Ditën e sotme u njoftua bllokimi i autostradës Tiranë-Durrës dhe rrugës Tiranë-Kamëz, me arsyetimin se do të kryhen punime. Por ky bllokim i akseve kryesore që lidhin Tiranën me rrethet e tjera, vjen pikërisht në kohën kur opozita e vendit ka planifikuar një protestë masive. Shumë qytetarë do të nisen nga rrethet për të protestuar në Tiranë, por mbyllja e rrugëve pritet të krijojë problematikë serioze në qarkullimin e mjeteve dhe në mbërritjen e protestuesve në kryeqytet.
Partia Demokratike e akuzon kryeministrin, se kjo është një tentativë për të ndaluar qytetarët që të marrin pjesë në protestë dhe se Rama e ka ndërmarrë këtë aksion, pasi i trembet protestës. PD u bëri thirrje kompanive ndërtuese, që të mos vendosin makineri në këto rrugë.
Këto lëvizje të Ramës duken të ngjashme me ato të diktatorit Maduro në Venezuelë, i cili ka bllokuar rrugët dhe nuk lejon kalimin e ndihmave që vijnë prej SHBA-së, në një përpjekje për të ruajtur pushtetin e tij, edhe pse tashmë është braktisur nga komuniteti ndërkombëtarë dhe qytetarët kërkojnë largimin e tij.
Opozita ka paralajmëruar një protestë masive në 16 shkurt, me objektiv final, largimin e Ramës dhe krijimin e një qeveria tranzitore.