Fundi i bandës, qelitë u hapën

Heshtja e Ramës, deklaratat e Tahirit, sjelljet e policisë po dëshmojnë se ata po punojnë në drejtim të kundërt me Prokurorinë
Edi Rama refuzoi sot të distancohej publikisht nga Emiljano Shullazi, ushtari i krimeve që bëhen në emër dhe për llogari të kryeministrit. Në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama nuk dënoi krimet e ushtarit të tij, duke lënë të kuptohet se Shullazi, shërbimet apo krimet e tij janë ende të nevojshme për pushtetin e tij. Rama nuk pati as kurajon e Klodeta Dibrës, që të “divorcohej” nga Shullazi, për të cilin ekzistojnë një mal me prova dhe akuza për vrasje, akte terrori, grabitje, trafiqe, shantazhe dhe kërcënime ndaj shumë qytetarëve.
Heshtja e kryeministrit Rama, deklaratat e ministrit të Brendshëm Tahiri, sjelljet e policisë dhe propaganda e mediave pranë pushtetit dëshmojnë se ata po punojnë në drejtim të kundërt me Prokurorinë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Këto të fundit kanë mbledhur dëshmi të viktimave të Shullazit, përgjime bisedash telefonike që janë informacion mbi aktivitetet e tij të dendura kriminale, si edhe me lidhjet që Shullazi ka me Ramën, Tahirin, pushtetarë të gjitha niveleve dhe veçanërisht me drejtuesit e lartë të policisë.
Shullazi, është një nga ata eksponentë të krimit të organizuar në Shqipëri, ku reflektohet si tek asnjë kriminel tjetër i përkëdhelur i pushtetit, simbioza e kryeministrit Rama me krimin. Prej 15 vitesh, të gjitha aktet kriminale, ku është përfshirë kryeministri Rama, kanë fytyrën e Shullazit. Nëse kur u kthye nga Parisi i duhej që të lante hesapet me furnitorët e kokainës, Shullazi ishte pjesë e bandës që kreu misionin. Nuk ka zgjedhje të zhvilluara në kryeqytet, që Shullazi të mos ketë drejtuar shtabet e dhunës elektorale të Edi Ramës. Nuk ka biznesmen që ka paguar, apo nuk ka paguar për lejet e ndërtimit apo tenderat tek Rama, që të mos ketë paguar edhe taksën “ekstra” tek Shullazi.
Fakti që ministri i Brendshëm dhe kryepolicët e tij janë ushtarët e bindur të Shullazit dëshmohet nga mungesa e një raporti publik mbi arrestimin e këtij krimineli dhe bandës së tij, ndërsa kemi parë se në raportet ditore të policisë kanë treguar me emër dhe foto edhe ata që kanë urinuar poshtë urës së Lanës, apo edhe drejtuesit e automjeteve që kanë shkelur vijat e bardha. Dy vjet më parë, kur Shullazi u qëllua në rrugën Tiranë–Vorë, Tahiri ushtroi terror policor tek të gjithë biznesmenët e kryeqytetit që ishin gjobitur nga Shullazi për të zbuluar nëse ata kishin paguar dikë për vrasjen e tij. Të gjithë ata që kanë denoncuar në polici Shullazin janë detyruar nga Tahiri dhe sejmenët e tij që të tërheqin paditë dhe janë këshilluar të paguajnë gjobat e Shullazit.
Pushteti i Shullazit nuk erdhi dhe nuk mbahet rastësisht. Ky pushtet është rritur në progresion me pushtetin e Ramës, për të njohur shkëlqimin e vet këtë periudhë që Rama është kryeministër. Ndaj gjobat e Shullazit janë haraçe që qytetarët i paguajnë sulltanatit të krimit të organizuar që ka në krye Edi Ramën. Në kryeqytet dhe në zonat përreth ky haraç është më i shtrenjtë, pasi është pjesa e Ramës dhe pjesa e Shullazit. Ndaj kultivuesit e hashashit në gjithë Shqipërinë paguajnë 30 për qind, ndërsa në zonat e kontrolluara nga Shullazi ata detyrohen të paguajnë 50 për qind.
Shullazi është një gur në qafën e Ramës, nga i cili kryeministri nuk do të mund të çlirohet kurrë. Ai mund të zgjedhë të heshtë, mund të urdhërojë Tahirin që t’i dërgojë edhe kokainë në qeli, mund të urdhërojë t’i krijojnë edhe një dhomë me 5 yje në burg, por nuk mundet të fshijë, fshehë dhe injorojë provat e pakundërshtueshme të bashkëpunimit të tij me Shullazin dhe bandën e tij. Ky bashkëpunim shumëvjeçar i Ramës me Shullazin dhe krimin ka ardhur drejt fundit dhe Rama e ndjen se fundin do ta ketë më të keq se të ushtarit të krimeve të tij. Shullazi dhe krimi i organizuar që vepron lirisht në Shqipëri po bëjnë vërtet para dhe pasuri për vetë bandat dhe pushtetarët që rrinë pas tyre, por po mbjellin me shpejtësi një armiqësi të egër të shqiptarëve, që i fajëson për papunësinë, mjerimin, drogën dhe pasigurinë. Largimi i Ramës, apo burgosja e Shullazit nuk i ndalon shqiptarët që t’u kërkojë të paguajnë një më një për të gjitha fatkeqësitë që ju kanë sjellë.
Nesër janë zgjedhjet në universitet dhe ka arsye të besojmë se do të jenë më të lira tani që Shullazi është në burg. Shpejt do të jenë zgjedhjet parlamentare dhe nuk ka dyshim që do të jenë më të lira nëse Rama përfundon në qeli tek ushtari i krimeve të tij. Dekriminalizimi, Reforma në Drejtësi dhe Njësia e Posaçme Hetimore që do të jenë funksionale së shpejti, pavarësisht kundërshtimeve të Ramës, na japin siguri se drejtësia do t’ua tregojë vendin qelbësirave.

Artikulli paraprakBasha: 25-vjetori e gjen Kuvendin të mbushur me vrasës, banditë e tutorë
Artikulli tjetërVollga dhe fshat turistik në Gjirin e Lalzit, disa nga pronat e kryekriminelit