Bashkim për fitoren, ulje taksash

Kamza dhe Lapraka i bashkohen fuqishëm projektit Basha dhe opozitës së bashkuar për Republikën e re. Pasditen e djeshme, kreu i PD, Basha u ndal në Kamëz e në Laprakë ku prezantoi ekipin e tij fitues, si dhe programin ambicioz për një ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurtë. Duke renditur prioritetet e programit ekonomik të Partisë Demokratike, Basha prezantoi katër shtyllat që do të rimëkëmbin ekonominë e shqiptarëve. Ai u ndal tek rritja e pagave dhe pensioneve, ulja e taksave dhe vendosja e taksës së sheshtë 9%, ulja e TVSH, si dhe krijimi i lehtësive për biznesin e vogël. Basha tha se me vendosjen e tavanit 1.5% të taksës për biznesin e vogël do t’i jepet fund abuzimeve të pushtetit lokal me taksat, ku theksin e vuri pikërisht tek abuzimet e bashkisë më të madhe në vend nën drejtimin e Erion Veliajt. “Keni një arsye më shumë t’i jepni fund këtij regjimi, sepse me Lulzim Bashën nuk do të keni kryeministër batutash, por një kryeministër të njerëzve të thjeshtë, kryeministri i ekonomisë dhe i punësimit të shqiptarëve. Duke nisur me planin tim, ekonomik dhe me ekipin tim fitues. Planin që ka vulat e këshilltarëve të kancerales Merkel. Ulja e taksave, ulja e TVSH do të gjenerojë miliona euro konsum, këto para do të jenë në xhepat tuaja, 400 milionë euro konsum më shumë çdo vit. Ulja e taksave do të bëjë që as Lali Eri nuk do të vendosë më taksa sipas qejfit për biznesin e vogël, 1.5% maksimumi i taksës së kombinuar lokale dhe qendrore, do të jetë tavani i hekurt, ky tavan do të vendoset nga unë ditën time të parë në zyrë. Pulla fiskale do të vendoset në krye të çdo biznesi dhe çdo tatimor që do të guxojë të futet brenda biznesit, do të shkojë prapa hekurave çdo tatimor që do të hyjë në ambientet e biznesit. Dhjetëra koncesione korruptive do të anulohen. Subvencionet për fermerët 100 milionë euro në vit, subvencione për të gjitha ndërmarrjet që hapin vende të reja pune. Ekonomia prioritet, ekonomi e fortë, punë dhe punësim për shqiptarët, ekonomi e fortë dhe e nesërme e sigurtë”, u shpreh kreu i PD. Basha u prezantoi qytetarëve modelin amerikan të vendosjes së pushtetit në duart e qytetarëve. E për këtë, Basha theksoi rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese, sipas të cilave çdo deputet do të shkarkohet direkt nga qytetarët në rast se ai, si i zgjedhur nga populli nuk do t’u shërbejë interesave të qytetarëve. “Askush nuk e mendonte para 18 shkurtit se qëndresa dhe bashkimi jonë do të arrinte të shndërronte njëherë e përgjithmonë historinë e pluralizmit duke mposhtur sistemin e vjetër politik, duke bërë të kapitullonte natën e 18 majit e të bëjë të nënshkruante marrëveshjen, mësimi i madh është se kur jemi të bashkuar e të vendosur ne fitojmë. Ndryshimi kushtetues i Republikës së re, i pari ndryshim do të jetë zgjedhja drejtpërdrejt e deputetëve nga qytetarët dhe e drejta e shkarkimit të deputetëve që nuk iu përfaqësojnë. Ky është modeli amerikan. Këto janë ndryshimet kushtetuese që njëherë e mirë pushteti të jetë në dorën tuaj, të mos jeni kukullat siç ka ndodhur në këto katër vite, ku qytetarët u shndërruan në gurë shahu të pushtetarëve që i shërbyen vetëm xhepave të tyre. Fuqia politike do të jetë në duart tuaja, fati i pushtetarëve do të lidhet njëherë e përgjithmonë me fatin e qytetarëve të Republikës së re”, tha Basha. Kreu i PD falënderoi qytetarët për qëndresën e fortë të 90 ditëve në sheshin e lirisë, ndërsa tha se sot, tre javë para zgjedhjeve, shqiptarët e bashkuar janë të vendimit më të madh, atë të fitores së 25 qershorit dhe ngritjes së Republikës së re. “Këtë fitore të parë e arritët ju. Dhe tani kemi tre javë për të shkuar drejt fitores vendimtare, për të shkuar me votë drejt fitores vendimtare. Kjo është beteja, tash 10 ditë si pula pa kokë politikanët e Republikës së vjetër nuk dinë çfarë të thonë. Populli është në këmbë, diçka e madhe po ndodh. Nuk i ka zënë hashashi jo, se atë e kanë për t’i marrë mendtë popullit e për ta shitur me trafikantët, por i ka zënë frika. Dy herë kanë dalë kundërshtarët tanë me gishtat lart. Edi Rama është para fundit të kapitullimit të tij. Kjo do të jetë fitorja e çdo shqiptari të ndershëm, sepse premtimi themelor i Republikës së re është që do të japë rezultatet për çdo shqiptar. Ne do t’i japim fund estradës së Edi Ramës. Ku i ke 300 mijë vendet e punës, legalizimet falas, taksat e ulëta, shëndetësinë falas? Ndaj do të bëjë çdo gjë, por s’ma kishte marrë mendja që të bënte edhe cirk. Por zgjedhjet nuk janë spektakël, është momenti i vendimmarrjes të madhe. Këto zgjedhje janë për hallin tuaj më të madh, në këto zgjedhje vendoset nëse Republika e vjetër vazhdon t’iu vjedhë apo do të votoni për një kryeministër që priotitetin numër një do të ketë ekonominë, krijimin e vendeve të punës. Edi Rama s’ka bilanc ndaj dhe nuk vjen në debat. Por nuk ka si të vijë në debat sepse bilancin e ka zero dhe programin e ka zero. I ka mbetur në dorë timoni i një makine të shkatërruar pa motor”, tha Basha.

Qindra miliona euro që zhvatën oligarkët do t’i kthehen qytetarëve

Lulzim Basha u takua dje me banorët e Hasit, të cilëve u paraqiti programin e tij dhe ku theksoi se Republika e re, do të jetë në shërbim të njerëzve, të të rinjve, fermerëve dhe biznesit që krijon vende pune. Qindra milionë euro do t’i rikthehen shtëpive shqiptare, tha Basha. “Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, i punësimit. Votoni Republikën e re, numrin 6 dhe vendimi im i parë do të jetë, ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, heqja e taksës Rama mbi karburantin, ulja e çmimit të energjisë, falja e kamatëvonesave të energjisë elektrike. Qindra milionë euro që sot i përpin kuçedra e oligarkisë, nuk do të jenë më në xhepat e një grushti oligarkësh. Qindra milionë euro do të kthehen në xhepat tuaja, në konsumin tuaj, në xhiro, kapitale, investime, punësim për Hasin, hasjanët dhe gjithë shqiptarët”. Basha theksoi se asnjë familje në nevojë ekonomike nuk do të mbetet pa ndihmë ekonomike dhe Republika e re do të paguajë faturën e tyre të energjisë deri 300 kv dhe ujin e pijshëm. Në vitin e parë të qeverisjes së Republikës së re, tha Basha, do të nisë rritja e pensioneve dhe brenda 4 viteve pensioni minimal do të jetë 250 mijë lek të reja. “Ju jap fjalën se asnjë fëmijë shqiptar nuk do të mbetet pa u shkolluar për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Ky është programi për një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurt”, tha Basha.

550 milionë euro koncesione do të anulohen

550 milionë euro koncesione abuzive të ndërmarra në katër vitet e qeverisjes Rama do të anulohen. Ky do të jetë një nga vendimet e para që qeverisja Basha do të ndërmarrë pas fitores së zgjedhjeve. “1.5 miliardë në katër vite ka kushtuar shëndetësia falas në katër vite. Në duart e katër-pesë vetave. 550 milionë që do të anulohen ditën time të parë si kryeministër e do të kthehen në mjekë, infermierë, kushte të mira për spitale, ilaçe. Unë nuk iu premtoj se në katër vite do të keni shëndetësi të standardit zviceran, por ju garantoj se në katër vite shqiptarët do të trajtohen siç trajtohen qytetarët në rajon”, tha Basha. Duke folur për mbështetjen e fëmijëve të parashikuar në programin e PD, Basha tha: “Fëmijët do të kenë të garantuar shkolla me infrastrukturë me standarde europiane, Republika e re do të mundësojë drekën falas për fëmijët, që do të thotë shëndet për fëmijët dhe ndihmë për gratë dhe nënat shqiptare. Papunësia e grave është rritur më shumë se sa e burrave në këto katër vite, diferenca u thellua në këto katër vite. Kjo është një masë që do të ndihmojë drejtpërderjtë gratë shqiptare, pas drekës fëmijët shqiptarë do të kenë mundësi të bëjnë detyrat, të lexojnë libra, vizatime, art, sipas modelit europian, e nesërmja e sigurtë nis me fëmijët shqiptarë”, tha Basha. Nga ana tjetër, ai bëri të ditur se që këtë vit buxheti do të bëjë të mundur rritjen e pensionit, në katër vite pensioni minimal për 650 mijë pensionistët shqiptarë do të bëhet 250 mijë lekë të vjetra. Basha tha se ndihma ekonomike do t’u jepet të gjitha familjeve në nevojë reale ekonomike dhe nuk do të ketë lëmoshë sepse energjia elektrike dhe uji do të paguhet nga Republika e re, eliminimi i taksës Rama për naftën, do të lehtësohet struktura e kostove për pjesën e popullit që është në vështirësi. Basha tha se sfida dhe beteja e tij është t’u japë shqiptarëve të njëjtat shanse që ai pati në rini. “Jeta më dha mundësi kur isha fare i ri. Më dha mundësinë të studioj e të shkollohem në një nga vendet më të përparuara të Europës, në Universitetin e Utrehtit, në mënyrë konstante një nga universitetet më të mira të botës. Shkëlqeva për shkak të punës dhe përkushtimit tim. Arrita ta rendis këtë universitet në një kuotë që askush tjetër nuk e ka arritur në këto 15 apo 20 vite, në konkursin ndërkombëtar në Uashington. M’u hapën dyert e institucioneve ndërkombëtare. Të gjitha këto falë punës time, pa miq, pa lidhje, pa nepotizëm. Unë jam biri i dy prindërve të thjeshtë siç janë këta të rinj e të reja këtu. Por puna e palodhshme më solli gjithë këto mundësi të rregulloj jetën time dhe të familjes time. Mund të kisha zgjedhur të vazhdoja këtë jetë në Holandë. I kisha të gjitha mundësitë në Zvicër, pranë OKB-së, në SHBA. I kisha të gjitha mundësitë, por unë zgjodha të kthehem vetëm për një arsye. Pasi Zoti më bekoi me mundësitë që m’u dhanë, pasi këto mundësi i ktheva në mirëqenie për veten time dhe familjen time, pasi nxora këto mësime nga jeta, tani është radha ime të krijoj këto mundësi për çdo të ri dhe të re të Kamzës, për bijtë dhe bijat tuaja. Prandaj, jam sot në politikë. Ky është motivi im, kjo është ëndrra ime, kjo është sfida dhe beteja që unë do të luftoj ditë e natë për ju”, tha Basha.

Exit mobile version