Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë një takimi përmbyllës të fushatës elektorale në Dibër, iu bëri thirrje masivisht qytetarëve që të votojnë në 6 mars për t’i dhënë fund izolimit të këtij qarku.
Ai tha se disa njerëz, duke shigjetuar qeverinë, kanë vënë bastin që të vijojnë të marrim peng këtë bashki me marifete e intriga.
“Ju falënderoj nga zemra vëllezër dhe motra, vëllezër dhe motra dhe shpreh kënaqësinë e dyfishtë që ndodhemi brenda një harku kohor të shkurtër përsëri këtu në zemër të Dibrës, në qendër të Peshkopisë, në një ditë ku dielli shndrinë edhe më fortë, po shkëlqimi i tij na duket edhe më i madh sepse sheshi është mbushur plotë e përplot jo vetëm me nëna dhe baballarë dibranë, por dhe me rininë dibrane. Të cilën e paskeni zgjedhur sot në këtë takim përmbyllës të kësaj fushate të shkurtër, por kaq të rëndësishme për shpresën dhe zemrat e dibranëve, të jetë zëdhënësja e Dibrës dhe dibranëve. E kjo në një trevë ku mençuria është legjendare. E ku mençuria padiskutim, vjen jo vetëm nga geni dibran, por edhe nga përvoja e gjatë jetësore që e pajis dibranen dhe dibranin në një zgjuarsi të rrallë, për të ndarë të mirën nga e keqja, të shkuarën nga e ardhmja, pesimizmin nga optimizmi, ndarje e cila nuk ndodh thjeshtë sot, por ka ndodhur mot së moti, edhe në kohët më të vështira ku nuk e bënin fjalët, por e bënte pushka, e bënte topi, e bënte mençuria dhe trimëria, pena dhe pushka e dibranit. E pra sot ja tek jemi mbledhur për një vendim që do të merret të dielën, Siç e thash, pak kohë na ndajnë nga takimi ynë i fundit, por ndërkohë shumë gjëra kanë ndodhur. Dibra me të vërtetë ka dekada që mbahet e izoluar, pa infrastrukturë, por dibranët e ndodhur kudo anembanë botës dhe këtu në djepin e mençurisë së tyre legjendare, kurrë nuk kanë qenë të izoluar nga ngjarjet që ndodhin anembanë botës. Dhe një nga këto ngjarje padiskutim, e cila po gdhend me shpejtësi atë që do të ndodh në javët, në muajt, në vitet në vazhdim, një nga këto momente të rëndësishme është pushtimi që po i bën Rusia Ukrainës. Ky është një kërcënim për mbarë botën demokratike. Është një betejë midis të keqes dhe të mirës.
Është një betejë që Dibra e njeh shumë mirë, sepse ashtu me numra përherë më të vegjël se ushtritë pushtuese, është gjendur gjithmonë në luftërat të pabarabarta. Siç e thonë edhe këngët tona, me dekada duke luftuar në të njëjtën kohë kundër shumë krajlive, por të bashkuar në zemrat tona ia kemi dal të mbrojmë Dibrën, krenarinë e dykrenores kuqezi, të mbrojmë sinoret e kombit tonë. E pra momenti i sotëm është një moment i rëndësishëm edhe për sakrificat e stërgjyshërve tanë, e gjyshërve tanë, sepse ngjarjet që po ndodhin në Ukrainën e largët, faktikisht mund dhe kërkojnë të destabilizojnë edhe rajonin përmes aleatit dhe agresorit të Ukrainës, përmes atyre që siç e thotë kënga, i kanë lënë shapkat shpesh në pyjet e Lurës e në brigjet e Drinit. Aleatit të tyre që u nda nga bota demokratike dhe refuzoi ta dënonte agresionin serb. Por sot, sot ka një dallim të madh, sepse ka vite që shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë janë të bekuar me një aleat si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria sot është pjesë e NATO-s, ndaj askush nuk ka guximin të na kërcënojë, askush nuk ka guximin të na mësyjë, sinoret tona, kullat tona, shtëpitë tona, fëmijët tanë, krenarinë tonë, qytetet tona, sepse çdo sulm kundër Shqipërisë, është sot sulm kundër NATO-s, është sulm kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 29 vendeve të tjera anëtare. Ne kemi në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sa kohë që kjo të ndodhë e sa kohë që kjo të jetë e vërtetë jemi të mbrojtur.
Ne kemi në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sa kohë që kjo të ndodhë e sa kohë që kjo të jetë e vërtetë jemi të mbrojtur në çdo rast. Ndaj është detyra jonë si Parti Demokratike që të qëndrojmë ashtu siç kemi lindur, partnere e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, parti pro-perëndimore, parti e vlerave. Të tillë kemi lindur, të tillë do të vazhdojmë e të tillë dol të ecim përpara edhe me zgjedhjet që dol të bëjmë këtë të dielë. Por, vëllezër dhe motra kjo situatë e krijuar me sulmin e Rusisë mbi Ukrainën do të ndikojë në ekonominë tonë. Siç e shikoni çmimi i karburantit që ka qenë në stratosferë po vazhdon të rritet prandaj siç e keni dëgjuar edhe disa ditë më parë, thirrje ime ndaj kësaj qeverie është të marrë masa të menjëhershme. Të ndalë pagesat korruptive të inceneratorëve që vazhdojnë ti bëjnë edhe sot e kësaj dite që siç e patë ishte një aferë e pastër korruptive. Siç e kishim denoncuar prej 6 vitesh, siç u faktua tashmë edhe në Komisionin Hetimor që është një tjetër ngjarje madhore e cila u zhvillua në harkun kohor pas takimit tonë të fundit dhe takimit tonë të sotëm. Para të shqiptarëve, plot 430 milionë euro që kanë shkuar në xhepat e qeveritarëve. Çdo qeveri sot në botë po merr masa për t’i ndihmuar qytetarët, po siguron rezerva të mjaftueshme karburanti dhe ushqimore, në veçanti po shënjestrën ato familje dhe ato zona që janë në nevojë ekonomike. Dibra, në këtë dekadë është katandisur në një nga zonat me nevojat më të larta ekonomike.
Ndaj në Dibër e kudo në Shqipëri, është koha që këto qindra milionë euro të zhvatura të qytetarëve shqiptarë të taksave të tyre të kthehen tek shqiptarët, e të kthehen në veçanti tek njerëzit në nevojë. Kjo është beteja jonë, dhe kjo është beteja që ne zhvillojmë ditë për ditë ky është modeli ynë.
Ju i dëgjuat Emadën, Kastriotin, Esmeraldën, përfaqësues të denjë, bija dhe bijë të Dibrës, fjalët e tyre rridhnin nga zemra, hallet që përshkruanin janë ulur këmbëkryq në çdo familje dibrane. Thirrja që i drejtojnë bashkëmoshatarëve të tyre, rinisë dibrane është të mos largohet, por të qëndrojë të luftojë, të rezistojë dhe të votojë për ndryshimin.”, tha Basha.