Në këtë mënyrë, federata kërkon që tifogrupi Tifozët Kuqezi të ndryshojë qëndrim dhe të rikthehen në vendin që u takon, duke lënë mënjanë mëritë dhe qejfmbetjet në një moment kaq delikat kur ekipi ka nevojë për mbështetjen e tifozëve.
“Kjo ndeshje kishte specifikat e saj nga pikëpamja organizative. Për hir të ndryshimit të qytetit dhe stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja, u desh të kryenim, një punë kolosale, në kushte realisht të vështira. Konvertimi në një kohë rekord, i biletave të programuara për në stadiumin e Shkodrës, ishte një aksion që vështirë se një organizëm tjetër, mund ta realizonte. Në kushtet e krijuara, edhe ne ndeshëm shumë vështirësi, për të realizuar organizimin e një ndeshjeje model, sipas standardeve të UEFA-s. Tifozët, gjithashtu sakrifikuan jashtëzakonisht. Ata ndryshuan axhendën, planet e tyre dhe programet që kishin përgatitur. Dhe sigurisht, kjo kishte kosto si fizike ashtu edhe financiare për ta. Për fat të keq, kjo sakrificë që tifozeria bëri, nuk u shpërblye. Ata, kanë dhënë gjithçka për skuadrën kombëtare gjatë kësaj periudhe dhe për këtë meritonin një trajtim më qytetar, brenda kufijve ligjorë.
Ne besojmë se këto kanë qenë edhe udhëzimet e drejtuesve të Policisë së Shtetit, por në terren gjërat janë deformuar dhe për këtë ndjejmë keqardhje”, shton federata. Gjithsesi, në fund të letrës së hapur adresuar tifozëve, federata kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim me grupet e tifozerive, duke premtuar se do të jetë institucioni ndërmjetës mes palëve në mënyrë që prania e tyre në shkallët e stadiumit të kthehet në një armë më shumë për Kombëtaren Shqiptare në betejat e së ardhmes.

Artikulli paraprakTransportet: Buxheti për rrugët nuk mjafton
Artikulli tjetërRama ul fondet për Presidencën