Fitorja përballë Maqedonisë nuk i ka shërbyer shumë Kombëtares shqiptare të futbollit, e cila parashikohet që në renditjen mujore të FIFA-s të humbasë 3 pozicione, ndërsa Kosova do të ngjitë 22 shkallë në këtë klasifikim në krahasim me muajin e kaluar, falë barazimit historik kundër Finlandës.
Shqipëria gjendej në vendin e 37 një muaj më parë, por pikët ndaj Maqedonisë, e cila renditet jashtë 100 skuadrave më të mira (146, -8 pozicione këtë muaj), nuk e kanë ndihmuar për të fituar pozicione. Përkundrazi, duke i përllogaritur edhe humbjen në tavolinë në miqësoren me Luksemburgun për shkak të kartonit të kuq të Kaçes, kombëtarja humb 3 pozicione dhe zbret në vendin e 40-të.
Për sa u përket skuadrave të tjera të Grupit G të eliminatoreve të Botërorit, ku bën pjesë Shqipëria, Spanja është skuadra që pozicionohet më lart, në vendin e 11-të, por duke humbur 3 pozicione në krahasim me një muaj më parë. Italia e ndjek në vendin e 13, gjithashtu me 3 vende të humbura brenda muajit të fundit.
Izraeli do të renditet në vendin e 98, pasi përllogaritet të humbasë 22 pozicione në këtë muaj, ndërsa Lihtenshtejni në vendin e 182-të, e vetmja skuadër e grupit që nuk parashikohet të lëvizë në krahasim me muajt e mëparshëm.
Ndërkaq, Kosova përllogaritet të hedhë shumë hapa para në renditje, duke lëvizur nga vendi i 190 që mbante në muajin e kaluar, te vendi i 168.
Rivalët e saj në Grupin I të kualifikueseve të Botërorit, sigurisht që renditen më lart, pasi ekipi kosovar nuk ka shumë që është përfshirë në këtë klasifikim, duke u pozicionuar fillimisht në fundin e tij.
Kroacia do të jetë në vendin e 14 të renditjes botërore, Turqia në pozicionin e 21-të, Islanda në të 27-in, Ukraina në të 29-in, dhe Finlanda në vendin e 84-t. Duhet theksuar se barazimi me Kosovën i ka kushtuar shumë shtrenjtë finlandezëve, të cilët përllogaritet të humbin 23 pozicione në krahasim me një muaj më parë.
Shqipëria përkrah dy ekipeve pretendente
Në këtë nisje të kualifikueseve për Botërorin “Rusi 2018”, Shqipëria është renditur përkrah dy ekipeve pretendente që kanë fituar me lehtësi ndeshjen e parë. Ndryshe nga ato, skuadra e De Biazit është dashur të luante në dy ditë të ndryshme për të arritur trepikëshin e parë përballë Maqedonisë.
Kuqezinjtë i kanë mbetur besnik grupit të lojtarëve që kanë luajtur edhe gjatë kualifikueseve të kaluara, apo edhe në Europian. Me përjashtim të largimit të Canës, pjesa tjetër e skuadrës është e pandryshuar. Është bërë vetëm rikthimi i Hykës, si dhe në grup janë afruar Manaj e Strakosha. Tre emra që nuk përbëjnë revolucion dhe ndryshime thelbësore.
Edhe pse në formacion u vu re që të provohej rreshtimi 3-5-2 gjatë ndeshjes me Maqedoninë, sërish starti i saj ishte me një modul shumë të njohur për kuqezinjtë: 4-5-1. Ndryshe nga homologët e tij, Xhani De Biazi nuk ka ndryshuar shumë dhe nuk ka preferuar që të eksperimentojë. Ai kërkon që ta shfrytëzojë këtë fakt, për të pasur si armë të fortë konsolidimin e ekipit dhe lojën me një skemë që e njeh mjaft mirë dhe me anë të së cilës në të shkuarën ka përballuar me sukses skuadra të madha e me shumë eksperiencë.