Fundi i izolimit

Arton KONUSHEVCI

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës si dhe qytetarët, kanë mirëpritur propozimin e Komisionit Evropian drejtuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Me këtë propozim, Kosova do të vendoset në listën e vendeve që mund të lëvizin të lirshëm në zonën Shengen.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka përshëndetur propozimin e Komisionit Evropian, duke shkruar “lamtumirë viza”.
“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”, ka shkruar Thaçi.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se, rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Mustafa, menjëherë pas lajmit për rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave për kosovarët, ka pritur në një takim Samuel Zhbogar, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë me ç’rast kryeministri ka pranuar dokumentin e Komisionit Evropian.
Mustafa, Zhbogar dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku më pas kanë dalë në një konference për mediat, ku kanë theksuar se kjo ditë është e veçantë dhe historike për Kosovën.
Realizimi i lëvizjes së lirë, sipas kryeministrit Mustafa, erdhi si rezultat i bashkëpunimit të drejtpërdrejt ndërmjet qytetarëve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.
“Për ne kjo është një ditë e madhe. Ditë e madhe për Kosovën për qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse rekomandimi i Komisionit evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën është një vendim me rëndësi shumëdimensionale për vendin tonë. Sot, kosovarët e dinë edhe ditën e afërt se kur ata mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova ka bërë një hap shumë të rëndësishme në procesin e integrimit evropian”, ka thënë mes të tjerash Mustafa.
Përderisa ministri i Integrimit Evropian, ka thënë se me vendimin që ka marrë Komisioni Evropian për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave, ka vendosur hapin tjetër që ndërton përpjekjet e Kosovës për më shumë se katër vite.
“Vendimi i Komisionit Evropian është fillimi i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më pro-evropian. Ky veprim sinjalizon përfundimin e izolimit të evropianëve të rinj dhe trajtimin e tyre të barabartë me të gjithë popujt e rajonit. Rekomandimi i sotëm është vendimtar në mundësimin e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shengen për qytetarët e Kosovës. Procedura e vendimmarrjes ka nisur dhe ne do të dinamizojmë edhe më shumë punën me Parlamentin Evropian dhe vendet anëtare”, ka thënë Çollaku.
Kurse, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka vlerësuar se kjo ditë do të jetë e veçantë, pasi që do të kujtohet përgjithmonë. Ai ka përgëzuar institucionet e Kosovës partitë politike, Shoqërinë Civile për punën e bërë sa i takon çështjes së liberalizimit.
“Të gjithë duhet të jeni krenarë për punën e bërë. Nuk ka qenë një punë e lehtë. Ka qenë një rrugëtim, të cilin e kemi bërë së bashku për ta bërë Kosovën një vend më të mirë. Vendimi i tregon se Bashkimi Evropian interesohet për Kosovës dhe do t’i mbështesë qytetarët e saj në perspektivën e tyre. Izolimit të Kosovës po i vjen fundi dhe shpresojmë që do të ketë një Kosovës ku mund të jetohet në paqe dhe prospertitet”, ka thënë Zhbogar.
Edhe qytetarët e kanë mirëpritur lajmin nga Komisioni Evropian për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
Lulëzimi, një student nga Prishtina thotë se, pas suksesit të djeshëm të Kosovës që u bë pjesë e UEFA-s, lajmi për rekomandimin për viza është shumë i mirëseardhur.
“UEFA pa viza nuk ka pasur kuptim, kështu që ka ardhur edhe lajmi tjetër pozitiv për Kosovën. Tash shpresojmë edhe në anëtarësime të tjera sikurse në FIFA dhe në institucione të tjera. Besoj se do të kemi mundësinë të paktën të lëvizim më lirë sesa që kemi lëvizur deri tani, duke pritur shumë proceduara para ambasadave për viza”, ka thënë Lulëzimi.

Exit mobile version