Fundi i Frontit të Bashkuar i Elitave të Tranzicionit

Nga Erl Kodra

Zhvillimet politike në vend kanë hyrë në fazën përfundimtare të ndryshimit. Kjo do të thotë se sistemit politik dy partiak po i vjen fundi. Në këtë kuptim, vet qëndrimet politike të eksponentëve politik të dy kampeve të njohura – Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike – me apo pa vetëdije po e shkatërrojnë sistemin politik dy-partiak 32 vjeçarë të tranzicionit. Le të analizojmë në thellësi pse kemi hyrë në fazën finale të ndryshimit të elitave politike.

Për të kuptuar këto zhvillime të pazakonta, është e nevojshme të analizohen mjetet (mediat) përmes të cilave i transmetohen opinionit publik këto zhvillime politike; përfshirë politikat editoriale të mediave, raportimin e lajmeve dhe programet politike të mbrëmjes.

Së pari, të gjitha mediat publike gjenden në duart e elitës politike që ka qeverisur Shqipërinë përgjatë tranzicionit. Të gjithë pronarët e këtyre mediave kanë lidhje të qarta dhe të njohura me të gjitha qeveritë shqiptare të drejtuara nga Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama. Rreth 80 % e elitës mediatike vjen nga vitet 90, të gjithë miqë të Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës. Të gjithë (me përjashtime fare të vogla) janë përkrahës të shpallur të Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës, dhe mbajnë qëndrime të hapura në mbështetje të njërit ose tjetrit. Të gjitha programet politike të mbrëmjes mbajnë qëndrime të qarta në mbështetje të elitës politike aktuale – në mbështetje të Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës. I gjithë debati publik përqëndrohet sillet rreth Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Së dyti, sistemi politik dypartiak që ka qeverisur vendin përgjatë tranzicionit është dominuar nga e njëjta elitë politike dhe informuar (përpunuar) nga e njëjta elitë mediatike. Në korridoret e Top Channel dhe Klan Tv – dy televizionet kryesore në vend – prej më shumë se 20 vitesh qarkullojnë të njëjtët gazetarë dhe politikanë. Në këto rrethana, është kalcifikuar një masë solide interesash ekonomike, politike dhe mediatike, që kanë bashkuar forcat dhe energjitë në mbrojtje të sistemit.

Qartësisht, këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një marrëdhenie mes politikës dhe medias, sepse diçka e tillë është normale në çdo demokraci në botë. Në çdo vend demokratik, elita politike i ndërton idetë politike dhe i transmeton ato përmes medias; dhe media i raporton përmes një vështrimi kritik, duke i peshuar dhe analizuar në interes të publikut. Por këtu nuk kemi të bëjmë me diçka të tillë; sepse prej kohësh elita politike ka përfshirë në gjirin e saj edhe elitën ekonomike të vendit – dhe kjo e fundit nga ana tjetër zotëron mediat kryesore të vendit. Kështu, është krijuar një qark i mbyllur interesash të përbashkëta mes elitës politike, elitës mediatike dhe elitës ekonomike. Prandaj ka ndodhur kalcifikimi i interesave të këtyre tre elitave, që kanë krijuar një një front – le t’i japim një emër – Fronti i Bashkuar i Elitave të Tranzicionit Shqiptar.

Ky front i përbashkët jo vetëm që nuk ka asnjë lidhje me interesat e shumicës absolute e qytetarëve, por nuk ka asnjë interes të përbashkët me interesat e Shqipërisë si një vend demokratik. Sepse elitat (politike, ekonomike dhe mediatike) kanë interesa të tjera; të ruajnë pasuritë dhe bizneset e përbashkëta; të vazhdojnë të ruajnë dominimin absolut në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit. Askush nuk do të donte të humbiste pozitën dominuese në një vend, sidomos në rastin kur humbja e dominimit përfshinë edhe dhenien e llogarisë para organeve të drejtësisë.

Nëse gjatë diktaturës elita komuniste përfitoi nga Lufta e Ftohtë për të izoluar dhe mbretëruar me gjak dhe hekur mbi një popull të tërë, në kushtet e një demokracie gjysmake, elita aktuale e vendit ia doli të konsolidonte pozitat dhe të kontrollojë të gjitha burimet ekonomike të vendit përmes lidhjeve media-politikë-biznes. Lajmi i mirë është se sot Shqipëria nuk është e izoluar si para viteve 90, dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian janë prezent në Shqipëri, në një angazhim konstant dhe të vendosur që t’i japin fund tranzicionit 33 vjeçarë të Shqipërisë.

As Shtetet e Bashkuara dhe as Bashkimi Europian nuk do të pushtojnë Shqipërinë, ose të sjellin administratën e tyre për të qeverisur; por duan të integrojnë vendin në strukturat euro-atlantike. Për të realizuar plotësisht këtë synim politik dhe strategjik, vendi duhet të ketë institucione të pavarura që qeverisin mirë dhe japin drejtësi të paanshme, duke mos kursyer pikërisht këtë elitë. Për të realizuar këtë qëllim gjeo-strategjik, së pari në interesin e tyre dhe në interesin e shqiptarëve, ata imponuan një ndër reformat më radikale të ndërmarra ndonjëherë – Reformën Kushtetuese në Drejtësi – përmes së cilës po i jepet fund kontrollit dhe dominimit të elitës mbi ekonominë dhe politikën e vendit. Nëse gjatë diktaturës shqiptarët mbijetuan si në një planet tjetër, në kushtet e një vendi të hapur është e pamundur. Tashmë shqiptarët janë një popull i lirë që e kuptojnë fare mirë se as Edi Rama, as Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk janë qenie të mbinatyshme, ose se kanë lindur që të zotërojnë jetët dhe të ardhmen e tyre. Maksimalisht ata janë tre politikanë të babëzitur për pushtet dhe pasuri, pa skrupuj dhe moral, që deri dje zotëronin dhe kontrollonin edhe drejtësinë e këtij vendi. Me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kësaj situate po i vjen fundi.

Kështu, më 21 Korrik 2016, Parlamenti i Shqipërisë votoi në bllok me 140 vota Ndryshimet Kushtetuese që i hapnin rrugën Reformës më të madhe në Drejtësi që është marrë ndonjëherë nga një vend, jo përmes ndonjë revolucioni ose përmbysje të sistemit politik, por i imponuar nga aleatët strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Ky akt politik nuk u krye me dëshirë nga asnjë prej aktorëve politik, por u detyruan gati përdhunshëm nga aleatët, si e vetmja mundësi për të shpëtuar vendin nga kontrolli i elitës politiko-ekonomike aktuale. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë u shoqërua me përpjekje të mëdha të ndërkombëtarëve për ta mbrojtur procesin nga kapja eventuale – kryesisht e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama – që kulmuan me shkuarjen e Ambasadores Yuri Kim në ambientet e KPK-së kur po votohej kreu aktual i SPAK Altin Dumani. Që prej asaj dite puna e këtij institucioni ka ndryshuar rrënjësisht, gjë e cila shpjegon edhe alarmin që ka përfshirë elitën.

Siç u tha më sipër, Reforma në Drejtësi nuk do të kryhej përmes pushtimit, as përmes ndonjë revolucioni, por do të kryhej përmes imponimit të fortë të ndërkombëtarëve. Tek e fundit, në botën që jetojmë asnjë vend nuk është i pa pozicionuar në ndonjë aleancë ndërkombëtare, për më tepër të sillet sikur jeton në një planet tjetër. Për Shqipërinë ajo epokë e errët përfundoi në Dhjetor 1990. Me kalimin e viteve, ajo që vinte në pyetje ishte nëse do të vazhdojmë të integrohemi në sistemin politiko-strategjik të perëndimit apo të lindjes; do të ishim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian apo me Rusinë dhe Kinën. Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama errdhën në politikë që në vitin 1990; ndërsa Vladimir Putin që në vitin 1999; Xi Jinping u zgjodh President i Republikës Popullore të Kinës që në vitin 2012 – një vit para se Kryeministri Edi Rama të vinte në krye të qeverisë shqiptare. Dukshëm politikanët tanë ua kalojnë edhe autokratëve më të njohur të botës, me ndryshimin e vetëm se elita jonë hiqet sikur është me perëndimin.

Natyrshëm, aleatët strategjikë të Shqipërisë, për të realizuar Reformën në Drejtësi do të duhej të trazonin ujrat me qëllim që të identifikonin aleatët dhe mbështetësit e ndryshimeve pa revolucion. Fillimisht ata identifikuan armiqtë dhe aleatët; duke etiketuar saktë një pjesë të tyre – që do të shërbenin si lakmues se kush është me kë – në luftën pakthim që ka nisur për largimin e elitës aktuale politike. Tashmë tabloja është e qartë; Edi Rama përpiqet të mbrojë me dhëmbë pushtetin e madh ekonomiko-politik të qeverisë, ndërsa Sali Berisha dhe Ilir Meta të mbrojnë pushtetin e vogël brenda opozitës. Ata janë bashkë, në mjedisin e përbashkët, në bizneset e përbashkëta, në mediat e përbashkëta që kanë ndërtuar përgjatë 33 viteve tranzicion.

Largimi i elitës do të ishte i pamundur pa Reformën në Drejtësi; gjithashtu do të ishte e pamundur që të ndërtohet një klasë e re politike pa trazimin politik që ndodhi, sepse elita kishte kapur dhe rekrutuar gjithçka që levizë në këtë hapësirë gjeografike; deri edhe krimin e organizuar dhe vrasës me pagesë. Provat janë të bollshme, të hapura dhe të mbyllura, sekrete dhe publike. Duket se tani jemi në fazën e fundit të tragji-komedisë shqiptare, veçanarisht kur përgjimet që Agjensitë Ligjzbatuese të aleatëve u kanë dorëzuar prokurorëve të SPAK. Të gjithë janë brenda të zhytur deri në grykë, në një llum të madh krimesh dhe trafiqesh të paligjshme, krimi dhe korrupsioni frenetik.

Situata është serioze; e rëndë, e vrazhdë dhe e pakompromis. Tre krerët e elitës kanë bashkuar forcat për herë të fundit, në përpjekje për të shpëtuar jo thjeshtë pozicionet e tyre, por edhe lirinë e tyre, para se SPAK të japë goditjen përfundimtare. Ata kanë shpallur mobilizimin e përgjithshëm; me media dhe gazetarë; me burime njerëzore dhe financiare, me shantazhues dhe rekrutues; me analistë dhe shpifës; të gjithë me një qëllim të qartë; të mbrojnë veten jo vetëm nga humbja e pushtetit, por edhe nga dënimi për krimet dhe korrupsionin që kanë kryer përgjatë 33 viteve tranzicion.

***

Deri tani, i vetmi politikan që është në të njëjtën valë me ndërkomëtarët është Lulzim Basha dhe grupimi i tij në PD-në zyrtare. Duket se trazimi i ujrave në Partinë Demokratike nxori në sipërfaqe vetëm një pjesë të vogël të saj, që me siguri nesër do të bëhet përsëri e madhe. Ngjarjet që ndodhën përgjatë dy viteve të fundit do të kishin kosto të lartë për demokratët; sepse po luhej gjithça për gjithçka, pa përjashtuar asnjë mjet, ku zemrat e dobëta do të thyheshin të parat nga presioni dhe paraja e madhe. Mobilizimi i fundit alarmues në rradhët e elitës është shenjë se fundi po afron. Dy konferenca shqypi dha Lulzim Basha për dy të premte me rradhë – të dyja të qarta, të drejtëpërdrejta dhe pa ekuivoke – dhe elita ndezi sinjalin SOS të mobilizimit të përgjithshëm, duke cytur gazetarët përdhunshëm kundër Lulzim Bashës.

Kurrë nuk e kam parë një politikan shqiptar kaq të qetë, kaq bindës dhe kaq të drejtëpërdrejtë sa ç’ishte dje Lulzim Basha. Ai parashtroi rrugën nëpër të cilën jemi të dënuar të kalojmë; Reformën Kushtetuese të Kodit Zgjedhor të Republikës, vetingu i politikanëve dhe mbështetja pa kushte e SPAK dhe organeve të reja të drejtësisë. Të gjitha këto i kërkojnë aleatët strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Dhe sigurisht, që kjo reformë do të bëhet, ashtu siç u bë me Reformën në Drejtësi – por pa revolucion ose pushtim – reformë që do të sjellë edhe fundin e Frontit të Bashkuar i Elitave të Tranzicionit.

Exit mobile version